Në 200 ka shkuar numri i përgjithshëm të infektuarve me COVID-19 në mesin e nxënësve dhe stafit të shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, ka mësuar KOHA.
Shkolla, ndër më të mëdhatë në kryeqytet, kaloi në skenarin C, atë të mësimit online, më 17 janar për shkak të regjistrimit të dhjetëra rasteve me virus. Tani në një takim të grupit të Task-Forcës së shkollës të shtunën, për situatën e krijuar me virus, është vendosur që mësimi online të vazhdojë të paktën deri më 26 janar.
KOHA ka mësuar se aty është bërë e ditur se janë 180 nxënës të infektuar dhe 20 mësimdhënës e staf të shkollës.
“Gjatë diskutimit me anëtarët e grupit, bazuar në shifrat e raportuara dhe në Rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (ku karantinimi për një të infektuar duhet të zgjat 10 ditë) është vendosur që shkolla të vazhdoje mësimin me Skenarin C (mësimin online) deri në takimin e radhës së Task Forcës, të mërkurën, 26 janar 2022”, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle në Facebook.
Disa shkolla në nivel vendi kanë kthyer procesin mësimor në skenarin C për shkak të rasteve me COVID-19 te nxënësit dhe stafi i shkollave.
Të premten, Qeveria vendosi masat e reja anti-COVID, por për shkollat u vendos që të mbesin të hapura deri në rastet kur për tre ditë konfirmohen dy ose më shumë raste të infektimit me COVID-19 brenda një klase; kur 5 për qind e nxënësve të shkollës janë të infektuar; apo nëse shkalla e infeksionit te personeli pamundëson organizimin e procesit mësimor me prezencë fizike.
Fëmijët janë grupmosha që po preket më së shumti nga vala e re e COVID-19. Nga 3200 rastet e dala të shtunën, mbi 1000 janë të grupmoshës 10-19 vjeç dhe gati 200 të grupmoshës deri 9 vjeç.