Futbollistët e Kosovës e kanë mbyllur pa telashe seancën e tretë përgatitore për ndeshjet e fundit të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve.
Federata e Futbollit e Kosovës ka shkruar të mërkurën pas stërvitjes së udhëhequr nga përzgjedhësi Franco Foda, se lojtarët kanë punuar “me përkushtim dhe me besim për të dhënë më të mirën në dy sfidat e fundit për këtë vit”. FFK-ja ka shkruar se “Dardanët” synojnë fitore.
Kosova ndeshjen e radhës të Grupit B3 e luan kundër Izraelit të shtunën në Prishtinë. Ndeshjen ndaj izraelitëve e zhvillon nga ora 15:00. Tri ditë më pas "Dardanët" përballen në Dublin me Irlandën.
Në frymë optimiste janë shprehur dy futbollistët Lindrit Kamberi dhe Milot Avdyli.
Kamberi është opsion për t’u paraqitur nga fillimi në mungesë të dy qendërmbrojtësve të lënduar, Albian Hajdari dhe Lumbardh Dellova. Kamberi po kalon formë të mirë te Zurichu, ku është kapiten. Nëse luan, do të ishte debutim.
“Pritja ka qenë shumë e mirë. Një pjesë të lojtarëve i kam njohur, pjesën tjetër i kam parë në televizor. Ka qenë pozitive. Stërvitja ka qenë shumë e mirë. Trajneri na ka përgatitur në aspektin defensiv dhe ofensiv dhe besoj se do të jemi gati për ndeshjen të shtunën”, ka thënë Kamberi.
Ai ka besim se me ndihmën e shikuesve, Kosova do ta mposhtë Izraelin.
“Besoj se ndeshja në shtëpi është ndryshe, në krahasim me ndeshjen e kaluar. Ata do të mundohen ta bëjnë maksimumin, ne duhet të jemi të përgatitur. Kemi edhe tri ditë kohë për t’u përgatitur sa më mirë dhe besoj se do të jetë pozitive për ne”, është shprehur Kamberi.
Milot Avdyli tashmë i ka zhvilluar dy ndeshje për Kosovën. Synon paraqitjen e tretë.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Besoj se jemi përgatitur mjaft mirë. Kemi punuar sot më shumë taktikisht dhe besojmë se do të dalim me rezultat pozitiv”, ka thënë Avdyli.
Ai ka shtuar se paraqitja në “Fadil Vokrri” do të jetë motiv shtesë për lojtarët e Kosovës.
“Duke marrë parasysh që do të luajmë para shikuesve tanë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, do të jemi edhe më të motivuar dhe besoj se do të dalim nga fusha me pikë të plota”, ka theksuar Avdyli.
Kosova është e dyta në Grupin B3 me pesë pikë. Pesë pikë i ka edhe Irlanda në vendin e tretë.
Synimi i Kosovës është qëndrimi në Ligën B edhe për edicionin e ardhshëm.
Kosova në dhjetor i mëson kundërshtarët e kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2028. Kualifikimet nisin në mars të vitit të ardhshëm.