Ka dështuar zgjedhja e presidentit të enjten, që ishte dita e fundit sipas afateve kushtetuese.
Seanca për zgjedhjen e presidentit u mbajt të enjten mbrëma, ku Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidatë: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun.
Por, në mungesë kuorumi, ku prezent ishin vetëm 66 deputetë, seanca u ndërpre.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër fillim të votimit për president duhej së paku 80 deputetë të ishin në sallë.
Dështon zgjedhja e presidentit. Rasti në Kushtetuese
Me vetëm 66 deputetë të pranishëm në sallë plenare, Kuvendi është ndalur në hapje të seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, e cila është zhvilluar në orët e fundit të skadimit të afatit kushtetues.
Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes vonë, në sallë kanë qenë të pranishëm deputetët e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërsa kanë munguar ata të opozitës dhe të partisë kryesore serbe, Lista Serbe.
Pas votimit të pranisë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen po qe se plotësohen kushtet.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo.
Pas kësaj, Haxhiu ka njoftuar se menjëherë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë e kam njoftuar edhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar Haxhiu në Facebook.
E shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se me mospraninë në sallë, tendenca e Partisë Demokratike (PDK) dhe e Lidhjes Demokratike (LDK), të cilat janë dy subjektet më të mëdha opozitare, është që ta pamundësojnë zgjedhjen e presidentit dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje.
“Qasja e tyre vetëm e dëshmon edhe një herë tendencën e këtyre partive që të pamundësojnë zgjedhjen e presidentit dhe të dërgojnë vendin në zgjedhje. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet tona. Deputetët ishin këtu, përkundër obligimit. Nuk kishim asnjë njoftim nga ta, por me vetëdije nuk morën pjesë në votim për presidentin”, ka thënë ajo.
Pak para nisjes së seancës, në Kuvend janë prezantuardy kandidatë për president, Glauk Konjufca, i cili është nxjerrë nga LVV-ja një ditë më parë, si dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Një ditë më parë, Haxhiu pati thënë se kur thirret seanca për zgjedhjen e presidentit, nis të rrjedhë afati prej 60 ditësh. Ajo pati theksuar se nuk është e përcaktuar se çfarë ndodh nëse presidenti zgjidhet pas datës 6. Sipas saj, në këtë rast hyhet në një terren tjetër, të cilin e ka quajtur “të pashkelur”.
Midis dy seancave të zhvilluara gjatë së enjtes, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas mesnatës të së enjtes, kur përfundoi zyrtarisht afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kosova hyn sërish në fazë të zgjedhjeve të parakohshme.Ai ka shtuar se partia e tij ka qenë e gatshme për marrëveshje dhe për konsensus për një kandidat jopartiak, porse “kjo nuk është pranuar nga palët e tjera politike”.
“Kosova po futet drejt një procesi të ri zgjedhor në orën 00:00. LDK-ja e pret dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe sa më parë konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kemi pasur gatishmëri të plotë për konsensus, kjo gatishmëri nuk është përputhur me synimet e palëve të tjera. Seancën e tanishme e konsiderojmë monopartiake. Kemi dy kandidatë të një partie, kështu nuk arrihet konsensusi, uniteti. Ne kemi qenë në pozicion të ofrimit të marrëveshjes që është ofruar, dhe të gatshëm për konsensus, por nuk na është ofruar asnjë emër”, ka thënë ai para fillimit të seancës për presidentin.
Mbetet në sirtar edhe zgjedhja e presidentit nga populli
E para asaj për presidentin, Kuvendi ka mbajtur në mbrëmjen e së enjtes edhe një tjetër për amendamentet kushtetuese, të cilat presidentja Osmani ia ka përcjellë Kuvendit lidhur me zgjedhjen e presidentit të shtetit me votë të drejtpërdrejtë nga populli. Edhe miratimi i tyre ka dështuar si pasojë e mungesës së kuorumit.
Për çdo ndryshim kushtetues kërkohet miratimi nga dy tëtretate të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë. Në këtë seancë, në sallë kanë qenë 93 deputetë, ndërkaq kanë munguar të nëntë ligjvënësit e partisë serbe, Lista Serbe.
“Nuk janë plotësuar kushtet... do ta ndërpresim seancën këtu”, ka thënë Haxhiu.
Në debatin që i ka paraprirë konfirmimit të pranisë së pamjaftueshme të deputetëve, përfaqësues të partive parlamentare kanë shprehur qëndrime pro dhe kundër amendamenteve të propozuara nga presidentja Osmani.
Ligjvënës të LVV-së kanë dalë në mbështetje të ndryshimevetë propozuara kushtetuese.
“Përvoja na ka dëshmuar se procesi i zgjedhjet së presidentit në Kuvend shpesh është shoqëruar me marrëveshje joparimore politike e kemi pasur edhe situata të bllokimit institucional...Nëse presidenti votohet nga qytetarët, atëherë ka mbështetje më të drejtë nga populli e legjitimitet më të madh demokratik...Andaj, si Lëvizjes Vetëvendosje, siç e ceka, japim mbështetje për amendamente dhe i ftoj të gjithë deputetët ta mbështesim këtë iniciativë”, ka thënë Nagavci e LVV-së gjatë seancës së parë të ditës.
Në mbështetje të zgjedhjes së presidentit nga populli është shprehur edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, porse ai ka shtuar që kjo çështje kërkon trajtim serioz dhe jo procedurë të përshpejtuar.
“Në parim jemi që presidenti të zgjidhet nga populli, por kjo do trajtim serioz. Domosdoshmërisht duhet të jetë e vendosur brenda kuadratit ligjor, brenda Kushtetutës së Republikës, brenda procedurave, rregullave. Nuk është respektuar rregullorja, s’është në përputhje me atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Ne nuk mund të flasim sonte në mënyrë meritore. Sonte kam pritur, madje shumë më herët që Kosova ta ketë të zgjedhur presidentin e jo të vijë në këto orët e fundit të mandatit që deputetët të sfidohen me seancë të jashtëzakonshme pa material. Në parim jemi për, por kërkon trajtim në përputhje me rregulloren e ligjet”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se i mbështetamendamentet, porse ka shtuar që ndryshimet kushtetuese gjatë natës “nuk kanë bereqet”.
“LDK-ja i mbështet në parim amendamentet e tilla, sepse janë në bindjen tonë ideologjike. Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet nga qytetarët drejtpërsëdrejti. Kushtetuta të ndërrohet natën, më besoni që nuk ka bereqet. LDK-ja i mbështet dhe i voton. Ato fjalime që ua kanë shkruar, rishkruani edhe një herë. Dy çështje me rëndësi që t’i keni parasysh: këto amendamente kushtetuese janë hartuar edhe nga LDK-ja në vitin 2011. Këto amendamente janë dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga ne, sepse janë bindje ideologjike që datojnë nga presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova, pra presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Ky koncept kërkon rregullim të ri kushtetues, duhet më tepër punë, por le të themi se po i kapërcejmë këto”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka theksuar se me gjithë përkrahjen për ndryshimet kushtetuese, ato nuk mund të hyjnë në fuqi para gjashtë muajsh dhe se këtë veprim nuk e sheh ndryshe veçse manovër politike.
“Në ato amendamente që i keni para vetes thotë qartë se hyjnë në fuqi gjashtë muaj pasi të votohen nga Kuvendi. E ne jemi 2-3 orë larg afatit përfundimtar. Kishte qenë mirë që këtë kohë ta kishim shfrytëzuar më mençur, por këto janë manovra politike të natës. Nata nuk ka bereqet, prandaj LDK-ja i mbështet dhe i voton”, ka shtuar ai.
Seancae jashtëzakonshme për amendamentet kushtetuese është thirrur veç pak orë pasi që presidentja Osmani ia ka dërguar ato Kuvendit dhe janë miratuar në procedurë të përshpejtuar në Komisionin për Legjislacion. Në këtë Komision, ndryshimet janë miratuar me 6 vota për, ndërsa kundër tyre kanë dalë dy deputetë të PDK-së.
Votimit në Komision i ka paraprirë një përplasje midis deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës.
Kryetari i Komisionit, Përparim Gruda, i cili është deputet i PDK-së, i ka kualifikuar amendamentet të pasafatshme, ndërsa e ka cilësuar “ngutinë” për votimin e tyre si rrëshqitje drejt autoritarizmit.
E, deputetë të LVV-së kanë theksuar se nuk ka rëndësi që ndryshimet janë të vjetra prej gati 15 vjetësh, por që ato janë propozuar në ditën e fundit të afatit për të zgjedhur presidentin e ri.
Me këto ndryshime të propozuara, presidenti i shtetit duhet të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtënga populli. Ato kanë qenë në sirtar që nga viti 2011, kur Gjykata Kushtetuese pati nxjerrë vendim, duke i rrëzuar disa propozime dhe duke i miratuar të tjerat.
Teksa e ka argumentuar dërgimin në Kuvend të këtyre amendamenteve, presidentja Osmani ka përmendur dështimet e njëpasnjëshme për zgjedhjen e udhëheqësit të shtetit.
“Zgjedhje të drejtpërdrejta për president! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale.
Këtë nismë të Osmanit e ka mbështetur menjëherë kryeparlamentarja Haxhiu, tek u ka bërë thirrje të gjitha partive që t’i votojnë amendamentet.
Sipas Kushtetutës, çdo ndryshim në përmbajtjen e saj e kërkon miratimin nga dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë.Ndryshimet e Kushtetutës mund të miratohen në Kuvend, vetëm pasi që Gjykata Kushtetuese të ketë vlerësuar që amendamentet nuk pakësojnë ndonjë të drejtë të përcaktuar në kapitullin II të Kushtetutës. Në rast se presidentja ka përcjellë amendamentet e vitit 2011, ato tashmë janë trajtuar nga Gjykata Kushtuese, e cila ka konstatuar se neni që përcakton zgjedhjen e presidentit nga populli përbën përmirësim të së drejtës së qytetarëve.
Thirrjet për edhe një kandidat për president
Më herët gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti dhe i propozuari i parë i LVV-së për president, Konjufca, kanë shprehur pritjen për propozim edhe të një kandidati tjetër nga radhët e partive opozitare.
“Urojmë, e besojmë, e shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, ka theksuar Kurti.
Pika 2 e nenit 86 të Kushtetutës specifikon se “Zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.
Presidentja Osmani e ka shprehur synimin për edhe një mandat, pasi ky aktual i skadon zyrtarisht më 4 prill.
Konjufca, i cili aktualisht e ushtron funksionin e ministrit të Punëve të Jashtme, ka thënë se ai do të votonte pro rizgjedhjessë Osmanit.
“Ka shumë njerëz më të mirë se unë, ka shumë njerëz më të përgatitur se unë, le ta propozojnë ata njërin. Po, Vjosa Osmanin le ta propozojnë, pra Vjosa Osmanin ose këdo tjetër, edhe unë vetë do ta votoj”, është shprehur ai të enjten.
Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje ka 66 deputetë në Kuvend dhe e ka pasur mundësinë që ta nxjerrë edhe një kandidat. Nënshkrimet e nevojshme për kandidim, kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Nagavci, ka thënë se subjekti i saj ua ka ofruar Osmanit, PDK-së si dhe LDK-së.
Për kandidimin e një personi për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Për zgjedhjen e presidentit, në dy raundet e para të votimit duhet të jenë në kuti 80 vota. Këtë kuotë do ta përmbushte pjesëmarrja e deputetëve të PDK-së apo e atyre të LDK-së në sallë.
Hamza i PDK-së ka insistuar në marrëveshje për votimin e kandidatit që duhet të jetë nga subjekti i tij.
“Pa marrëveshje politike nuk ka kandidat. Ne kemi kërkuar marrëveshje politike, e kemi dhënë ofertën tonë. Marrëveshjen politike, e cila nënkupton që kandidati apo kandidatja e propozuar nga Partia Demokratike të jetë president”, ka theksuar ai të enjten.
E mundësinë e vazhdimit të bisedimeve me Kurtin e ka hedhur poshtë kryetari Abdixhiku i LDK-së, teksa e ka quajtur procesin të komprometuar.
“Jemi dakorduar të mos ketë veprime unilaterale, të ketë konsensus, kjo është rruga dhe më pas ç’është e vërteta edhe procesi është komprometuar tani, sepse unë mbrëmë kuptova nga deklarimet e Zyrës së Presidentes se derisa ne kemi qenë në biseda, ata kanë shkuar kanë kërkuar fajësime për opozitën. Pra në një anë je në tavolinë me dikë, në anën tjetër bën skenar të fajësimeve.Ky është komprometim i rëndë i procesit, prandaj s’shoh arsye të kemi takime të tjera për këtë çështje”, ka thënë Abdixhiku të enjten.
E kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka kritikuar LVV-në për amulli në proces.
“As nuk kemi kandidatë, as nuk di kush kur ka seancë, as nuk është i informuar asnjë deputet se çka do të ndodhë. Sot është dita e fundit. Lajmet që dalin në media për besë ne nuk mund t’i komentojmë, çfarëdo komentimi që bëhet pa pasur asnjë dokument përpara është joseriozitet. Na ka ardhur vendi në këtë ditë të festës, në rrethana jashtëzakonisht eksperimentale, total joseriozitet”, ka thënë ai.
Çështja e 30 nënshkrimeve të nevojshme për t’u pranuar kandidatura e një pretendenti për president pati nxitur një ditë më parë përplasje nga distanca midis Presidencës dhe Qeverisë.
Në një konferencë shtypi të mërkurën, Nagavcipati thënë se Vetëvendosja ia ka ofruar Osmanit nënshkrimet për kandidim, porse ky pretendim është hedhur poshtë nga shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj. Në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së, të mërkurën, ajo ka thënë se oferta e Vetëvendosjes për 33 nënshkrime, që do t’ia mundësonte presidentes kandidimin për edhe një mandat, do të pranohej po qe se bashkë me të ofrohen edhe 57 votat e partisë në pushtet për zgjedhjen e serishme të Osmanit.
Presidentes Osmani mandati i përfundon më 4 prill. Neni 86 i Kushtetutës specifikon se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. E neni 82 i Kushtetutës thekson se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës.
Nagavci: Opozita ka tendencë ta dërgojë vendin në zgjedhje
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se tendenca e dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK është ta dërgojë vendin në zgjedhje.
Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, Nagavci para gazetarëve ka thënë se qasja e këtyre partive opozitare dëshmon qëllimin për ta pamundësuar zgjedhjen e presidentit.
“Qasja e tyre vetëm e dëshmon edhe një herë tendencën e këtyre partive që të pamundësojnë zgjedhjen e presidentit dhe të dërgojnë vendin në zgjedhje. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet tona, deputetët nuk ishin këtu përkundër obligimit. Nuk kishim asnjë njoftim nga ta, por me vetëdije nuk morën pjesë në votim për presidentin”, ka thënë ajo.
Ajo më tej ka përmendur, siç e ka quajtur, gatishmërinë e Vetëvendosjes që të japë nënshkrimet për kandidatë që mund të vijnë nga partitë opozitare.
“Ishim të gjithë dëshmitarë se deputetët e opozitës nuk morën pjesë në seancën e ftuar dhe nuk dhanë asnjë nënshkrim apo propozim në lidhje me një president konsensual. LVV-ja ka qenë e gatshme të mbështesë, gjegjësisht të japë nënshkrimet për kandidatët që mund të vinin nga LDK-ja apo PDK-ja, përtej kësaj paraprakisht pamë edhe seancën ku proceduam ndryshimet amendamentuese për Kushtetutën në mënyrë që presidenti të mund të zgjidhej me votat direkt nga populli. Jemi në një situatë ku si VV e kemi bërë të qartë se mund të ofrojmë nënshkrimet tona”, ka theksuar ajo.
Sa i përket kërkesës që i bënë Gjykatës Kushtetuese që ta pezullojë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit për shkak të mospjesëmarrjes në votim të deputetëve nga opozita, Nagavci ka thënë se beson se përgjigja do të jetë në favor të kërkesës së tyre.
“Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese që tani, do të kërkojmë nga gjykata që të marrë masa dhe të shqyrtohet me prioritet kjo kërkesë e jona sepse besojmë që deputetët që nuk kanë marrë pjesë në votim e që e kanë pamundësuar kuorumin, kanë bërë shkelje kushtetuese. Besojmë që përgjigja të jetë në favor të kërkesës sonë”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu i kërkon Kushtetueses ta pezullojë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit. Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kushtetuesja vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe masë pezulluese për afatin kushtetues.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë, e kam njoftuar edhe Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar ajo në Facebook.
Të enjten, me vetëm 66 deputetë të pranishëm, Kuvendi i Kosovës është ndalur në hapje të seancës për zgjedhjen e presidentit. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen nëse plotësohen kushtet.
Për të pasur kushte për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë i bëra apele deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhjet me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo.
Një ditë më parë, Haxhiu u shpreh se kur thirret seanca për zgjedhjen e presidentit nis të rrjedhë afati prej 60 ditësh. Ajo pati thënë se nuk është e përcaktuar se çka ndodh nëse presidenti zgjidhet pas datës 6. Sipas saj, në këtë rast hyhet në një terren tjetër, që e ka quajtur “terren të pashkelur”.
Në nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës.
E neni 86, thotë se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, mandati i përfundon më 4 prill.
E të enjten, Osmani çoi në Kuvend ndryshimet kushtetuese për të mundësuar që zgjedhja e presidentit të bëhet direkt me votë të popullit. Në mungesë të kuorumit, këto propozime mbetën pa u miratuar.
S’ka kuorum, Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri
Me vetëm 66 deputetë të pranishëm, Kuvendi i Kosovës është ndalur në hapje të seancës për zgjedhjen e presidentit. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen nëse plotësohen kushtet.
Për të pasur kushte për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë i bëra apele deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhjet me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo.
Paraprakisht në Kuvend u prezantuan kandidatët për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku të Lëvizjes Vetëvendosje.
Një ditë më parë, Haxhiu u shpreh se kur thirret seanca për zgjedhjen e presidentit nis të rrjedhë afati prej 60 ditësh. Ajo pati thënë se nuk është e përcaktuar se çka ndodh nëse presidenti zgjidhet pas datës 6. Sipas saj, në këtë rast hyhet në një terren tjetër, që e ka quajtur “terren të pashkelur”.
Në nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës.
E neni 86, thotë se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, mandati i përfundon më 4 prill.
Ambicie për edhe një mandat pati shprehur presidentja Vjosa Osmani, por që nuk i ka siguruar 30 nënshkrimet. Madje nga Presidenca pati përplasje me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen nëse i janë ofruar apo jo 30 nënshkrimet.
E të enjten, Osmani çoi në Kuvend ndryshimet kushtetuese për të mundësuar që zgjedhja e presidentit të bëhet direkt me votë të popullit. Në mungesë të kuorumit, këto propozime mbetën pa u miratuar.
Konjufca e Kollçaku kalojnë filtrin e Komisionit për kandidaturat për president
Komisioni për Legjislacion ka vendosur se të dy kandidatët për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha Kollçaku, i plotësojnë kushtet për të qenë kandidat për president.
Tani procesi ka kaluar në procesin e formimit të komisionit zgjedhor.
Emrat e kandidatëve për president kalojnë te Komisioni për Legjislacion
Pas ekspozesë së kandidaturave për president të shtetit, është mbledhur Komisioni për Legjislacion për t’i shqyrtuar kandidaturat.
Pas shqyrtimit të dokumentacioneve pritet përgatitja për votim.
Kandidatë janë Glauk Konjufca e Fatmire Kollçaku.
Abdixhiku: Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, LDK ishte e gatshme për konsensus
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se që pas mesnatës Kosova hyn sërish në fazën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Ai ka shtuar se partia e tij ka qenë e gatshme për marrëveshje dhe konsensus për një kandidat jopartiak, por se sipas tij kjo nuk është pranuar nga palët e tjera politike.
“Kosova po futet drejt një procesi të ri zgjedhor në orën 00:00, LDK pret dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe sa më parë konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kemi pasur gatishmëri të plotë për konsensus, kjo gatishmëri nuk është përputhur me synimet e palëve tjera. Seancën e tanishme e konsiderojmë monopartiake. Kemi dy kandidatë të një partie, kështu nuk arritët konsensusi, uniteti. Ne kemi qenë në pozicion të ofrimit të marrëveshjes që është ofruar, dhe të gatshëm për konsensus por nuk na është ofruar asnjë emër”, ka thënë ai para fillimit të seancës për presidentin.
Pa opozitën, po mbahet seanca për presidentin
Ka nisur seanca për zgjedhjen e presidentit.
Në sallë janë vetëm 66 deputetë, edhe pse në dy rundet e para kërkohen të paktën 2/3 e deputetëve apo 80.
Kandidatë për president janë Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se deputetët janë të obliguar që të marrin pjesë në seancë, në bazë të aktgjykimeve kushtetuese.
Të pranishëm janë vetëm deputetët e pushtetit. Nuk ka asnjë deputet të opozitës.
Haxhiu u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në seancë, teksa ka shtuar se nuk i kanë marrë leje për të munguar.
Fatmire Kollçaku, kundërkandidate e Konjufcës për postin e presidentit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, është kandidatja e dytë për presidente të Kosovës.
Kjo konfirmohet nga thirrja që Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë Kryesisë së Kuvendit të enjten në mbrëmje.
“Në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës, në emër të deputetëve nënshkrues, paraqes nominimin për kandidaten për Presidente të Republikës së Kosovës. Deputetët nënshkrues nominojnë znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, si kandidate për Presidente të Republikës së Kosovës. Bashkëngjitur me këtë shkresë përcjellëse, gjeni listën e nënshkrimeve të deputetëve, si dhe dokumentacionin tjetër të nevojshëm. Ju lus që në përputhje me procedurat e paracaktuara të procedoni këtë nominim”, thuhet në shkresën e shefes së deputetëve të VV-së, Arbërie Nagavci, drejtuar Kryesisë së Kuvendit.
Letra u publikua nga deputeti i LDK-së, Besian Mustafa. “A votohet për presidente Fatmire Kollçaku?!?!” ka shkruar Mustafa.
Seanca për zgjedhjen e presidentit është ftuar për në orën 22:00.
Pos Kollçakut, kandidat për president një ditë më parë u konfirmuar Glauk Konjufca i Vetëvendosjes.
Propozimi i VV-së për Konjufcën një ditë më parë nxiti përplasje mes Presidencës dhe partisë në pushtet. Teksa në VV thanë se ia kanë ofruar presidentes Vjosa Osmani 30 nënshkrime për të kandiduar për një tjetër mandat, në Presidencë thanë se nuk janë ofruar votat.
Një ditë më parë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se pa një kandidaturë të dytë nuk mund të nisin procedurat për këtë seancë.
Presidenti zgjidhet me votim të fshehtë. Zgjedhja e tij duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Në këtë rast, Osmanit i përfundon mandati më 4 prill.
Zgjedhja e presidentit bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Nëse asnjëri kandidat s’i merr shumicën prej 2/3 e votave në dy votimet e para, organizohet rundi i tretë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet deputet.
Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet president, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Kuvendi mblidhet në orën 22:00 për zgjedhjen e presidentit
Pas dështimit të votimit në seancën e mbajtur pas orës 20:00 për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, Kuvendi do të mblidhet edhe në një seancë tjetër gjatë mbrëmjes të së enjtes.
Kjo seancë do të fillojë nga ora 22:00, ka njoftuar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Në rend dite të kësaj seance është zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës.
Në seancën e jashtëzakonshme e cila përfundoi pa votim, qenë të pranishëm 93 deputetë, por jo mjaftueshëm nga komunitetet joshumicë, që nevojitet pjesëmarrja e 2/3-ve të tyre për të kaluar amendamentet kushtetuese. Në sallë munguan deputetët e Listës Serbe dhe Duda Balje.
S’ka kuorum, mbetet në sirtar propozimi që presidenti të zgjidhet nga populli
Në mungesë kuorumi, ka dështuar të enjten seanca e jashtëzakonshme plenare me pikën e vetme të rendit të ditës, për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit me votë direkt nga populli.
Përderisa çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet, në seancë nuk ishin të pranishëm asnjë nga 9 deputetët e Listës Serbe.
Gjithsej në sallë ishin 93 deputetë.
“Nuk janë plotësuar kushtet... do ta ndërpresim seancën këtu”, ka thënë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Në seancë, gjatë debatit partitë shqiptare të pranishme u shprehën pro këtyre propozimeve, por partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kritikuan mënyrën e ngutshme të procesit.
Sot gjatë ditës, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli. Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011.
Komisioni për legjislacion i miratoi e më pas procedura shkoi në Kuvend.
Kërkesa për ndryshime kushtetuese nga Osmani u shfaq tash kur presidentja po hyn në muajin e fundit të mandatit dhe që partia në pushtet nuk ia siguroi nënshkrimet për një tjetër mandat, por e propozoi Glauk Konjufcën.
Abdixhiku: LDK-ja mbështet ndryshimet kushtetuese, por natën këto ndryshime s’kanë bereqet
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se LDK-ja i mbështet amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli.
Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, Abdixhiku ka thënë se megjithatë, Kushtetuta nuk mund të ketë ndryshime në orët e natës.
“LDK-ja i mbështet në parim amendamentet e tilla sepse janë në bindjen tonë ideologjike. Residenti i Kosovës duhet të zgjidhet nga qytetarët drejtpërsëdrejti. Kushtetuta të ndërrohet natën më besoni që nuk ka bereqet. LDK-ja i mbështet dhe i voton. Ato fjalime që ua kanë shkruar, rishkruani edhe një herë. Dy çështje me rëndësi që t’i keni parasysh: këto amendamente kushtetuese janë hartuar edhe nga LDK-ja në vitin 2011. Këto amendamente janë dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga ne, sepse janë bindje ideologjike që datojnë nga presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova, pra presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Ky koncept kërkon rregullim të ri kushtetues, duhet më tepër punë, por le të themi se po i kapërcejmë këto”, ka thënë ai.
Kreu i LDK-së ka thënë se mungesa e vullnetit të pakicës serbe për 14 vjet, 2/3 e të cilëve nevojiten të votojnë, ka bërë që këto ndryshime kushtetuese të mos ndodhin asnjëherë.
Ai ka shtuar se kërkesa e Listës Serbe ka qenë që të ketë zëvendëspresident serb.
“Çështja bazike është që prej 2012-tës kur Gjykata Kushtetuese ka dhënë pëlqim, ky Kuvend nuk ka arritur asnjëherë t’i kalojë ato për një fakt shumë të thjeshtë, mungesës së vullnetit te shumica e dyfishtë, pra përveç që duhen 2/3 e shqiptarëve, duhen edhe 2/3 e minoriteteve, dhe çështja e dytë edhe po t’i kalojmë sepse nuk i kemi pakicat këtu, e nuk i kemi pasur për 14 vjet sepse kërkesat e tyre kanë qenë shumë më të thella, kanë qenë për zëvendëspresident serb, prandaj nuk kemi arritur asnjëherë kompromis”, ka theksuar ai.
Abdixhiku tutje ka thënë se edhe pse i përkrahin ndryshimet kushtetuese, ato nuk mund të hyjnë në fuqi para gjashtë muajsh dhe këtë veprim nuk e shohin ndryshe veçse manovër politike.
“Në ato amendamente që i keni para vetes thotë qartë se hyjnë në fuqi gjashtë muaj pasi të votohen nga Kuvendi, e ne jemi 2-3 orë larg afatit përfundimtar. Kishte qenë mirë që këtë kohë ta kishim shfrytëzuar më mençur, por këto janë manovra politike të natës. Nata nuk ka bereqet, prandaj LDK-ja i mbështet dhe i voton”, është shprehur më tej ai.
Hamza: PDK-ja pro që presidenti të zgjidhet nga populli, por kjo do trajtim serioz
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se PDK-ja është pro që presidenti të zgjidhet direkt nga populli, por se kjo çështje kërkon trajtim serioz dhe jo procedurë të përshpejtuar.
Ai është ankuar se me procedurat e sotme nuk është respektuar Rregullorja e as Gjykata Kushtetuese.
“Në parim jemi që presidenti të zgjidhet nga populli, por kjo do trajtim serioz. Domosdoshmërisht duhet të jetë e vendosur brenda kuadratit ligjor, brenda Kushtetutës së Republikës, brenda procedurave, rregullave. Nuk është respektuar rregullorja, s’është në përputhje me atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Ne nuk mund të flasim sonte në mënyrë meritore. Sonte kam pritur, madje shumë më herët që Kosova ta ketë të zgjedhur presidentin e jo të vijë në këto orët e fundit të mandatit që deputetët të sfidohen me seancë të jashtëzakonshme pa material. Në parim jemi për, por kërkon trajtim në përputhje me rregulloren e ligjet”, ka thënë ai.
Vetëvendosje i përkrah ndryshimet kushtetuese për zgjedhje të presidentit
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se i përkrah ndryshimet kushtetuese me të cilat ndryshohet forma e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Me amandamentet kushtetuese, që janë dërguar në Kuvend nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten, presidenti do të duhej të zgjidhej nga qytetarët.
“Përvoja na ka dëshmuar se procesi i zgjedhjet së presidentit në Kuvend shpesh është shoqëruar me marrëveshje joparimore politike e kemi pasur edhe situata të bllokimit institucional...Nëse presidenti votohet nga qytetarët atëherë ka mbështetje më të drejtë nga populli e legjitimitet më të madh demokratik...Andaj si Lëvizjes Vetëvendosje si[ e ceka japim mbështetje për amandamente e i ftoj të gjithë deputetët ta mbështesim këtë iniciativë”, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.
Kuvendi shqyrton ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, mungon Lista Serbe
Ka nisur seanca e thirrur për votimin e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani sa i përket zgjedhjes së presidentit.
Seanca e paraparë të mbahej nga ora 20:00, ka filluar me rreth 50 minuta vonesë.
Në këtë seancë plenare, mungojnë deputetët e Listës Serbe.
Çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet.
Komisioni për Legjislacion ka miratuar para pak orësh ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Tani çështja ka avancuar dhe ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në seancë plenare.
Ndryshimet u miratuan me 6 vota pro. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan kundër.
Hasani: Amendamentet për zgjedhjen e presidentit nuk mund të rikthehen në Kuvend pas tërë këtyre vjetësh
Profesori dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se amendamentet për të ndryshuar metodën e zgjedhjes së presidentit, nuk mund të rikthehen në Kuvend, 15 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, Kushtetuesja duhet t’i shqyrtojë çdo amendament për këtë çështje. Ai ka thënë për KOHËN se e ka parë tekstin e amendamenteve të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani.
Ai e ka quajtur skandaloze mungesën e dispozitave që lidhen me palët që propozojnë kandidatët për president.
KOHA: Zoti Hasani, në Komisionin për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës të enjten u miratua propozimi i presidentes Osmani për ndryshimet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e presidentit direkt nga populli, me amendamentet që datojnë nga viti 2011. Cili është leximi juaj juridik për këto zhvillime të fundit?
Hasani: Propozimi i amendamenteve për të adresuar një dëshirë personale të një organi kushtetues, në këtë mënyrë, paraqet një mosrespektim të plotë ndaj Kushtetutës dhe shtetit, dhe një përçmim të çdo vlere të rendit kushtetues mbi të cilin bazohet Kosova sot.
Këto amendamente nuk mund të rikthehen në Kuvendin e Kosovës pas tërë këtyre viteve nga presidenti i Republikës. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë këtë brenda afatit shtatëditor, sipas rregullores së Kuvendit, e cila është akti i vetëm normativ nënligjor që ka peshë kushtetuese të drejtpërdrejtë.
Përveç kësaj, Kushtetuta deri sot është amendamentuar shumë herë, dhe Gjykata Kushtetuese ka nevojë të shqyrtojë çdo amendament nëse është në përputhje me nenet dy dhe tre, dhe më frymën e Kushtetutës. Presidentja e Republikës ka të drejtë të propozojë amendamente kushtetuese, por ato duhet të bëhen në procedurën e rregullt kushtetuese: dërgohen te kryetari i Kuvendit, i cili i përcjell në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj ato kthehen në Kuvend, jo te Presidenca.
Unë e pashë tekstin e amendamenteve të propozuara. Pjesa që ka të bëjë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të Republikës nuk është e njëjtë me atë që ishte vlerësuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese më 20 korrik 2012 dhe përmban dispozita të reja.
Po ashtu, mungojnë dispozitat që lidhen me palët që propozojnë kandidatët për president të Republikës, të cilat Gjykata Kushtetuese i ka shprehur qartë si jokushtetuese. Kjo vërtet është skandal!
KOHA: Cila është baza kushtetuese për këtë amendamentim dhe a mund të ndryshohen kushtetutat e propozuara në një legjislaturë 15 vjet më parë, të sillen tani për aprovim në këtë formë të përshpejtuar?
Hasani: Një pjesë e atyre amendamenteve janë shpallur si jokushtetuese. Pikërisht për këtë arsye, askush nuk mund, pas kalimit të afatit shtatëditor, dhe veçanërisht pas kaq vitesh dhe pas kaq shumë amendamentimesh kushtetuese, të sjellë drejtpërdrejt në Kuvend tekstet që nuk kanë kaluar një kontroll të ri kushtetues.
Kush garanton që amendamentet që sapo kaluan në Komisionin për Legjislacion janë në pajtim me amendamentet që janë shpallur jokushtetuese? Askush. Vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencën për këtë.
Amendamenti që kaloi sot, për të përsëritur, është i ri, ndërsa pjesa e tij origjinale ishte shpallur jokushtetuese më 20 korrik 2012.
KOHA: Cilën e shihni ju si sfidën kryesore juridiko-politike për zbatimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese?
Hasani: Edhe sikur të miratohen sot amendamentet në fjalë, zbatimi i tyre sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 20 korrik 2012 e bën të qartë në paragrafin 129 se duhen të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve për president që amendamentet të miratohen.
Përveç kësaj, siç e thashë, disa dispozita të këtij amendamenti kanë qenë shpallur si jokushtetuese dhe sot janë ndryshuar. Çdo ndryshim i amendamentit duhet të kalojë sërish në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues, edhe nëse ndryshon vetëm një presje. Amendamenti që kaloi sot në Komision është i ri.
Amendamentet e sotme, siç e thashë, që lidhen me zgjedhjen e presidentit të Republikës, janë dispozita të reja dhe nuk guxojnë të shkojnë drejtpërdrejt në Kuvendin e Kosovës pa kaluar sërish në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 144.3 të Kushtetutës.
Më erdhi turp kur pashë në diskutim anëtarët juristë të komisionit që thoshin se numrat nuk kanë rëndësi, as ndryshimet teknike. Dua t’ia bëj me dije çdokujt që kur ndryshon Kushtetuta në vendet demokratike, teksti i vjetër që ndryshon nuk zhduket, nuk hidhet në pleh, por mbetet në Kushtetutë dhe bashkë me Kushtetutën qëndron aty për shekuj, nuk fshihet kurrë!
KOHA: A mundet që presidenti i ardhshëm të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli nëse ndryshimet kushtetuese miratohen në Kuvendin e Kosovës?
Hasani: Ideja e kësaj përpjekjeje nuk është për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Republikës, por për të zhvendosur fajin për ngërçin aktual te partitë opozitare.
Për miratimin e amendamenteve duhen dy të tretat e dyfishta: një herë dy të tretat e shqiptarëve dhe pastaj dy të tretat e joshqiptarëve. Krejt skenari duket se është për të fajësuar partitë opozitare shqiptare, sikur ato po veprojnë si “Lista Srpska” kundër zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit të Republikës — një lojë që e kemi parë shpesh deri më tani.
Edhe sikur të miratohen, amendamentet nuk guxojnë të zbatohen para gjashtë muajve nga dita e miratimit. Përveç kësaj, çdokush duhet ta dijë se nuk mund të bëhen zgjedhjet drejtpërdrejt për presidentin e Republikës pa pasur një infrastrukturë të tërë ligjore për këtë proces, sepse Kushtetuta nuk është ligj për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet kërkon që çdo ndryshim të ndodhë së paku gjashtë muaj para zgjedhjeve.
Pra, ka një dyfish pengesash ligjore dhe kushtetuese për të manipuluar publikun. Kjo është mrekullia e demokracisë kushtetuese: nuk mund të imponosh vullnetin politik bruto pa kaluar nëpër filtrat e normave kushtetuese, ligjore dhe procedurave të tjera të demokracisë kushtetuese.
Hamza kundër mbajtjes së seancës për ndryshimet kushtetuese
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk po e sheh të drejtë thirrjen e seancës së Kuvendit të enjten për amandamentet për zgjedhjen e presidentit nga populli.
Ai ka thënë se nuk mund të flitet për një temë kaq të rëndësishme në ditën e fundit për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
“Para 15 minutash e ftuan seancën. Kjo i bie që për tema kaq të rëndësishme, për ndryshime kushtetuese, edhe pse PDK vazhdimisht ka qenë e hapur që presidenti ka mundësi të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë. Jo në 2–3 orët e fundit, jo për një temë kaq të rëndësishme”, ka deklaruar Hamza./ EO
Ftohet seancë për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit
Deputetët do të mblidhen në Kuvend sot për të votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani sa i përket zgjedhjes së presidentit.
Në uebfaqen e Kuvendit është konfirmuar se seanca e jashtëzakonshme plenare është planifikuar të nisë në orën 20:00.

Komisioni për Legjislacion ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Tani çështja ka avancuar dhe ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në seancë plenare.
Ndryshimet u miratuan me 6 vota pro. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan kundër.
Komisioni miraton ndryshimet kushtetuese për presidentin
Komisioni për Legjislacion ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Tani çështja ka avancuar dhe ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në seancë plenare.
Ndryshimet u miratuan me 6 vota pro. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan kundër.
Votimit i parapriu një përplasje e deputetëve të pushtetit me ata të opozitës. Kryetari i këtij komisioni, Përparim Gruda, e cilësoi rrëshqitje drejt autoritarizmit “ngutinë” për votimin e këtyre ndryshimeve. Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u shprehën se nuk ka rëndësi fakti që këto ndryshime janë që gati 15 vjet në sirtar, por po propozohen në ditën e fundit të afatit për të zgjedhur presidentin e ri.
Me këto ndryshime të propozuara, presidenti i shtetit duhet të zgjidhet me votë direkt nga populli. Ato kanë qenë në sirtar që nga viti 2011, kur Gjykata Kushtetuese pati dhënë vendim duke rrëzuar disa propozime e duke miratuar të tjerat.
Nuk është bërë e qartë se kur do të ftohet seanca për t’i shqyrtuar këto ndryshime kushtetuese. Çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet.
Kërkesa për ndryshime kushtetuese nga Osmani u shfaq në ditën kur presidentja po hyn në muajin e fundit të mandatit dhe që partia në pushtet nuk ia siguroi nënshkrimet për një tjetër mandat, por e propozoi Glauk Konjufcën. Deri në orën 24:00, Kuvendi ka afat për të mbajtur seancën për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse kjo tejkalohet, siç ka thënë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, Kosova do të hyjë në “terren të pashkelur”.
Vjosa Osmani dorëzon në Kuvend amendamentet për ndryshim të Kushtetutës, nis shqyrtimi i tyre
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar ndryshime kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet nga populli.
Për këtë, ajo të enjten edhe ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese.
“ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!” – tha Osmani.
Nismën e Osmanit e ka mbështetur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila konfirmoi pranimin e amendamenteve nga presidentja.
Ajo ka bërë thirrje që amendamentet të votohen nga të gjitha partitë.
“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që presidenti/presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, shkroi Haxhiu.
E anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e LVV-së, Adnan Rrustemi, ka njoftuar se janë ngarkuar menjëherë që t’i shqyrtojnë amendamentet kushtetuese të propozuara.
“Sapo u ngarkuam si Komision për Legjislacion nga kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që presidenti/presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në përkrahje të këtyre amendamenteve, me këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, shkroi Rrustemi.
Edhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka shprehur mbështetje për iniciativën e Osmanit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, çdo ndryshim i saj kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet pakicë.
Ndryshimet e kushtetutës mund të miratohen në Kuvend, vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të ketë vlerësuar që amendamentet nuk pakësojnë ndonjë të drejtë të përcaktuar në kapitullin II të Kushtetutës.
Në rast se presidentja ka përcjellë amendamentet e vitit 2011, ato tashmë janë trajtuar nga Gjykata Kushtuese, e cila ka konstatuar se neni që përcakton zgjedhjen e presidentit nga populli përbën përmirësim të të drejtës së qytetarëve.
E enjtja është dita e fundit kur duhet të zgjidhet presidenti i vendit. Vetë Osmani nuk ka marrë përkrahje për një mandat të dytë.
Cakolli: Edhe nëse miratohen, presidenti nga populli mund të zgjidhet tek më 2031
Eugen Cakolli nga IKD ka thënë se si procedura për zgjedhjen e presidentit nga populli ashtu edhe përmbajtja e amandamenteve kushtetuese të dorëzuara nga presidentja, tregojnë se ajo nuk e adreson situatën aktuale dhe krizën potenciale nga moszgjedhja e presidentit nga Kuvendi.
Ai ka sqaruar se derisa për ndryshime kushtetuese duhen 80 vota në Kuvend, ky prag është shumë i lartë dhe kërkon marrëveshje të gjerë politike ndërmjet shumicës dhe komuniteteve. E sipas tij, në rrethanat aktuale parlamentare, një shumicë e tillë është tejet e vështirë të arrihet.
Cakolli ka shpjeguar tutje se çka ndodh edhe nëse amandamentet miratohen.
“Së dyti, edhe nëse këto amendamente miratohen, vetë teksti i tyre parasheh që zgjedhjet presidenciale shpallen jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit. Ky rregull është menduar për një situatë të zakonshme institucionale, kur kalendari zgjedhor është i parashikueshëm dhe mandati presidencial po i afrohet fundit të tij. Në rrethanat aktuale kjo formulë nuk mund të zbatohet, andaj edhe nëse amendamenti do të hynte në fuqi tani, ai praktikisht do të zbatohej nga viti 2031”, ka shkruar ai në Facebook.
Cakolli ka theksuar se në rrethanat aktuale propozimi për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit nuk ofron një zgjidhje të menjëhershme për situatën aktuale institucionale. Ai ka potencuar se për të shmangur pasiguri dhe vakuum institucional, çdo ndryshim kushtetues kërkon kohë, konsensus të gjerë politik dhe një tranzicion të qartë juridik.
“Së treti, kalimi në një model të ri të zgjedhjes së Presidentit kërkon edhe miratimin e një kornize të tërë ligjore dhe nënligjore që rregullon procesin zgjedhor, administrimin e zgjedhjeve, kandidimin dhe shumë aspekte tjera. Hartimi dhe miratimi i këtyre akteve brenda një kohe kaq të shkurtër do të ishte praktikisht i pamundur. Për më tepër, vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar në vendimin e fundit – kur ishin anuluar shumë projektligje – se procedurat e “super”-përshpejtuara që shmangin standardet e rregullta ligjvënëse cenojnë sigurinë juridike”, ka përfunduar Cakolli.
Nis punën Komisioni, Gruda: Amendamentet për zgjedhjen e presidentit nga populli s’mund të shqyrtohen
Komisioni për Legjislacion, Mandate e Imunitete ka nisur diskutimet mbi amendamentet e propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit direkt nga populli.
Kryetari i këtij komisioni, Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ato nuk mund të shqyrtohen.
“Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja është dërguar në gjykatë në vitin 2011. Pra, kemi kaluar çdo afat. Unë sot mendoj se komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, ka thënë Gruda në mbledhjen e Komisionit.
Ai ka thënë se edhe Kushtetuta më nuk është e njëjtë si ajo që ka qenë atë kohë. Ai ka thënë se ndryshimi i Kushtetutës në procedura të shpejta për pak orë është në stilin e shteteve autoritare.
Gjatë diskutimit është përplasur me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Adnan Rrustemi i VV-së ka thënë se janë përmbushur elementet e kërkuara për ta proceduar në Kuvend, ndërkaq Artan Abrashi ka deklaruar se diskutimi duhet të orientohet vetëm te çështja se a duhet apo jo që presidenti të zgjidhet me votë nga populli.
Edhe Jehona Lushaku e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se ndryshimet kushtetuese duhet të marrin kohë dhe debat më të gjerë.
Çfarë pati vendosur Kushtetuesja për propozimin që presidenti të zgjidhet nga populli?
Më 2012, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati vendosur se propozimi që presidenti i shtetit të zgjidhet direkt me votë nga qytetarët përbën përmirësim të të drejtës së qytetarëve.
Vendimi i Kushtetueses atë kohë:
"Gjykata konsideron që amendamenti i propozuar i Kushtetutës i cili parasheh zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga qytetarët me të drejtë vote është përmirësim i të drejtës së qytetarëve. Për këtë arsye, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme ta vlerësojë më tej kushtetutshmërinë e amendamentit të propozuar. Prandaj, Gjykata konkludon që neni i ri i propozuar 86.1 nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liri të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës"
Atë kohë, një komision i formuar nga Kuvendi pati propozuar disa amendamentime të Kushtetutës, për t’u vlerësuar nëse pakësojnë ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuar.
Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, aty ishte propozuar që: Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.
Sa i përket neneve të tjera, aty ishte shpallur i pranueshëm propozimi që zgjedhjet presidenciale shpallen nga kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të presidentit.
Po ashtu ishte pranuar propozimi që nëse kandidati i merr 50 për qind të votave në rundin e parë, atëherë të zgjidhet president.
Gjykata i pati vlerësuar si pakësim të të drejtave dhe lirive të njeriut disa nene, por jo atë të zgjedhjes nga populli.
Këto amendamente u rikthyen në vëmendje të enjten, pasi presidentja Vjosa Osmani i procedoi në Kuvend për të mundësuar që presidenti të zgjidhet me votë nga qytetarët.
Kërkesa për ndryshime kushtetuese nga Osmani u shfaq tash kur presidentja po hyn në muajin e fundit të mandatit dhe që partia në pushtet nuk ia siguroi nënshkrimet për një tjetër mandat, por e propozoi Glauk Konjufcën.
VV-ja mbështet propozimin e Osmanit
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka shprehur mbështetjen e plotë për amendamentet kushtetuese që ka përcjell të enjten presidentja Vjosa Osmani në Kuvend për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli.
Nagavci ka bërë thirrje për deputetët në Kuvend që të votojnë këto amendamente në interes të demokracisë në vend.
“Votimi i këtyre amendamenteve do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e legjitimitetit demokratik të institucionit të Presidentit. Ftoj të gjithë deputetët e partive politike që të mbështesin dhe të votojnë këto amendamente kushtetuese në interes të qytetarëve dhe të demokracisë në vend”, ka shkruar ajo në Facebook.
Osmani ka kërkuar ndryshime kushtetuese. Ajo ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.
Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011.
Amendamentet kushtetuese për presidentin iu dërgohen komisioneve përkatëse për shqyrtim
Anëtar i Komisionit për Legjislacion nga radhët e LVV-së, Adnan Rrustemi, ka njoftuar se kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, iu ka kërkuar që të shqyrtojnë amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani.
Në bazë të këtyre amendamenteve, presidenti/presidentja, zgjidhen nga populli.
“Sapo u ngarkuam si Komision për Legjislacion nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, ka thënë Adnan Rrustemi përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.
Cakolli kërkon qartësi për përbërjen e KQZ-së në rast zgjedhjesh të reja
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka deklaruar se në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, mbetet e paqartë nëse institucionet do të arrijnë një zgjidhje apo nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja.
Në këtë situatë, sipas tij, institucionet duhet të sigurohen që të paktën përgatitja për zgjedhje të mos vihet në pikëpyetje.
Cakolli ka theksuar se kjo nënkupton, para së gjithash, qartësi për përbërjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që është e lidhur me me ciklin zgjedhor dhe duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve më 9 shkurt, ligji parasheh një procedurë deri në 42 ditë për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së, bazuar në përbërjen e re të Kuvendit. Presidentja ka pasur afat prej 30 ditësh – që përfundon më 11 mars – për t’u kërkuar partive parlamentare nominimet për anëtarët e rinj.
Pas kësaj kërkese, partitë kanë një javë kohë për të dorëzuar emrat e tyre, ndërsa emërimi i anëtarëve të rinj bëhet brenda pesë ditëve nga Presidentja.
Megjithatë, Cakolli vë në dukje se grupet parlamentare që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë ekzistojnë vetëm për aq kohë sa Kuvendi është në mandat dhe nuk janë shpallur zgjedhjet e reja. Meqë skenari i zgjedhjeve të parakohshme po duket gjithnjë e më i mundshëm, ai paralajmëron se afati ligjor për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së është tashmë jashtëzakonisht i ngushtë.
“Kjo bëhet edhe më problematike për shkak se ligji aktual nuk parasheh më vazhdim automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë, siç përcaktohej me ligjin e vjetër. Prandaj, në një moment kur zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme, nisja dhe përmbyllja e kësaj procedure brenda afateve ligjore është thelbësore për të shmangur çdo vakum institucional në administrimin e zgjedhjeve”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai shton se institucioni që organizon zgjedhjet duhet të jetë jo vetëm funksional dhe me mandat të plotë, por edhe i pakontestueshëm, në mënyrë që gjatë procesit zgjedhor të mos hapen debate për legjitimitetin e tij.
Haxhiu: I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e amendamenteve
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se i ka pranuar amendamentet kushtetuese nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Ajo ka thënë se i bashkohet thirrjes së Osmanit për votimin e këtyre amendamenteve.
“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, ka shkruar ajo në Facebook.
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.
Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011.
Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet direkt nga populli
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.
Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011.
“ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!” ka shkruar ajo në Facebook.
Çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet.
Kërkesa për ndryshime kushtetuese nga Osmani u shfaq tash kur presidentja po hyn në muajin e fundit të mandatit dhe që partia në pushtet nuk ia siguroi nënshkrimet për një tjetër mandat, por e propozoi Glauk Konjufcën.
Këshilltari i Kurtit: VV-ja nuk ia ka borxh Osmanit ta bëjë presidente
Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosa Osmanit ta bëjë sërish presidente të Kosovës, duke theksuar se ajo më herët është zgjedhur në poste të larta shtetërore me mbështetjen e kësaj partie.
Në një shkrim në Facebook të enjten, Zulfaj ka thënë se Osmani është zgjedhur si kryeparlamentare dhe më pas si presidente me votat e Vetëvendosjes.
Sipas tij, dy nga tri pozitat më të larta në shtet – kryeparlamentari dhe presidenti – janë marrë nga Osmani me mbështetjen e Vetëvendosjes, ndonëse ajo nuk është anëtare e kësaj partie dhe karrierën politike e ka nisur te Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zulfaj rikujtoi se Osmani për herë të parë u vendos si kandidate për një post më të lartë nga LDK-ja në zgjedhjet e vitit 2019, kur u paraqit si kandidate për kryeministre, por sipas tij ajo nuk i fitoi zgjedhjet dhe më pas “u anashkalua nga negociatat për formimin e qeverisë, të cilat u udhëhoqën nga Isa Mustafa dhe Agim Veliu”.
Ai shtoi se Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit në vitin 2020 si rezultat i koalicionit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, ndërsa në vitin 2021 u bë presidente pas fitores së koalicionit Lëvizja Vetëvendosje me listën Guxo.
Sipas Zulfajt, në historinë e pasluftës së Kosovës nuk ka pasur rast që një president të zgjidhet nga opozita, duke theksuar se zakonisht ky post i ka takuar koalicionit fitues të zgjedhjeve.
Ai gjithashtu argumentoi se në zgjedhjet e fundit koalicioni qeverisës ka marrë sërish mbështetje të madhe, ndërsa deputetët më të votuar kanë qenë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Ai thotë se Vetëvendosja ka fituar më shumë në zgjedhjet e dhjetorit 2025 sesa kur ishte me Osmanin bashkë në zgjedhjet e 2021-s.
“Vjosa është figurë e nderuar, ish-kryeparlamentare dhe presidente dhe e denjë për çdo pozitë, por Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosës ta bëjë presidente”, ka shkruar Zulfaj ndër të tjera.
Abdixhiku: Procesi për zgjedhjen e presidentit është komprometuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës është komprometuar, duke theksuar se nuk sheh më arsye për takime të tjera lidhur me këtë çështje.
Kjo vjen, sipas Abdixhikut, pas deklaratave nga zyra e Presidencës së Kosovës se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka ofruar Vjosa Osmanit një propozim që, në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje, përgjegjësia t’i faturohet opozitës.
“Procesi është komprometuar tani. Mbrëmë kuptova nga deklarimet e Presidencës se deri sa ne kemi qenë në biseda, ata kanë shkuar kanë kërkuar fajësime për opozitën. Në një anë je në tavolinë me dikë, në anën tjetër bën skenar të fajësimit. Ky është kompromentim i rëndë i procesit, prandaj s’shoh arsye të kemi takime të tjera për këtë çështje”, ka thënë Abdixhiku të enjten.
Ai theksoi se LDK-ja ka tentuar të japë kontributin për një zgjidhje konsensuale dhe të jetë konstruktive në këtë proces.
Sipas Abdixhikut, vendosja e një kandidati partiak e kthen procesin në garë politike dhe jo në përpjekje për konsensus, duke shtuar se presidenti duhet të jetë figurë uniteti dhe jo përfaqësues i një partie.
“Kosova nuk e ka problemin e kandidimit, por të zgjedhjes së presidentit. Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e vendit dhe jo interesat partiake”, ka thënë ai.
Abdixhiku paralajmëroi se nëse presidenti nuk zgjidhet deri sonte në mesnatë, vendi mund të hyjë në një cikël të ri zgjedhjesh, duke e cilësuar këtë si dështim të madh institucional dhe të paprecedentë në historinë e Kosovës.
Ai shtoi se nuk ka kuptim që tri pozitat kryesore shtetërore t’i takojnë një partie të vetme, duke theksuar se për shumicë të thjeshtë ekziston posti i kryeministrit, ndërsa për unitet më të gjerë duhet të jetë posti i presidentit.
Çitaku për presidentin: S'propozojmë kandidat vetëm sa për t’ia bërë kuorumin Kurtit
Çitaku ka thënë se mbesin në qëndrimin që presidenti të jetë një emër unifikues që përfaqëson të gjithë qytetarët.
“Ne nuk mund të propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe sa për t’i ofruar e siguruar kuorumin Kurtit. Kemi qenë të qartë, ne kërkojmë që presidenti i ardhshëm të jetë produkt i një procesi politik, i dialogut dhe marrëveshje, jo i imponimit. Kosova ka nevojë për institucione dhe stabilitet dhe është në dorën e Kurtit që të reflektojë”, ka thënë Çitaku pas përfundimit të seancës solemne të Kuvendit të Kosovës për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Avokati Koci vetofrohet për të qenë kundërkandidat i Konjufcës
Avokati Arianit Koci ka shprehur gatishmërinë që të jetë kundërkandidat i Glauk Konjufcës për postin e presidentit të Kosovës, duke thënë se këtë hap po e ndërmerr për të shmangur bllokadën institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Përmes një postimi në Facebook të enjten, Koci theksoi se vendi nuk duhet të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash politike.
Ai ka shkruar se, edhe pse e di që gjasat për t’u zgjedhur janë të vogla, është i gatshëm të kandidojë në mënyrë që të krijohet mundësia e dy kandidatëve për zgjedhjen e presidentit dhe të zhbllokohet procesi.
“Kosova nuk mund të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash. E di se nuk ka gjasa, por për të shmangur zgjedhje të reja dhe bllokimin e institucioneve, po ofrohem si kundërkandidat i Glauk Konjufcës”, ka shkruar Koci.
Sipas tij, edhe nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, nuk është e sigurt se rezultati politik do të ndryshojë ndjeshëm.
“Me këtë raport të forcave, nuk besoj se edhe pas zgjedhjeve të reja do të ketë ndonjë rezultat që do ta ndryshojë esencialisht gjendjen”, ka shtuar ai.
Koci bëri të ditur se për ta formalizuar kandidimin për president nevojiten 30 nënshkrime të deputetëve dhe u bëri thirrje atyre, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, që t’ia japin nënshkrimet për të plotësuar kushtin e dy kandidatëve në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ai theksoi se këtë hap po e ndërmerr me vetëdije të plotë, edhe pse mund të ketë pasoja personale për të.
“Askënd nuk e kam kontaktuar për t’ia kërkuar votën. As nuk e thërras. Këtë hap po e bëj si një qytetar që nuk dëshiron ta shohë vendin e tij keq”, ka shkruar Koci në fund.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu gjatë një konference ditën e djeshme ka thënë se nuk mund ta thirr seancën për zgjedhjen e presidentit pa qenë edhe dy kandidatë. Deri tash, zyrtarisht i propozuar është vetëm Konjufca.
Kurti: Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet për të zgjedhur presidentin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot pasdite do t’i vazhdojnë përpjekjet për të zgjedhur presidentin.
Ai duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit pas mbledhjes solemne të Qeverisë për nder të Epopesë së UÇK-së ka thënë se urojnë e shpresojnë që të ketë edhe një kandidatë të dytë në garën për president.
“Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet për ta zgjedhur presidentin. Urojmë e besojmë e shpresojmë edhe për një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, ka thënë ai.
Sot është dita e fundit për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Të mërkurën u raportua për mbajtjen e një seance, por që ajo nuk u thirr në mungesë të plotësimit të kushtit që të jenë dy kandidatë në garë për kryetar të shtetit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një paraqitje publike mbrëmjen e së mërkurës ka thënë se zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca është i vetmi kandidat i propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të grupit multietnik
Por që sipas saj seanca nuk mund të mbahet me vetëm një kandidat.
Konjufca: Nëse opozita nuk propozon kandidat për president, po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve
Kandidati për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nëse partitë opozitare nuk propozojnë asnjë emër për postin e presidentit, kjo do të nënkuptonte se ato po e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Konjufca ka thënë se propozimi për kandidaturën e tij ka ardhur nga Vetëvendosje dhe se tani është radha e opozitës të tregojë se cilin kandidat do ta mbështeste nëse nuk e voton atë.
Ai theksoi se gjatë ditëve të fundit nuk është përmendur asnjë emër nga partitë opozitare, duke shtuar se është i interesuar të dijë se kush do të ishte kandidati që ato do ta votonin.
“Nëse ata propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë do ta votoja. Por askush nuk po propozon. Jam shumë kureshtar të di kush është ai që do ta votonin nëse nuk jam unë”, ka thënë Konjufca të enjten.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të mbështesë edhe një kandidat tjetër për të shmangur zgjedhjet e reja, nëse opozita propozon një emër të pranueshëm. Madje u shpreh se do ta votonte edhe presidenten aktuale Vjosa Osmani. Megjithëse Konjufca si ministër i Punëve të Jashtme nuk ka të drejtë vote për president. Presidenti zgjidhet vetëm nga votat e deputetëve.
“Ne ia kemi lënë opozitës ta propozojë një kandidat, ne një dhe pastaj të votojmë. Le ta propozojnë këdo, edhe Vjosa Osmanin, edhe unë do ta votoja. Nëse opozita nuk e thotë asnjë emër, qoftë edhe neutral, ky është përcaktim i qartë për të shkuar në zgjedhje nga opozita, jo nga ne”, deklaroi ai.
Konjufca i pyetur pse ndërroi mendje pasi më herët kishte thënë se nuk do të ishte kandidat për president, u shpreh me humor: “Po Vetëvendosje tokë të bënë”.