Arbëri

Pavarësisht rasteve me COVID-19 te fëmijët, MASHTI i lë të hapura çerdhet

Ndonëse po vazhdojnë shifrat e larta të të infektuarve përfshirë edhe fëmijët nga 0-9 vjeç, Qeveria e ka përjashtuar nivelin parashkollor nga masa e mbylljes deri më 13 shtator e që ka për qëllim parandalimin e përhapjes së virusit. Në disa komuna, nga frika e infektimit, prindërit me vetiniciativë nuk po i dërgojnë fëmijët në çerdhe. E nga IKSHPK-ja nuk kanë pranuar të japin informata më të hollësishme për numrin e fëmijëve të testuar dhe të infektuar.

Pas dy javëve izolim, dy grupe fëmijësh të institucioneve parashkollore në Prishtinë të mërkurën janë kthyer në klasa.

Si pasojë e infektimit të fëmijëve me COVID-19, dy grupe të tjera të çerdheve në kryeqytet po vazhdojnë qëndrimin në izolim.

Në Klinikën e Pediatrisë në QKUK trajtim janë duke marrë 6 fëmijë me COVID, derisa në 24 orët e fundit pozitivë kanë rezultuar 41 fëmijë nga 0 deri në 9 vjeç. Të mërkurën kanë qenë 54.

Por, pavarësisht rritjes së rasteve te fëmijët, Ministria e Arsimit ka përjashtuar nivelin parashkollor nga mbyllja deri më 13 shtator.

Kjo Ministri ka thënë se mbyllja ose jo e çerdheve varet nga rekomandimet që marrin nga Taskforcat në nivel të komunave dhe nga IKSHPK-ja.

“Bazuar në vendimin e fundit të Qeverisë të datës 28.08.2021 për masat e reja, pika 21, institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor vazhdojnë aktivitetin sipas udhëzuesit përkatës, konkretisht udhëzuesit të përgjithshëm të MASHTI-t, i cili është në fuqi. Në këtë udhëzues janë të përcaktuara të gjitha masat se si punohet në institucione parashkollore në kohë pandemie. Aktualisht, i njëjti dokument është duke u rishikuar dhe shumë shpejt pritet të finalizohet me plotësime të reja. Sa i përket mbylljes së çerdheve, në momentin që do të ketë rekomandime të reja nga Taskforcat në nivel të komunave dhe IKSHPK-ja, sigurisht se do të ndërmerren veprime të tjera”, thuhet në njoftim të MASHTI-t.

Megjithatë, në disa komuna, nga frika e infektimit prindërit nuk po i dërgojnë fëmijët në çerdhe, pavarësisht se Qeveria i ka lejuar ato.

“Në çerdhet publike, nuk kemi pasur deri më tani asnjë fëmijë të infektuar dhe puna po vazhdon si zakonisht, ndonëse deri më sot ka qenë një numër i vogël i fëmijëve që kanë ndjekur kopshtin për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia dhe kohës së pushimeve”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk ka dhënë informacione se sa fëmijë nga 0-6 vjeç testohen brenda ditës dhe sa prej tyre dalin pozitivë. Duke mos treguar shifrat ata nuk kanë treguar as arsyet se ku janë bazuar që nuk i kanë rekomanduar Ministrisë mbylljen e çerdheve, ndonëse numri i fëmijëve të infektuar nga 0-9 vjeç në baza ditore tash e një kohë është dyshifror.

Zëvendësdrejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Rifadie Maxhuni, thotë se simptomat te fëmijët janë të ngjashme me ato të gripeve sezonale, prandaj kërkon nga prindërit që të mos i neglizhojnë dhe t’i testojnë fëmijët sa më shumë në mënyrë që trajtimin ta marrin me kohë.

“Në mesin e infektuarve me virusin SARS-COV-2 kemi edhe fëmijë mjaft të infektuar me këtë virus, ndërsa me simptomat të cilat më së shpeshti janë duke u paraqitur janë thuajse të njëjta me simptoma të gripit sezonal, pra kryesisht me temperaturë, me ethe, vjellje, barkqitje, dhimbje koke tek ata fëmijë pak më të mëdhenj që dinë ta lokalizojnë dhe dhimbje të trupit”, ka thënë ajo.

Fëmijët mund të kenë simptoma të lehta e gati të pavërejtshme, por, sipas studimeve, ata mbesin bartës të virusit për aq kohë sa janë të infektuar me të.

Muajin e kaluar vetëm në Komunën e Prishtinës janë mbyllur shtatë grupe fëmijësh në çerdhet publike. Ndonëse komuna e kishte njoftuar nivelin qendror për gjendjen nëpër çerdhe, as Ministra e Shëndetësisë dhe as ajo e Arsimit nuk i kishin procesuar këto informata, duke e kuptuar numrin e saktë të grupeve të mbyllura vetëm pas raportimit të media.