Salla e Kuvendit të Kosovës është shndërruar në arenë tensionuese të mërkurën. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës janë duke qëndruar në sallën e Kuvendit, duke bërë thirrje për vazhdimin e seancës konstituive. Situata është përcjellë me tensione ndërmjet deputetëve të këtyre dy partive dhe atyre nga radhët e Vetëvendosjes, të cilëve u është pamundësuar zhvillimi aktiviteteve të planifikuara për qytetarët. Në disa raste ka pasur edhe shtyrje fizike dhe moslejim i adresimit për gazetarë e qytetarë. Para se të tensionohej situata, përfaqësues të dy partive nga foltorja e Kuvendit i kanë bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari që të ftojë vazhdimin e seancës konstuituive.
Nagavci akuzon ish-partitë opozitare se duan ta çojnë vendin në zgjedhje
Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar mbi ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se ish-opozita është duke përdorur dy standarde.
Ka thënë se VV-ja mund ta konstitutojë Kuvendin edhe e vetme, por kërkon marrëveshje për Presidentin.
“Ajo që ndodhi sot në Kuvend, me zhurmën dhe pengimin e opozitës, shpjegohet me dy gjëra: Opozita e dërgoi vendin në zgjedhje në qershor duke thënë: “E keni konstituuar Kuvendin, e keni formuar Qeverinë, tash mos kërkoni nga ne të bëjmë marrëveshje për Presidentin. Është dashur që fillimisht të merremi vesh për Presidentin.” Tash, kur ne po themi të merremi vesh për Presidentin, ta konstituojmë Kuvendin dhe ta formojmë Qeverinë, opozita po thotë: “Jo, nuk duam”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shkruar se pa marrëveshje me opozitën për çështjen e presidentit, shkuarja në zgjedhje është e pashmangshme. E këtë, sipas Nagavcit, po e kërkojnë ish-partitë opozitare.
“Ne mund ta konstituojmë Kuvendin dhe ta formojmë Qeverinë edhe pa opozitën, sepse populli na ka votuar që ta bëjmë edhe vetë. Por ne po duam të merremi vesh për Presidentin, sepse pa marrëveshje shkojmë në zgjedhje. Opozita, ndërkaq, po do që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi, të nisë të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit dhe, në fund, të shkojmë përsëri në zgjedhje. Pra, ne po kërkojmë marrëveshje për ta shmangur krizën, ndërsa opozita po refuzon marrëveshjen sepse po do zgjedhje”, ka shkruar ajo.
Situatë e tensionuar ka qenë të mërkurën në sallën e Kuvendit pasi deputetët e PDK-së dhe Aleancës janë përplasur me ata të Lëvizjes Vetëvendosje.Në disa raste ka pasur edhe shtyrje fizike dhe moslejim i adresimit për gazetarë e qytetarë. Para se të tensionohej situata, përfaqësues të dy partive nga foltorja e Kuvendit i kanë bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari që të ftojë vazhdimin e seancës konstuituive.
Hoti: Çështja e konstituimit të Kuvendit urgjentisht të dërgohet në Kushtetuese
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë thirrje që urgjentisht çështja e konstituimit të Kuvendit t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që t’i japë zgjidhje bllokadës së serishme institucionale. Hoti ka theksuar se e di që dërgimi i kësaj lënde në Kushtetuese mund të jetë në interesin e Lëvizjes Vetëvendosje, por siç thotë ai, ruajtja e kushtetutshmërisë është para çdo interesi elektoral.
Sipas tij, pamundësimi i konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve përbën shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Dërgimi i kësaj shkelje në Gjykatën Kushtetuese mund të jetë në interesin e partisë së parë, pasi i mundëson asaj që, duke e prolonguar konstituimin e Kuvendit, të çojë vendin në zgjedhje në një datë të përshtatshme për të. Por ruajtja e kushtetutshmërisë është para çdo interesi elektoral. Çështja duhet dërguar urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata duhet t’i japë zgjidhje situatës kur partia që del e para në zgjedhje nuk e shfrytëzon të drejtën e saj për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit”, ka shkruar Horti në Facebook.
Ai ka kritikuar edhe deputetët që, sipas tij, po e pamundësojnë me qëllim konstituimin e Kuvendit, duke thënë se kjo nuk duhet të kalojë në heshtje.
“Moskonstituimi i Kuvendit, i qëllimshëm dhe i motivuar nga interesa elektorale, nuk mund të kalojë në heshtje”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka thënë se disa deputetë po e shkelin betimin e dhënë më 6 gusht 2026 për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ndërsa të tjerë, sipas tij, po e shkelin atë përmes mosveprimit, duke mos e adresuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Hoti ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të japë zgjidhje për situatën kur partia që ka dalë e para në zgjedhje nuk e shfrytëzon të drejtën e saj për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Ndërkaq, Hoti ka ngritur edhe çështjen e funksionimit të institucioneve të tjera të vendit.
Ai ka thënë se Kosova është me një ushtrues/e të detyrës së presidentit me mandat të kontestuar pas datës 6 gusht. Sipas tij, me dhënien e betimit nga 120 deputetët, ish-kryetares së Kuvendit i ka përfunduar mandati në krye të Kuvendit, mandat ky që i kishte mundësuar ushtrimin e detyrës së presidentit.
Hoti ka shkruar gjithashtu se Kosova është me kryeministër dhe ministra në detyrë, të cilët, pas dhënies së betimit si deputetë më 6 gusht, po e ushtrojnë detyrën në mënyrë të kundërligjshme.
Për këtë çështje, Hoti i është referuar edhe një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, ku pati konstatuar se ministrat që janë betuar deputetë nuk mund të marrin vendime.
Konstituimi i Kuvendit ka mbetur i papërfunduar, pavarësisht skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht. Ka mbetur zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Deputeti i LVV-së: Çitaku mund të bëhet kryeparlamentare
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se nëse kryetari i PDK-së Bedri Hamza, e pranon ofertën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të mos e bllokuar zgjedhjen e presidentit, atëherë deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku mund të bëhet kryeparlamentare.
Ky reagim i Abrashit erdhi pasi paraprakisht, Çitaku gjatë një fjalimi brenda sallës së Kuvendit ku ishin të pranishëm disa qytetarë, kërkoi thirrjen e seancës konstituive. Sipas Çitakut, ky institucion nuk guxon të mbetet i bllokuar.
“Vlora Çitaku mund të bëhet kryetare e kuvendit nëse Bedri Hamza e pranon ofertën e Albin Kurtit. PDK e fiton kryeparlamentarin vetëm dhe vetëm që të mos e bllokojë zgjedhjen e presidentit të ri”, ka thënë Abrashi në Facebook.
Para disa ditësh, në një ftesë dërguar Hamzës, Kurti ka thënë se e respekton vendimin e PDK-së për të mbetur në opozitë, por ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit janë procese që kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike.
Sipas Kurtit, kontributi real i PDK-së nuk është vetëm propozimi i emrit për nënkryetar të Kuvendit, por edhe pjesëmarrja në zgjedhjen e presidentit, gjë që, sipas tij, do ta shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Zemaj: Ata që po heshtin nuk ia duan të mirën LDK-së e Kosovës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka akuzuar Vetëvendosjen për bllokadë të qëllimshme të procesit institucional, duke thënë se kjo qasje po dëmton Kosovën dhe po thellon polarizimin në shoqëri. Por ai pati kritika edhe për heshtjen e partisë së tij.
“Bllokada e qëllimshme nga VV-ja sjell tension, dëmton edhe më shumë imazhin e brishtë të Kosovës dhe thellon polarizimin në shoqërinë tonë”, ka shkruar Zemaj.
Sipas tij, shumica parlamentare e ka obligim ta thërrasë seancën dhe t’i japë hapësirë krijimit të institucioneve të reja, në respektim të Kushtetutës dhe vullnetit politik të qytetarëve.
Zemaj ka thënë se marrëveshjet politike nuk mund të arrihen përmes bllokadës dhe presionit, derisa pati një porosi për lidershipin e LDK-së.
“Demokracia kërkon dialog, përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë. Ata që heshtin dhe pranojnë këtë lloj politike, nuk ia duan të mirën as LDK-së e më së paku Kosovës”, ka deklaruar ai.
Gjatë ditës së sotme, deputetë të PDK-së dhe Aleancës qëndruan në Kuvend ku u përplasën me homologët nga VV-ja. Por aty nuk u panë deputetë të LDK-së.
Pas tensioneve nga deputetët, përplasje edhe mes qytetarëve në sallë
Pas tensioneve dhe përplasjeve mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës, situata është tensionuar edhe mes qytetarëve që ndodheshin brenda sallës gjatë aktivitetit për mërgimtarët.
Gjatë aktivitetit, njëri prej pjesëmarrësve ka shfaqur një pankartë me mbishkrimin “Kurti n’burg”.
Pankarta ka nxitur reagime nga pjesëmarrësit e tjerë, duke shkaktuar përplasje verbale mes tyre.
VIDEO:
Gashi: Koha që LDK-ja të flasë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se po mungon një qëndrim i qartë i LDK-së.
Gashi ka thënë se, në një situatë të tillë, Kosovës i duhet më shumë dialog, maturi dhe angazhim për shtetin dhe Republikën.
“Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa insistimi për bllokimin e tij vazhdon”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Sipas tij, në këtë moment kritik “po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së”.
“Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane”, ka deklaruar ai.
Në fund, deputeti i LDK-së i ka bërë thirrje partisë së tij që të reagojë.
“Është koha që LDK-ja të flasë”, ka përfunduar Gashi.
Në Kuvend po qëndrojnë deputetë të PDK-së e Aleancës, tek po kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive.
Aty nuk janë deputetët e LDK-së.
Gërvalla: Deri më 6 shtator kemi kohë ta konstituojmë Kuvendin
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka thënë se afati për konstituimin e Kuvendit është deri më 6 shtator.
Gërvalla e dha këtë deklarim gjatë një debati me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda, në sallën e Kuvendit, aty ku sot u shënuan tensione të shumta gjatë kohës kur Kuvendi do të hapej për vizitë nga mërgimtarët.
Sipas Gërvallës, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit vlen pas thirrjes së seancës konstituive.
“I kemi 30 ditë për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit, ky është interpretimi ynë”, ka thënë ajo.
Gruda: Absurde të kërkojmë nga Kushtetuesja interpretim të interpretimit
Përparim Gruda, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se do të ishte absurde po që se Gjykatës Kushtetuese do t’i kërkohej të interpretonte interpretimin që e ka bërë paraprakisht për çështjen e seancës konstituive të Kuvendit.
“Ne kemi bërë opozitë institucionale me vite, kemi fituar raste në Gjykatë, lënda e konstituimit ka shkuar Gjykatë. S’mund të shkojmë edhe një herë për të interpretuar interpretimin. Është absurd që s’merr fund kurrë. Asnjë kushtetutë evropiane nuk përcakton pasoja për moskonstituim. Kushtetuta gjermane, franceze, italiane përcaktojnë afatin për konstituim. Ajo gjermane e ka njëjtë 30 ditë, nuk thotë cila janë pasojat”, ka thënë Gruda nga salla e Kuvendit, në të cilën po qëndrojnë deputetët e PDK-së dhe të Aleancës që po kërkojnë mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të.
Gruda ka thënë se fjalia e kryesuesit Avni Dehari se nuk parashihet pasojë për moskonstituim është e njëjtë me “nuk është marre me vjedhë, por marre me të zënë duke vjedhë”.
Përplasje fizike mes Lushtakut të PDK-së e Rrustemit të VV-së
Ka eskaluar në përplasje fizike debati mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe atij të VV-së, Adnan Rrustemi.
U desh ndërhyrja e deputetëve të tjerë për ta qetësuar situatën.
Fillimisht ishte Lushtaku ai që shtyri Rrustemin. Më pas edhe Rrustemi reagoi. Ndërhyri Artan Behrami e Ardian Gola për ta qetësuar situatën.
Musliu gjuan me ujë Gërvallën
Po vazhdojnë tensionet në Kuvendin e Kosovës, aty ku ishte planifikuar të mbahej aktivitet me diasporën.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e gjuajti me ujë deputeten e VV-së, Donika Gërvallën.
VIDEO:
Bytyqi e Aleancës shtyn Nagavcin e VV-së
Albana Bytyqi, deputetja e Aleancës, e ka shtyrë homologen nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, teksa po përpiqej të futej në sallën e Kuvendit.
Pavarësisht tensioneve, Nagavci hyri në sallë dhe e cilësoi atë çfarë ndodhi si ‘show’ të opozitës.
Edhe brenda, Nagavci u përball me deputetë të PDK-së e Aleancës.
VIDEO:
Tensione në Kuvend, deputetët e PDK-së dhe Aleancës përplasen me të VV-së
Tensione në Kuvend ka pasur të mërkurën në mesditë, gjatë aktiviteteve të Kuvendit me qytetarët. Deputetët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës, kanë penguar deputetët dhe figura të Vetëvendosjes në sallën e Kuvendit.
Sa herë që deputetët e VV-së janë afruar për të folur me qytetarët në aktivitetin e hapur, deputetët e PDK-së kanë brohoritur dhe kanë protestuar duke u kërkuar të mbajnë seancën konstituive.
Në disa momente ka pasur raste kur deputetë të opozitës kanë bërë përpjekje për t’i nxjerrë nga salla ata të VV-së.
“Demokraci”, “UÇK” – PDK-ja s’e lejon Gërvallën të flasë në Kuvend
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës nuk e kanë lejuar as ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, të flas në aktivitetin që po mbahet me qytetarë në Kuvendin e Kosovës.
Gërvalla u përball me brohoritjet e PDK-së: Demokraci, UÇK.
Paraprakisht edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u përball me të njëjtën situatë, me ç'rast nuk e mbajti as konferencën për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.
VIDEO:
Haxhiu s’e mban konferencën në Kuvend pa u larguar PDK-ja
Pas përplasjes me deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk e ka vazhduar aktivitetin me të rinjët në Kuvend e as nuk e ka mbajtur konferencën për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Ajo është përballur me thirrjet e deputetëve të PDK-së për ta ftuar vazhdimin e seancës konstituive.
Haxhiu ka thënë se as konferencën për media në hollin e Kuvendit nuk do ta mbajë pa u larguar deputetët e PDK-së.
Kurti shmang përgjigjen për kërkesën e PDK-së për vazhdimin e seancës konstituive
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është përgjigjur të mërkurën lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
I pyetur nëse do t’i përgjigjet kërkesës së PDK-së, e cila është mbledhur në Kuvend dhe po kërkon që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë, Kurti u përgjigj shkurt duke iu referuar një aktiviteti me të rinjtë.
“E kemi një takim për rininë në Ditën Ndërkombëtare të saj në Kryeministri”, tha Kurti, raportoi EO.
PDK-ja ndërkohë ka kërkuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të vijojë pa vonesa të mëtejshme, duke insistuar se deputetëve duhet t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga qytetarët.
PDK-ja e Aleanca mblidhen në Kuvend
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës po qëndrojnë në sallën e Kuvendit, duke bërë thirrje për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Të dyja këto parti i kanë bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari që të ftojë vazhdimin e kësaj seance.
“Neve mandatin na e ka dhënë populli, nuk na e ka dhënë Albin Kurti dhe nuk mund të na i marrë. Me qëllim që ta mbrojmë kushtetushmërinë, me qëllimin që ta funksionalizojmë Kuvendin, përkundër kërkesës sonë nuk është thirrur vazhdimi i seancës andaj ne kemi vepruar drejtë dhe kemi ardhur këtu ku e kemi mandatin në mënyrë që ta përcjellim si qëndrimin tonë. Ne do të vazhdojmë me qëndrime dhe aktivitete tona politike. Nëse shteren mundësitë brenda Kuvendit, do të jenë hapat tonë tjerë të guximshëm për ta mbrojtur shtetin”, ka thënë deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, nga foltorja e Kuvendit. Tahiri po ashtu ka kërkuar edhe reagim qytetar.
Ndërkaq Besnik Tahiri i Aleancës ka thënë se s’do të lejohet “dhunimi i së drejtës së qytetarëve”.
“Sovraniteti i takon popullit, i takon institucioneve të zgjedhura dhe ne që jemi këtu jemi të zgjedhur. Bllokimi i kuvendit është cenim i sovranitetit, rendi kushtetues dhe demokracisë. Nuk do të lejojmë në asnjë formë që të dhunohet e drejta e qytetarëve që me pas institucione”, ka thënë ai.
Paraprakisht, PDK-ja përmes një letre drejtuar Deharit, ka thënë se ndonëse moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, tejkalimi i këtij afati nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.
“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
PDK-ja ka kërkuar që seanca të thirret pa vonesa dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.
E të mërkurën paradite, Dehari ka thënë se pa marrëveshje politike mes partive për çështjen e presidentit, seancat do të ishin “shterpe”. Sipas tij, në të kaluarën ka qenë vetë kërkesë e opozitës që marrëveshja politike të bëhet para formimit të institucioneve.
“Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare. Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka shkruar Dehari.
Të premten ka përfunduar afati 30-ditor për konstituim. Megjithatë, vazhdimi i seancës së nisur të enjten u mbajt të shtunën. Por edhe në këtë seancë, kryetari i subjektit më të madh politik, Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për të negociuar me partitë tjera për çështjen e presidentit. Pas kësaj, ai u bë cak i hedhjeve me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
PDK-ja ka refuzuar takimet me Kurtin. Njësoj ka vepruar edhe Aleanca.
I vetmi “partner” potencial deri tash është Lidhja Demokratike me të cilën ka pasur katër takime, por se të dyja palët kanë vlerësuar se janë larg marrëveshjes.
Vetëvendosje e vetme me partitë pakicë i ka numrat në Kuvend për konstituim dhe formimin e Qeverisë. Megjithatë, Kurti ka deklaruar se pa u zgjidhur çështja e presidentit - që kërkon 80 deputetë në sallë në dy rundet e votimit – atëherë “pashmangshëm shkohet në zgjedhje”.
Vetëvendosje i ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18.
Çitaku në Kuvend: Është derdhur gjak që Kosova me pas institucione
Deputetja dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka pasur një fjalim brenda sallës së Kuvendit ku ishin të pranishëm disa qytetarë, e nga ku kërkoi që të thirret vazhdimi i seancës konstituive.
Në momentin kur Çitaku po mbante fjalim e pranishme ishte edhe ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu.
Deputetja u shpreh se “ne këtu jemi deputetë të zgjedhur, por dyert për ne janë të mbyllura”. Në këtë moment i ndërhyri Haxhiu, duke ironizuar “të hapura, të hapura janë”.
“Po më vjen mirë që janë hapur për juve. Kuvendi nuk është thjesht objekt, nuk është ndërtesë me tulla, është institucion. Kam qenë në këtë ulëse e ulur ditën kur u shpall Pavarësia e Kosovës. Është derdh gjak, mund, djersë, sakrificë që Kosova me pas institucione. Nuk guxojmë me u sill sikur s’po ndodh asgjë”, u shpreh Çitaku, teksa një zë pas saj bënte thirrje për ta ftuar seancën nga kryesuesi Avni Dehari.
VIDEO:
Është dita e tretë që sot Kuvendi është i hapur për vizitorë.
Sot në sallën e Kuvendit kanë hyrë deputetët e PDK-së dhe Aleancës duke bërë thirrje që të vazhdohet seanca konstituive.