Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dështon zgjedhja e presidentit. Rasti në Kushtetuese

Kuvend 5 mars

Foto: Driton Paçarada

Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes vonë, të mbajtur veç pak orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm. Për zgjedhjen e presidentit, në dy raundet e para të votimit duhet të jenë në kuti 80 vota e në të tretin, të paktën 61. Në sallë, të enjten kanë qenë të pranishëm 66 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa kanë munguar ata të opozitës. Për mungesë kuorumi ka dështuar edhe seanca e mëparshme e thirrur për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese, të përcjella nga presidentja Vjosa Osmani për votimin e presidentit nga populli. E pas mbylljes së seancës së dytë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit

Me vetëm 66 deputetë të pranishëm në sallë plenare, Kuvendi është ndalur në hapje të seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, e cila është zhvilluar në orët e fundit të skadimit të afatit kushtetues.

Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes vonë, në sallë kanë qenë të pranishëm deputetët e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërsa kanë munguar ata të opozitës dhe të partisë kryesore serbe, Lista Serbe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas votimit të pranisë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen po qe se plotësohen kushtet.

“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo.

Pas kësaj, Haxhiu ka njoftuar se menjëherë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë e kam njoftuar edhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar Haxhiu në Facebook.

E shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se me mospraninë në sallë, tendenca e Partisë Demokratike (PDK) dhe e Lidhjes Demokratike (LDK), të cilat janë dy subjektet më të mëdha opozitare, është që ta pamundësojnë zgjedhjen e presidentit dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje.

“Qasja e tyre vetëm e dëshmon edhe një herë tendencën e këtyre partive që të pamundësojnë zgjedhjen e presidentit dhe të dërgojnë vendin në zgjedhje. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet tona. Deputetët ishin këtu, përkundër obligimit. Nuk kishim asnjë njoftim nga ta, por me vetëdije nuk morën pjesë në votim për presidentin”, ka thënë ajo.

Pak para nisjes së seancës, në Kuvend janë prezantuardy kandidatë për president, Glauk Konjufca, i cili është nxjerrë nga LVV-ja një ditë më parë, si dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Një ditë më parë, Haxhiu pati thënë se kur thirret seanca për zgjedhjen e presidentit, nis të rrjedhë afati prej 60 ditësh. Ajo pati theksuar se nuk është e përcaktuar se çfarë ndodh nëse presidenti zgjidhet pas datës 6. Sipas saj, në këtë rast hyhet në një terren tjetër, të cilin e ka quajtur “të pashkelur”.

Midis dy seancave të zhvilluara gjatë së enjtes, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas mesnatës të së enjtes, kur përfundoi zyrtarisht afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kosova hyn sërish në fazë të zgjedhjeve të parakohshme.Ai ka shtuar se partia e tij ka qenë e gatshme për marrëveshje dhe për konsensus për një kandidat jopartiak, porse “kjo nuk është pranuar nga palët e tjera politike”.

“Kosova po futet drejt një procesi të ri zgjedhor në orën 00:00. LDK-ja e pret dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe sa më parë konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kemi pasur gatishmëri të plotë për konsensus, kjo gatishmëri nuk është përputhur me synimet e palëve të tjera. Seancën e tanishme e konsiderojmë monopartiake. Kemi dy kandidatë të një partie, kështu nuk arrihet konsensusi, uniteti. Ne kemi qenë në pozicion të ofrimit të marrëveshjes që është ofruar, dhe të gatshëm për konsensus, por nuk na është ofruar asnjë emër”, ka thënë ai para fillimit të seancës për presidentin.

Mbetet në sirtar edhe zgjedhja e presidentit nga populli

E para asaj për presidentin, Kuvendi ka mbajtur në mbrëmjen e së enjtes edhe një tjetër për amendamentet kushtetuese, të cilat presidentja Osmani ia ka përcjellë Kuvendit lidhur me zgjedhjen e presidentit të shtetit me votë të drejtpërdrejtë nga populli. Edhe miratimi i tyre ka dështuar si pasojë e mungesës së kuorumit.

Për çdo ndryshim kushtetues kërkohet miratimi nga dy tëtretate të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë. Në këtë seancë, në sallë kanë qenë 93 deputetë, ndërkaq kanë munguar të nëntë ligjvënësit e partisë serbe, Lista Serbe.

“Nuk janë plotësuar kushtet... do ta ndërpresim seancën këtu”, ka thënë Haxhiu.

Në debatin që i ka paraprirë konfirmimit të pranisë së pamjaftueshme të deputetëve, përfaqësues të partive parlamentare kanë shprehur qëndrime pro dhe kundër amendamenteve të propozuara nga presidentja Osmani.

Ligjvënës të LVV-së kanë dalë në mbështetje të ndryshimevetë propozuara kushtetuese.

“Përvoja na ka dëshmuar se procesi i zgjedhjet së presidentit në Kuvend shpesh është shoqëruar me marrëveshje joparimore politike e kemi pasur edhe situata të bllokimit institucional...Nëse presidenti votohet nga qytetarët, atëherë ka mbështetje më të drejtë nga populli e legjitimitet më të madh demokratik...Andaj, si Lëvizjes Vetëvendosje, siç e ceka, japim mbështetje për amendamente dhe i ftoj të gjithë deputetët ta mbështesim këtë iniciativë”, ka thënë Nagavci e LVV-së gjatë seancës së parë të ditës.

Në mbështetje të zgjedhjes së presidentit nga populli është shprehur edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, porse ai ka shtuar që kjo çështje kërkon trajtim serioz dhe jo procedurë të përshpejtuar.

“Në parim jemi që presidenti të zgjidhet nga populli, por kjo do trajtim serioz. Domosdoshmërisht duhet të jetë e vendosur brenda kuadratit ligjor, brenda Kushtetutës së Republikës, brenda procedurave, rregullave. Nuk është respektuar rregullorja, s’është në përputhje me atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Ne nuk mund të flasim sonte në mënyrë meritore. Sonte kam pritur, madje shumë më herët që Kosova ta ketë të zgjedhur presidentin e jo të vijë në këto orët e fundit të mandatit që deputetët të sfidohen me seancë të jashtëzakonshme pa material. Në parim jemi për, por kërkon trajtim në përputhje me rregulloren e ligjet”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se i mbështetamendamentet, porse ka shtuar që ndryshimet kushtetuese gjatë natës “nuk kanë bereqet”.

“LDK-ja i mbështet në parim amendamentet e tilla, sepse janë në bindjen tonë ideologjike. Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet nga qytetarët drejtpërsëdrejti. Kushtetuta të ndërrohet natën, më besoni që nuk ka bereqet. LDK-ja i mbështet dhe i voton. Ato fjalime që ua kanë shkruar, rishkruani edhe një herë. Dy çështje me rëndësi që t’i keni parasysh: këto amendamente kushtetuese janë hartuar edhe nga LDK-ja në vitin 2011. Këto amendamente janë dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga ne, sepse janë bindje ideologjike që datojnë nga presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova, pra presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Ky koncept kërkon rregullim të ri kushtetues, duhet më tepër punë, por le të themi se po i kapërcejmë këto”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka theksuar se me gjithë përkrahjen për ndryshimet kushtetuese, ato nuk mund të hyjnë në fuqi para gjashtë muajsh dhe se këtë veprim nuk e sheh ndryshe veçse manovër politike.

“Në ato amendamente që i keni para vetes thotë qartë se hyjnë në fuqi gjashtë muaj pasi të votohen nga Kuvendi. E ne jemi 2-3 orë larg afatit përfundimtar. Kishte qenë mirë që këtë kohë ta kishim shfrytëzuar më mençur, por këto janë manovra politike të natës. Nata nuk ka bereqet, prandaj LDK-ja i mbështet dhe i voton”, ka shtuar ai.

Seancae jashtëzakonshme për amendamentet kushtetuese është thirrur veç pak orë pasi që presidentja Osmani ia ka dërguar ato Kuvendit dhe janë miratuar në procedurë të përshpejtuar në Komisionin për Legjislacion. Në këtë Komision, ndryshimet janë miratuar me 6 vota për, ndërsa kundër tyre kanë dalë dy deputetë të PDK-së.

Votimit në Komision i ka paraprirë një përplasje midis deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës.

Kryetari i Komisionit, Përparim Gruda, i cili është deputet i PDK-së, i ka kualifikuar amendamentet të pasafatshme, ndërsa e ka cilësuar “ngutinë” për votimin e tyre si rrëshqitje drejt autoritarizmit.

E, deputetë të LVV-së kanë theksuar se nuk ka rëndësi që ndryshimet janë të vjetra prej gati 15 vjetësh, por që ato janë propozuar në ditën e fundit të afatit për të zgjedhur presidentin e ri.

Me këto ndryshime të propozuara, presidenti i shtetit duhet të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtënga populli. Ato kanë qenë në sirtar që nga viti 2011, kur Gjykata Kushtetuese pati nxjerrë vendim, duke i rrëzuar disa propozime dhe duke i miratuar të tjerat.

Teksa e ka argumentuar dërgimin në Kuvend të këtyre amendamenteve, presidentja Osmani ka përmendur dështimet e njëpasnjëshme për zgjedhjen e udhëheqësit të shtetit.

“Zgjedhje të drejtpërdrejta për president! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale.

Këtë nismë të Osmanit e ka mbështetur menjëherë kryeparlamentarja Haxhiu, tek u ka bërë thirrje të gjitha partive që t’i votojnë amendamentet.

Sipas Kushtetutës, çdo ndryshim në përmbajtjen e saj e kërkon miratimin nga dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë.Ndryshimet e Kushtetutës mund të miratohen në Kuvend, vetëm pasi që Gjykata Kushtetuese të ketë vlerësuar që amendamentet nuk pakësojnë ndonjë të drejtë të përcaktuar në kapitullin II të Kushtetutës. Në rast se presidentja ka përcjellë amendamentet e vitit 2011, ato tashmë janë trajtuar nga Gjykata Kushtuese, e cila ka konstatuar se neni që përcakton zgjedhjen e presidentit nga populli përbën përmirësim të së drejtës së qytetarëve.

Thirrjet për edhe një kandidat për president

Më herët gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti dhe i propozuari i parë i LVV-së për president, Konjufca, kanë shprehur pritjen për propozim edhe të një kandidati tjetër nga radhët e partive opozitare.

“Urojmë, e besojmë, e shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, ka theksuar Kurti.

Pika 2 e nenit 86 të Kushtetutës specifikon se “Zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

Presidentja Osmani e ka shprehur synimin për edhe një mandat, pasi ky aktual i skadon zyrtarisht më 4 prill.

Konjufca, i cili aktualisht e ushtron funksionin e ministrit të Punëve të Jashtme, ka thënë se ai do të votonte pro rizgjedhjessë Osmanit.

“Ka shumë njerëz më të mirë se unë, ka shumë njerëz më të përgatitur se unë, le ta propozojnë ata njërin. Po, Vjosa Osmanin le ta propozojnë, pra Vjosa Osmanin ose këdo tjetër, edhe unë vetë do ta votoj”, është shprehur ai të enjten.

Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje ka 66 deputetë në Kuvend dhe e ka pasur mundësinë që ta nxjerrë edhe një kandidat. Nënshkrimet e nevojshme për kandidim, kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Nagavci, ka thënë se subjekti i saj ua ka ofruar Osmanit, PDK-së si dhe LDK-së.

Për kandidimin e një personi për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Për zgjedhjen e presidentit, në dy raundet e para të votimit duhet të jenë në kuti 80 vota. Këtë kuotë do ta përmbushte pjesëmarrja e deputetëve të PDK-së apo e atyre të LDK-së në sallë.

Hamza i PDK-së ka insistuar në marrëveshje për votimin e kandidatit që duhet të jetë nga subjekti i tij.

“Pa marrëveshje politike nuk ka kandidat. Ne kemi kërkuar marrëveshje politike, e kemi dhënë ofertën tonë. Marrëveshjen politike, e cila nënkupton që kandidati apo kandidatja e propozuar nga Partia Demokratike të jetë president”, ka theksuar ai të enjten.

E mundësinë e vazhdimit të bisedimeve me Kurtin e ka hedhur poshtë kryetari Abdixhiku i LDK-së, teksa e ka quajtur procesin të komprometuar.

“Jemi dakorduar të mos ketë veprime unilaterale, të ketë konsensus, kjo është rruga dhe më pas ç’është e vërteta edhe procesi është komprometuar tani, sepse unë mbrëmë kuptova nga deklarimet e Zyrës së Presidentes se derisa ne kemi qenë në biseda, ata kanë shkuar kanë kërkuar fajësime për opozitën. Pra në një anë je në tavolinë me dikë, në anën tjetër bën skenar të fajësimeve.Ky është komprometim i rëndë i procesit, prandaj s’shoh arsye të kemi takime të tjera për këtë çështje”, ka thënë Abdixhiku të enjten.

E kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka kritikuar LVV-në për amulli në proces.

“As nuk kemi kandidatë, as nuk di kush kur ka seancë, as nuk është i informuar asnjë deputet se çka do të ndodhë. Sot është dita e fundit. Lajmet që dalin në media për besë ne nuk mund t’i komentojmë, çfarëdo komentimi që bëhet pa pasur asnjë dokument përpara është joseriozitet. Na ka ardhur vendi në këtë ditë të festës, në rrethana jashtëzakonisht eksperimentale, total joseriozitet”, ka thënë ai.

Çështja e 30 nënshkrimeve të nevojshme për t’u pranuar kandidatura e një pretendenti për president pati nxitur një ditë më parë përplasje nga distanca midis Presidencës dhe Qeverisë.

Në një konferencë shtypi të mërkurën, Nagavcipati thënë se Vetëvendosja ia ka ofruar Osmanit nënshkrimet për kandidim, porse ky pretendim është hedhur poshtë nga shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj. Në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së, të mërkurën, ajo ka thënë se oferta e Vetëvendosjes për 33 nënshkrime, që do t’ia mundësonte presidentes kandidimin për edhe një mandat, do të pranohej po qe se bashkë me të ofrohen edhe 57 votat e partisë në pushtet për zgjedhjen e serishme të Osmanit.

Presidentes Osmani mandati i përfundon më 4 prill. Neni 86 i Kushtetutës specifikon se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. E neni 82 i Kushtetutës thekson se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës.

Lexo përditësimet tjera
Zgjidhen nënkryetarët, konstituohet Kuvendi

Dështon zgjedhja e presidentit në ditën vendimtare

Ka dështuar zgjedhja e presidentit të enjten, që ishte dita e fundit sipas afateve kushtetuese. Seanca...