Ka dështuar zgjedhja e presidentit të enjten, që ishte dita e fundit sipas afateve kushtetuese.
Seanca për zgjedhjen e presidentit u mbajt të enjten mbrëma, ku Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidatë: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun.
Por, në mungesë kuorumi, ku prezent ishin vetëm 66 deputetë, seanca u ndërpre.
Për fillim të votimit për president duhej së paku 80 deputetë të ishin në sallë.
Cakolli: Edhe nëse miratohen, presidenti nga populli mund të zgjidhet tek më 2031
Eugen Cakolli nga IKD ka thënë se si procedura për zgjedhjen e presidentit nga populli ashtu edhe përmbajtja e amandamenteve kushtetuese të dorëzuara nga presidentja, tregojnë se ajo nuk e adreson situatën aktuale dhe krizën potenciale nga moszgjedhja e presidentit nga Kuvendi.
Ai ka sqaruar se derisa për ndryshime kushtetuese duhen 80 vota në Kuvend, ky prag është shumë i lartë dhe kërkon marrëveshje të gjerë politike ndërmjet shumicës dhe komuniteteve. E sipas tij, në rrethanat aktuale parlamentare, një shumicë e tillë është tejet e vështirë të arrihet.
Cakolli ka shpjeguar tutje se çka ndodh edhe nëse amandamentet miratohen.
“Së dyti, edhe nëse këto amendamente miratohen, vetë teksti i tyre parasheh që zgjedhjet presidenciale shpallen jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit. Ky rregull është menduar për një situatë të zakonshme institucionale, kur kalendari zgjedhor është i parashikueshëm dhe mandati presidencial po i afrohet fundit të tij. Në rrethanat aktuale kjo formulë nuk mund të zbatohet, andaj edhe nëse amendamenti do të hynte në fuqi tani, ai praktikisht do të zbatohej nga viti 2031”, ka shkruar ai në Facebook.
Cakolli ka theksuar se në rrethanat aktuale propozimi për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit nuk ofron një zgjidhje të menjëhershme për situatën aktuale institucionale. Ai ka potencuar se për të shmangur pasiguri dhe vakuum institucional, çdo ndryshim kushtetues kërkon kohë, konsensus të gjerë politik dhe një tranzicion të qartë juridik.
“Së treti, kalimi në një model të ri të zgjedhjes së Presidentit kërkon edhe miratimin e një kornize të tërë ligjore dhe nënligjore që rregullon procesin zgjedhor, administrimin e zgjedhjeve, kandidimin dhe shumë aspekte tjera. Hartimi dhe miratimi i këtyre akteve brenda një kohe kaq të shkurtër do të ishte praktikisht i pamundur. Për më tepër, vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar në vendimin e fundit – kur ishin anuluar shumë projektligje – se procedurat e “super”-përshpejtuara që shmangin standardet e rregullta ligjvënëse cenojnë sigurinë juridike”, ka përfunduar Cakolli.
Nis punën Komisioni, Gruda: Amendamentet për zgjedhjen e presidentit nga populli s’mund të shqyrtohen
Komisioni për Legjislacion, Mandate e Imunitete ka nisur diskutimet mbi amendamentet e propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit direkt nga populli.
Kryetari i këtij komisioni, Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ato nuk mund të shqyrtohen.
“Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja është dërguar në gjykatë në vitin 2011. Pra, kemi kaluar çdo afat. Unë sot mendoj se komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, ka thënë Gruda në mbledhjen e Komisionit.
Ai ka thënë se edhe Kushtetuta më nuk është e njëjtë si ajo që ka qenë atë kohë. Ai ka thënë se ndryshimi i Kushtetutës në procedura të shpejta për pak orë është në stilin e shteteve autoritare.
Gjatë diskutimit është përplasur me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Adnan Rrustemi i VV-së ka thënë se janë përmbushur elementet e kërkuara për ta proceduar në Kuvend, ndërkaq Artan Abrashi ka deklaruar se diskutimi duhet të orientohet vetëm te çështja se a duhet apo jo që presidenti të zgjidhet me votë nga populli.
Edhe Jehona Lushaku e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se ndryshimet kushtetuese duhet të marrin kohë dhe debat më të gjerë.
Çfarë pati vendosur Kushtetuesja për propozimin që presidenti të zgjidhet nga populli?
Më 2012, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati vendosur se propozimi që presidenti i shtetit të zgjidhet direkt me votë nga qytetarët përbën përmirësim të të drejtës së qytetarëve.
Vendimi i Kushtetueses atë kohë:
"Gjykata konsideron që amendamenti i propozuar i Kushtetutës i cili parasheh zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga qytetarët me të drejtë vote është përmirësim i të drejtës së qytetarëve. Për këtë arsye, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme ta vlerësojë më tej kushtetutshmërinë e amendamentit të propozuar. Prandaj, Gjykata konkludon që neni i ri i propozuar 86.1 nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liri të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës"
Atë kohë, një komision i formuar nga Kuvendi pati propozuar disa amendamentime të Kushtetutës, për t’u vlerësuar nëse pakësojnë ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuar.
Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, aty ishte propozuar që: Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.
Sa i përket neneve të tjera, aty ishte shpallur i pranueshëm propozimi që zgjedhjet presidenciale shpallen nga kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të presidentit.
Po ashtu ishte pranuar propozimi që nëse kandidati i merr 50 për qind të votave në rundin e parë, atëherë të zgjidhet president.
Gjykata i pati vlerësuar si pakësim të të drejtave dhe lirive të njeriut disa nene, por jo atë të zgjedhjes nga populli.
Këto amendamente u rikthyen në vëmendje të enjten, pasi presidentja Vjosa Osmani i procedoi në Kuvend për të mundësuar që presidenti të zgjidhet me votë nga qytetarët.
Kërkesa për ndryshime kushtetuese nga Osmani u shfaq tash kur presidentja po hyn në muajin e fundit të mandatit dhe që partia në pushtet nuk ia siguroi nënshkrimet për një tjetër mandat, por e propozoi Glauk Konjufcën.
VV-ja mbështet propozimin e Osmanit
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka shprehur mbështetjen e plotë për amendamentet kushtetuese që ka përcjell të enjten presidentja Vjosa Osmani në Kuvend për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli.
Nagavci ka bërë thirrje për deputetët në Kuvend që të votojnë këto amendamente në interes të demokracisë në vend.
“Votimi i këtyre amendamenteve do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e legjitimitetit demokratik të institucionit të Presidentit. Ftoj të gjithë deputetët e partive politike që të mbështesin dhe të votojnë këto amendamente kushtetuese në interes të qytetarëve dhe të demokracisë në vend”, ka shkruar ajo në Facebook.
Osmani ka kërkuar ndryshime kushtetuese. Ajo ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.
Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011.
Amendamentet kushtetuese për presidentin iu dërgohen komisioneve përkatëse për shqyrtim
Anëtar i Komisionit për Legjislacion nga radhët e LVV-së, Adnan Rrustemi, ka njoftuar se kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, iu ka kërkuar që të shqyrtojnë amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani.
Në bazë të këtyre amendamenteve, presidenti/presidentja, zgjidhen nga populli.
“Sapo u ngarkuam si Komision për Legjislacion nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, ka thënë Adnan Rrustemi përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.
Cakolli kërkon qartësi për përbërjen e KQZ-së në rast zgjedhjesh të reja
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka deklaruar se në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, mbetet e paqartë nëse institucionet do të arrijnë një zgjidhje apo nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja.
Në këtë situatë, sipas tij, institucionet duhet të sigurohen që të paktën përgatitja për zgjedhje të mos vihet në pikëpyetje.
Cakolli ka theksuar se kjo nënkupton, para së gjithash, qartësi për përbërjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që është e lidhur me me ciklin zgjedhor dhe duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve më 9 shkurt, ligji parasheh një procedurë deri në 42 ditë për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së, bazuar në përbërjen e re të Kuvendit. Presidentja ka pasur afat prej 30 ditësh – që përfundon më 11 mars – për t’u kërkuar partive parlamentare nominimet për anëtarët e rinj.
Pas kësaj kërkese, partitë kanë një javë kohë për të dorëzuar emrat e tyre, ndërsa emërimi i anëtarëve të rinj bëhet brenda pesë ditëve nga Presidentja.
Megjithatë, Cakolli vë në dukje se grupet parlamentare që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë ekzistojnë vetëm për aq kohë sa Kuvendi është në mandat dhe nuk janë shpallur zgjedhjet e reja. Meqë skenari i zgjedhjeve të parakohshme po duket gjithnjë e më i mundshëm, ai paralajmëron se afati ligjor për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së është tashmë jashtëzakonisht i ngushtë.
“Kjo bëhet edhe më problematike për shkak se ligji aktual nuk parasheh më vazhdim automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë, siç përcaktohej me ligjin e vjetër. Prandaj, në një moment kur zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme, nisja dhe përmbyllja e kësaj procedure brenda afateve ligjore është thelbësore për të shmangur çdo vakum institucional në administrimin e zgjedhjeve”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai shton se institucioni që organizon zgjedhjet duhet të jetë jo vetëm funksional dhe me mandat të plotë, por edhe i pakontestueshëm, në mënyrë që gjatë procesit zgjedhor të mos hapen debate për legjitimitetin e tij.
Haxhiu: I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e amendamenteve
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se i ka pranuar amendamentet kushtetuese nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Ajo ka thënë se i bashkohet thirrjes së Osmanit për votimin e këtyre amendamenteve.
“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, ka shkruar ajo në Facebook.
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.
Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011.
Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet direkt nga populli
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.
Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011.
“ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!” ka shkruar ajo në Facebook.
Çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet.
Kërkesa për ndryshime kushtetuese nga Osmani u shfaq tash kur presidentja po hyn në muajin e fundit të mandatit dhe që partia në pushtet nuk ia siguroi nënshkrimet për një tjetër mandat, por e propozoi Glauk Konjufcën.
Këshilltari i Kurtit: VV-ja nuk ia ka borxh Osmanit ta bëjë presidente
Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosa Osmanit ta bëjë sërish presidente të Kosovës, duke theksuar se ajo më herët është zgjedhur në poste të larta shtetërore me mbështetjen e kësaj partie.
Në një shkrim në Facebook të enjten, Zulfaj ka thënë se Osmani është zgjedhur si kryeparlamentare dhe më pas si presidente me votat e Vetëvendosjes.
Sipas tij, dy nga tri pozitat më të larta në shtet – kryeparlamentari dhe presidenti – janë marrë nga Osmani me mbështetjen e Vetëvendosjes, ndonëse ajo nuk është anëtare e kësaj partie dhe karrierën politike e ka nisur te Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zulfaj rikujtoi se Osmani për herë të parë u vendos si kandidate për një post më të lartë nga LDK-ja në zgjedhjet e vitit 2019, kur u paraqit si kandidate për kryeministre, por sipas tij ajo nuk i fitoi zgjedhjet dhe më pas “u anashkalua nga negociatat për formimin e qeverisë, të cilat u udhëhoqën nga Isa Mustafa dhe Agim Veliu”.
Ai shtoi se Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit në vitin 2020 si rezultat i koalicionit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, ndërsa në vitin 2021 u bë presidente pas fitores së koalicionit Lëvizja Vetëvendosje me listën Guxo.
Sipas Zulfajt, në historinë e pasluftës së Kosovës nuk ka pasur rast që një president të zgjidhet nga opozita, duke theksuar se zakonisht ky post i ka takuar koalicionit fitues të zgjedhjeve.
Ai gjithashtu argumentoi se në zgjedhjet e fundit koalicioni qeverisës ka marrë sërish mbështetje të madhe, ndërsa deputetët më të votuar kanë qenë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Ai thotë se Vetëvendosja ka fituar më shumë në zgjedhjet e dhjetorit 2025 sesa kur ishte me Osmanin bashkë në zgjedhjet e 2021-s.
“Vjosa është figurë e nderuar, ish-kryeparlamentare dhe presidente dhe e denjë për çdo pozitë, por Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosës ta bëjë presidente”, ka shkruar Zulfaj ndër të tjera.
Abdixhiku: Procesi për zgjedhjen e presidentit është komprometuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës është komprometuar, duke theksuar se nuk sheh më arsye për takime të tjera lidhur me këtë çështje.
Kjo vjen, sipas Abdixhikut, pas deklaratave nga zyra e Presidencës së Kosovës se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka ofruar Vjosa Osmanit një propozim që, në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje, përgjegjësia t’i faturohet opozitës.
“Procesi është komprometuar tani. Mbrëmë kuptova nga deklarimet e Presidencës se deri sa ne kemi qenë në biseda, ata kanë shkuar kanë kërkuar fajësime për opozitën. Në një anë je në tavolinë me dikë, në anën tjetër bën skenar të fajësimit. Ky është kompromentim i rëndë i procesit, prandaj s’shoh arsye të kemi takime të tjera për këtë çështje”, ka thënë Abdixhiku të enjten.
Ai theksoi se LDK-ja ka tentuar të japë kontributin për një zgjidhje konsensuale dhe të jetë konstruktive në këtë proces.
Sipas Abdixhikut, vendosja e një kandidati partiak e kthen procesin në garë politike dhe jo në përpjekje për konsensus, duke shtuar se presidenti duhet të jetë figurë uniteti dhe jo përfaqësues i një partie.
“Kosova nuk e ka problemin e kandidimit, por të zgjedhjes së presidentit. Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e vendit dhe jo interesat partiake”, ka thënë ai.
Abdixhiku paralajmëroi se nëse presidenti nuk zgjidhet deri sonte në mesnatë, vendi mund të hyjë në një cikël të ri zgjedhjesh, duke e cilësuar këtë si dështim të madh institucional dhe të paprecedentë në historinë e Kosovës.
Ai shtoi se nuk ka kuptim që tri pozitat kryesore shtetërore t’i takojnë një partie të vetme, duke theksuar se për shumicë të thjeshtë ekziston posti i kryeministrit, ndërsa për unitet më të gjerë duhet të jetë posti i presidentit.
Çitaku për presidentin: S'propozojmë kandidat vetëm sa për t’ia bërë kuorumin Kurtit
Çitaku ka thënë se mbesin në qëndrimin që presidenti të jetë një emër unifikues që përfaqëson të gjithë qytetarët.
“Ne nuk mund të propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe sa për t’i ofruar e siguruar kuorumin Kurtit. Kemi qenë të qartë, ne kërkojmë që presidenti i ardhshëm të jetë produkt i një procesi politik, i dialogut dhe marrëveshje, jo i imponimit. Kosova ka nevojë për institucione dhe stabilitet dhe është në dorën e Kurtit që të reflektojë”, ka thënë Çitaku pas përfundimit të seancës solemne të Kuvendit të Kosovës për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Avokati Koci vetofrohet për të qenë kundërkandidat i Konjufcës
Avokati Arianit Koci ka shprehur gatishmërinë që të jetë kundërkandidat i Glauk Konjufcës për postin e presidentit të Kosovës, duke thënë se këtë hap po e ndërmerr për të shmangur bllokadën institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Përmes një postimi në Facebook të enjten, Koci theksoi se vendi nuk duhet të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash politike.
Ai ka shkruar se, edhe pse e di që gjasat për t’u zgjedhur janë të vogla, është i gatshëm të kandidojë në mënyrë që të krijohet mundësia e dy kandidatëve për zgjedhjen e presidentit dhe të zhbllokohet procesi.
“Kosova nuk mund të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash. E di se nuk ka gjasa, por për të shmangur zgjedhje të reja dhe bllokimin e institucioneve, po ofrohem si kundërkandidat i Glauk Konjufcës”, ka shkruar Koci.
Sipas tij, edhe nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, nuk është e sigurt se rezultati politik do të ndryshojë ndjeshëm.
“Me këtë raport të forcave, nuk besoj se edhe pas zgjedhjeve të reja do të ketë ndonjë rezultat që do ta ndryshojë esencialisht gjendjen”, ka shtuar ai.
Koci bëri të ditur se për ta formalizuar kandidimin për president nevojiten 30 nënshkrime të deputetëve dhe u bëri thirrje atyre, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, që t’ia japin nënshkrimet për të plotësuar kushtin e dy kandidatëve në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ai theksoi se këtë hap po e ndërmerr me vetëdije të plotë, edhe pse mund të ketë pasoja personale për të.
“Askënd nuk e kam kontaktuar për t’ia kërkuar votën. As nuk e thërras. Këtë hap po e bëj si një qytetar që nuk dëshiron ta shohë vendin e tij keq”, ka shkruar Koci në fund.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu gjatë një konference ditën e djeshme ka thënë se nuk mund ta thirr seancën për zgjedhjen e presidentit pa qenë edhe dy kandidatë. Deri tash, zyrtarisht i propozuar është vetëm Konjufca.
Kurti: Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet për të zgjedhur presidentin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot pasdite do t’i vazhdojnë përpjekjet për të zgjedhur presidentin.
Ai duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit pas mbledhjes solemne të Qeverisë për nder të Epopesë së UÇK-së ka thënë se urojnë e shpresojnë që të ketë edhe një kandidatë të dytë në garën për president.
“Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet për ta zgjedhur presidentin. Urojmë e besojmë e shpresojmë edhe për një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, ka thënë ai.
Sot është dita e fundit për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Të mërkurën u raportua për mbajtjen e një seance, por që ajo nuk u thirr në mungesë të plotësimit të kushtit që të jenë dy kandidatë në garë për kryetar të shtetit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një paraqitje publike mbrëmjen e së mërkurës ka thënë se zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca është i vetmi kandidat i propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të grupit multietnik
Por që sipas saj seanca nuk mund të mbahet me vetëm një kandidat.
Konjufca: Nëse opozita nuk propozon kandidat për president, po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve
Kandidati për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nëse partitë opozitare nuk propozojnë asnjë emër për postin e presidentit, kjo do të nënkuptonte se ato po e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Konjufca ka thënë se propozimi për kandidaturën e tij ka ardhur nga Vetëvendosje dhe se tani është radha e opozitës të tregojë se cilin kandidat do ta mbështeste nëse nuk e voton atë.
Ai theksoi se gjatë ditëve të fundit nuk është përmendur asnjë emër nga partitë opozitare, duke shtuar se është i interesuar të dijë se kush do të ishte kandidati që ato do ta votonin.
“Nëse ata propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë do ta votoja. Por askush nuk po propozon. Jam shumë kureshtar të di kush është ai që do ta votonin nëse nuk jam unë”, ka thënë Konjufca të enjten.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të mbështesë edhe një kandidat tjetër për të shmangur zgjedhjet e reja, nëse opozita propozon një emër të pranueshëm. Madje u shpreh se do ta votonte edhe presidenten aktuale Vjosa Osmani. Megjithëse Konjufca si ministër i Punëve të Jashtme nuk ka të drejtë vote për president. Presidenti zgjidhet vetëm nga votat e deputetëve.
“Ne ia kemi lënë opozitës ta propozojë një kandidat, ne një dhe pastaj të votojmë. Le ta propozojnë këdo, edhe Vjosa Osmanin, edhe unë do ta votoja. Nëse opozita nuk e thotë asnjë emër, qoftë edhe neutral, ky është përcaktim i qartë për të shkuar në zgjedhje nga opozita, jo nga ne”, deklaroi ai.
Konjufca i pyetur pse ndërroi mendje pasi më herët kishte thënë se nuk do të ishte kandidat për president, u shpreh me humor: “Po Vetëvendosje tokë të bënë”.