(Tekst i përditësuar - 21:05) - Është arrestuar personi i cili nga Kuvendi i Kosovës gjatë të mërkurës ka bërë thirrje për pushkatim të deputetit, Ramush Haradinaj. E më pas, Prokuroria Speciale ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” si dhe “Kanosja”.
Gjatë të mërkurës, në kuadër të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, një person ka bërë thirrje për pushkatim të Haradinajt, duke deklaruar: “Nëse duhet me u dënu Milan Radojiçiqi me 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet me 40 vjet, 50, 100 vjet. Duhet me u pushkatu”.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetarit i Aleancës, Ardian Gjini, i cili ka thënë se deklarata është manifestim i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare, para së cilës, sipas tij, arkitektët e saj sot heshtën në sallë.
Kërkohet ndërhyrja e Prokurorisë pas deklaratës së një personi për pushkatim të Haradinajt
Aleanca ka shprehur shqetësimin lidhur me deklaratën e një personi në Kuvendin e Kosovës, i cili bëri thirrje për pushkatim të ish-liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj.
Gjatë ditës së tretë të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, ku pati tensione edhe në mes të deputetëve të PDK-së, Aleancës dhe Vetëvendosjes, një nga personat e pranishëm tha: “Nëse duhet me u dënu Milan Radojiçiqi me 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet me 40 vjet, 50, 100 vjet. Duhet me u pushkatu”.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, derisa e ka cilësuar si monstruoze deklaratën, ka thënë se ajo është manifestim i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare, para së cilës, sipas tij, arkitektët e saj sot heshtën në sallë.
Tutje ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga Prokuroria.
"Thirrjet vëllavrasëse në shtëpinë e ligjit nuk janë të rastësishme; ato janë produkti i saktë i një platforme mbi dhjetëvjeçare propaganduese. Ky instrumentalizim i rrezikshëm nuk përfaqëson mërgatën tonë patriotike, por rezultatin e një inxhinierie të mbrapshtë politike, ku prokuroria e shtetit duhet të ndërhyjë urgjentisht. Ramush Haradinajn mund ta shihni vetëm nga larg, sepse atë e mbron historia, populli dhe ai vetveten, duke qenë më i zoti se cilido prej jush. Njerëzit e këtillë dhe nxitësit e tyre do të përfundojnë shumë shpejt në plehun e harresës”, ka shkruar ai në Facebook.
Përmes një reagimi për media, zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, e ka cilësuar veprimin si një akt të pastër kriminal.
Sipas tij, kjo nuk është liri e shprehjes, por fashizëm i hapur që kërkon reagim të menjëhershëm.
“Beogradi tentoi ta dënojë dhe ta thyejë Haradinajn në Tribunalin e Hagës me dosje të trilluara. Por, ai doli dy herë i pafajshëm, duke mbrojtur përfundimisht pastërtinë e luftës së UÇK-së. Sot, kjo mendësi antikombëtare guxon ta krahasojë një komandant çlirimtar me terroristin Milan Radojçiq. Kuvendi i Kosovës nuk është arenë për të mbjellë urrejtje dhe agjenda të Beogradit. Prokuroria duhet të veprojë urgjentisht!”, thuhet në reagim.
Edhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka kërkuar ndërhyrje të Prokurorisë, duke shtuar se nuk ka nevojë as të frikësohet e as të fshihet.
"Në Kuvendin e Kosovës para kamerave një qytetar bën thirrje m’u pushkatu Ramush Haradinaj, e një tjetër i mban leksione ‘patriotike’ deputetes Sala Jashari, mbesës së dëshmores së kombit Sala Jashari dhe vajzës dhe mbesës së dy gjeneralëve të luftës së UÇK që kanë luftu dhe vdekë për çlirimin e Kosovës. Prokuroria s’ka nevojë as m’u tut e as m’u fsheh, por duhet me zbatu ligjin. Kur dikush para kamere thërret me pushkatu dikë, nesër del edhe e bën”, ka shkruar ai në Facebook.
Pas tensioneve dhe përplasjeve mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës, situata është tensionuar edhe mes qytetarëve që ndodheshin brenda sallës gjatë aktivitetit për mërgimtarët.
Gjatë aktivitetit, njëri prej pjesëmarrësve ka shfaqur një pankartë me mbishkrimin “Kurti n’burg”.
Pankarta ka nxitur reagime nga pjesëmarrësit e tjerë, duke shkaktuar përplasje verbale mes tyre.
Deputeti i VV-së thotë se s’ka lidhje familjare me personin që kërcënoi Haradinajn, paralajmëron padi
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, e ka quajtur të papranueshme thirrjen kërcënuese ndaj Ramush Haradinajt, pak pasi deputeti i Aleancës Burim Ramadani e akuzoi Rrustemin për lidhje me personin që e kërcënoi Haradinajn.
Rrustemi ka thënë se aludimet për lidhje familjare me të dyshuarin janë “krejtësisht të pabazuara”, duke shtuar se e ka njohur vetëm si emër, si ish-ushtar që ka jetuar mbi 25 vjet në Obiliq.
“Së pari, gjuha e personit në fjalë ndaj Ramush Haradinajt është gjuhë e papranueshme e kësisoj e dënueshme. Ajo gjuhë nuk mund të justifikohet pavarësisht nga kush vjen. Sfera publike ka nevojë më shumë se kurrë për racionalitet. Dallimet në bindje politike nuk mund të rrëshqasin në gjuhë kërcënuese e fyese si kjo ndaj Ramush Haradinajt e ndaj askujt tjetër”, ka shkruar Rrustemi.
Rrustemi ka paralajmëruar edhe padi ndaj Ramadanit nëse nuk e tërheq pretendimin për lidhje familjare mes tij dhe të dyshuarit.
“Pres që ta tërheqin menjëherë shpifjen deputeti Burim Ramadani dhe mediat e caktuara, përndryshe për këtë rast do të ushtroj menjëherë padi”.
Ramadani pati shkruar se Adnan Rrustemi është familjar i të dyshuarit S.Ll. e se Rrustemi nuk ishte distancuar apo s’e kishte dënuar thirrjen për vrasje që i dyshuari ia bëri Haradinajt. Reagimi i Rrustemit erdhi pak minuta pas postimit të Ramadanit.
OVL-UÇK dënon gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet ndaj Haradinajt
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj ish-kreut të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në reagim OVL-UÇK ka thënë se gjuha e tillë godet sigurinë publike e rendin kushtetues. OVL-UÇK ka përgëzuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë për identifikim dhe arrestimin e të dyshuarit.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon pa rezervë gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj Ramush Haradinajt, Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit. Thirrjet publike për dhunë janë akte kriminale. Ato godasin sigurinë publike, rendin kushtetues dhe vetë vlerat mbi të cilat u ngritën liria dhe shtetësia e Kosovës. Përgëzojmë Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e shpejtë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Ky veprim tani kërkon një proces ligjor po aq të rreptë, pa asnjë hapësirë për kompromis. Çdo kërcënim i tillë duhet të përballet me gjithë forcën e ligjit. Ngurrimi në këtë rast do të krijonte një precedent të rrezikshëm, duke trimëruar ata që duan të minojnë stabilitetin e Kosovës. Ky shtet ngrihet mbi sakrificën e atyre që e fituan lirinë, dhe kërcënimet ndaj tyre nuk do të tolerohen. Drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri, t’i vërë shkelësit para përgjegjësisë dhe të shqiptojë dënimin që kërkon ligji”, ka njoftuar OVL-UÇK.
Arrestohet personi që bëri thirrje për pushkatim të Haradinajt
Është arrestuar personi i cili nga Kuvendi i Kosovës gjatë të mërkurës ka bërë thirrje për pushkatim të deputetit, Ramush Haradinaj.
Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
“Po personi i dyshuar është arrestuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë. Ndaj tij do të merren veprimet procedurale në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigje.
Prokuroria Speciale më vonë ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” si dhe “Kanosja”.
Gjatë të mërkurës, në kuadër të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, një person ka bërë thirrje për pushkatim të Haradinajt, duke deklaruar: “Nëse duhet me u dënu Milan Radojiçiqi me 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet me 40 vjet, 50, 100 vjet. Duhet me u pushkatu”.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetarit i Aleancës, Ardian Gjini, i cili ka thënë se deklarata është manifestim i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare, para së cilës, sipas tij, arkitektët e saj sot heshtën në sallë.
Aktivizohet Prokuroria, nis hetimin lidhur me thirrjet për pushkatim të Haradinajt
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me personin i cili sot në Kuvendin e Kosovës ka bërë thirrje për pushkatim të deputetit të Aleancës, Ramush Haradinaj.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se është autorizuar Njësia e Hetimeve të Përgjithshme për identifikimin e të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve urgjente lidhur me rastin.
“Ndërkohë, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti. Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të bashkëpunoj ngushtë me Policinë e Kosovës, me qëllim të identifikimit të personit përgjegjës, zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtejme, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.
Gjatë të mërkurës, në kuadër të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, një person ka bërë thirrje për pushkatim të Haradinajt, duke deklaruar: “Nëse duhet me u dënu Milan Radojiçiqi me 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet me 40 vjet, 50, 100 vjet. Duhet me u pushkatu”.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetarit i Aleancës, Ardian Gjini, i cili ka thënë se deklarata është manifestim i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare, para së cilës, sipas tij, arkitektët e saj sot heshtën në sallë.