Të paktën shtatë grupe të fëmijëve nëpër institucione parashkollore janë mbyllur si pasojë e paraqitjes së rasteve pozitive me koronavirus tek edukatoret apo fëmijët. Komuna e Prishtinës ka njoftuar për gjashtë grupe në çerdhet publike, e Ministria e Arsimit ka njoftuar vetëm një grup. Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë tha se nuk ka asnjë rast të mbylljes. E KOHA e ka konfirmuar edhe rastin e shtatë të mbylljes në një kopsht publiko-privat. Ndërkohë, nuk janë ofruar të dhëna për situatën në çerdhet private.
Raste të reja infektimesh me koronavirus janë shfaqur në çerdhe qysh prej javës së kaluar. Sipas Komunës së Prishtinës, qytet ky me numrin më të madh të të infektuarve, janë mbyllur gjashtë grupe në tri institucione parashkollore duke i çuar fëmijët e edukatoret në izolim.
“Në 8 kopshtet (IP) publike, janë 6 grupe të mbyllura. Në IP “Yllkat” 3 grupe, në IP ‘Dielli’ 2 grupe dhe në IP ‘Buzëqeshja’ 1 grup. Nga informatat e marra nga 8 kopshtet (IP) publike, për momentin janë të infektuar 3 edukatore dhe 4 fëmijë. Institucionet parashkollore dhe të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës janë në kontakt të vazhdueshëm me DKA-në, MSh-në/ IKShPK-në, dhe vazhdimisht respektojnë masat dhe rekomandimet e tyre për mbrojtje nga Covid -19”, ka njoftuar Liridona Preniqi, zyrtare e lartë e arsimit të mesëm të ulët në Komunën e Prishtinës.
Pavarësisht se komuna ka deklaruar se është në komunikim me Ministrinë e Shëndetësisë, të enjten kjo ministri nuk ofroi të dhëna e ministri Vitia tha se nuk ka informata për mbylljen e ndonjë grupi tek institucionet parashkollore.
Edhe Ministria e Arsimit nuk ka të dhëna të plota. Në një përgjigje për KOHËN, të premten, zëdhënësja e kësaj ministrie tha se është vetëm një i infektuar dhe vetëm një grup i mbyllur në çerdhet publike të Komunës së Prishtinës.
“Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit aktualisht figuron 1 rast i raportuar me Covid-19 në një çerdhe publike në kryeqytet. Me rekomandim të IKSHPK-së, fëmija i infektuar bashkë me grupin e tij, si dhe edukatorët e grupit nuk do të vijojnë në çerdhe për 14 ditë derisa pjesa tjetër do të vazhdojnë normalisht”, ka deklaruar Edona Kutleshi-Maliqaj nga MASHTI.
Ndërkohë, KOHA e ka konfirmuar edhe mbylljen e grupit të shtatë në Kopshtin Botanika, pasi që javën e kaluar dy edukatore kanë rezultuar pozitive me koronavirus.