Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, e ka quajtur të papranueshme thirrjen kërcënuese ndaj Ramush Haradinajt, pak pasi deputeti i Aleancës Burim Ramadani e akuzoi Rrustemin për lidhje me personin që e kërcënoi Haradinajn.
Rrustemi ka thënë se aludimet për lidhje familjare me të dyshuarin janë “krejtësisht të pabazuara”, duke shtuar se e ka njohur vetëm si emër, si ish-ushtar që ka jetuar mbi 25 vjet në Obiliq.
“Së pari, gjuha e personit në fjalë ndaj Ramush Haradinajt është gjuhë e papranueshme e kësisoj e dënueshme. Ajo gjuhë nuk mund të justifikohet pavarësisht nga kush vjen. Sfera publike ka nevojë më shumë se kurrë për racionalitet. Dallimet në bindje politike nuk mund të rrëshqasin në gjuhë kërcënuese e fyese si kjo ndaj Ramush Haradinajt e ndaj askujt tjetër”, ka shkruar Rrustemi.
Rrustemi ka paralajmëruar edhe padi ndaj Ramadanit nëse nuk e tërheq pretendimin për lidhje familjare mes tij dhe të dyshuarit.
“Pres që ta tërheqin menjëherë shpifjen deputeti Burim Ramadani dhe mediat e caktuara, përndryshe për këtë rast do të ushtroj menjëherë padi”.
Ramadani pati shkruar se Adnan Rrustemi është familjar i të dyshuarit S.Ll. e se Rrustemi nuk ishte distancuar apo s’e kishte dënuar thirrjen për vrasje që i dyshuari ia bëri Haradinajt. Reagimi i Rrustemit erdhi pak minuta pas postimit të Ramadanit.
Arrestohet personi që bëri thirrje për pushkatim të Haradinajt
(Tekst i përditësuar - 21:05) - Është arrestuar personi i cili nga Kuvendi i Kosovës gjatë...-
OVL-UÇK dënon gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet ndaj Haradinajt
-
Rrustemi: PDK-ja po e pengon çdo afrim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes
-
Përplasje në Komisionin hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt
-
Aleanca çon në Polici thirrjet për vrasjen e Haradinajve nga disa profile në Facebook
-
Haradinaj: Mbiemri ynë po ndërlidhet me vrasjen e Zekajt sepse s’iu nënshtruam regjimit të Kurtit