Mbi 35 mijë është numri i rasteve aktive të të infektuarve me koronavirus në të gjithë vendin.
Gjatë 48 orëve të fundit, vetëm në Prishtinë janë regjistruar mbi 500 raste të reja.
Për arsye se në mesin e të infektuarve po ka shumë fëmijë, shkollat fillore “Ismail Qemali” dhe “Faik Konica” kanë kaluar në skenarin C që në fillim të rritjes së rasteve.
Ndërsa 10 ditë më parë, me mësim online ka kaluar edhe shkolla “Dardania”.
Pas rritjes së rasteve drejtori i kësaj shkolle, Isak Bregaj, thotë se janë detyruar të shkojnë me këtë skenar, përderisa presin të rikthehen nesër.
Përderisa gjatë kohës që kanë qenë duke mbajtur mësimin janë kryer edhe testimet brenda shkollës.
Me 85 nxënës dhe 10 mësimdhënës të infektuar në mësim online ka shkuar edhe shkolla “Xhemajl Mustafa” ditë më parë.
Sipas drejtoreshës momentalisht janë 27 raste pozitive. Në rast se vazhdon rënia e numrave, ata pritet të rikthehen të enjten me mësim me prezencë.
Shala ka thënë se kanë bërë përpjekjet maksimale që mësimi të vazhdojë me prezencë fizike.
“Kërkesat e taks forcës është që të bëhet përpjekjet që sa të mund të vazhdohet me prezencë fizike pasi mësimi online nuk është treguar edhe aq i suksesshëm dhe po i shfrytëzojmë të gjitha kapacitet që të mbajmë mësimi fizik”, tha Shpresa Shala, drejtoreshë në SHFMU “Xhemajl Mustafa”.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka shpërndarë edhe teste nëpër shkollat e Prishtinës.
Pavarësisht se ka raste të shumta të fëmijëve të infektuar me këtë virus, Ministria e Arsimit thotë se shkollat duhet të mbyllen të fundit.
Vendimin për mbylljen e shkollave dhe çerdheve e kanë vetë institucionet.
Përveç këtyre shkollave, janë mbyllur edhe çerdhet “Gëzimi Ynë” dhe “Dielli”, të cilat kanë paralajmëruar hapjen më 7 shkurt.