Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës po qëndrojnë në sallën e Kuvendit, duke bërë thirrje për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Të dyja këto parti i kanë bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari që të ftojë vazhdimin e kësaj seance.
“Neve mandatin na e ka dhënë populli, nuk na e ka dhënë Albin Kurti dhe nuk mund të na i marrë. Me qëllim që ta mbrojmë kushtetushmërinë, me qëllimin që ta funksionalizojmë Kuvendin, përkundër kërkesës sonë nuk është thirrur vazhdimi i seancës andaj ne kemi vepruar drejtë dhe kemi ardhur këtu ku e kemi mandatin në mënyrë që ta përcjellim si qëndrimin tonë. Ne do të vazhdojmë me qëndrime dhe aktivitete tona politike. Nëse shteren mundësitë brenda Kuvendit, do të jenë hapat tonë tjerë të guximshëm për ta mbrojtur shtetin”, ka thënë deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, nga foltorja e Kuvendit. Tahiri po ashtu ka kërkuar edhe reagim qytetar.
Ndërkaq Besnik Tahiri i Aleancës ka thënë se s’do të lejohet “dhunimi i së drejtës së qytetarëve”.
“Sovraniteti i takon popullit, i takon institucioneve të zgjedhura dhe ne që jemi këtu jemi të zgjedhur. Bllokimi i kuvendit është cenim i sovranitetit, rendi kushtetues dhe demokracisë. Nuk do të lejojmë në asnjë formë që të dhunohet e drejta e qytetarëve që me pas institucione”, ka thënë ai.
Paraprakisht, PDK-ja përmes një letre drejtuar Deharit, ka thënë se ndonëse moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, tejkalimi i këtij afati nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.
Edhe
Haxhiu s’e mban konferencën në Kuvend pa u larguar PDK-ja
“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
PDK-ja ka kërkuar që seanca të thirret pa vonesa dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.
E të mërkurën paradite, Dehari ka thënë se pa marrëveshje politike mes partive për çështjen e presidentit, seancat do të ishin “shterpe”. Sipas tij, në të kaluarën ka qenë vetë kërkesë e opozitës që marrëveshja politike të bëhet para formimit të institucioneve.
“Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare. Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka shkruar Dehari.
Të premten ka përfunduar afati 30-ditor për konstituim. Megjithatë, vazhdimi i seancës së nisur të enjten u mbajt të shtunën. Por edhe në këtë seancë, kryetari i subjektit më të madh politik, Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për të negociuar me partitë tjera për çështjen e presidentit. Pas kësaj, ai u bë cak i hedhjeve me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
PDK-ja ka refuzuar takimet me Kurtin. Njësoj ka vepruar edhe Aleanca.
I vetmi “partner” potencial deri tash është Lidhja Demokratike me të cilën ka pasur katër takime, por se të dyja palët kanë vlerësuar se janë larg marrëveshjes.
Vetëvendosje e vetme me partitë pakicë i ka numrat në Kuvend për konstituim dhe formimin e Qeverisë. Megjithatë, Kurti ka deklaruar se pa u zgjidhur çështja e presidentit - që kërkon 80 deputetë në sallë në dy rundet e votimit – atëherë “pashmangshëm shkohet në zgjedhje”.
Edhe
Kuvendi hap dyert për mërgimtarët, ata bëjnë thirrje të shmanget bllokada
Vetëvendosje i ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18.
Çitaku në Kuvend: Është derdhur gjak që Kosova me pas institucione
Deputetja dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka pasur një fjalim brenda sallës së Kuvendit ku ishin të pranishëm disa qytetarë, e nga ku kërkoi që të thirret vazhdimi i seancës konstituive.
Në momentin kur Çitaku po mbante fjalim e pranishme ishte edhe ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu.
Deputetja u shpreh se “ne këtu jemi deputetë të zgjedhur, por dyert për ne janë të mbyllura”. Në këtë moment i ndërhyri Haxhiu, duke ironizuar “të hapura, të hapura janë”.
“Po më vjen mirë që janë hapur për juve. Kuvendi nuk është thjesht objekt, nuk është ndërtesë me tulla, është institucion. Kam qenë në këtë ulëse e ulur ditën kur u shpall Pavarësia e Kosovës. Është derdh gjak, mund, djersë, sakrificë që Kosova me pas institucione. Nuk guxojmë me u sill sikur s’po ndodh asgjë”, u shpreh Çitaku, teksa një zë pas saj bënte thirrje për ta ftuar seancën nga kryesuesi Avni Dehari.
VIDEO:
Edhe
Haxhiu: S’ka pasur nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, dyert rrinë mbyllur kur s’ka seanca
Është dita e tretë që sot Kuvendi është i hapur për vizitorë.
Sot në sallën e Kuvendit kanë hyrë deputetët e PDK-së dhe Aleancës duke bërë thirrje që të vazhdohet seanca konstituive.