(E përditësuar 11:00) - Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës kanë shkuar sërish në sallën e Kuvendit të Kosovës, në vazhdën e kërkesës për vazhdim të seancës konstituive të legjislaturës së 11-të.
Pas fjalimeve nga salla ku u kërkua nisja e seancës konstituive, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në konferencë për media ka kritikuar kryeministrin në detyrë për shkelje të Kushtetutës.
“Nuk është çështje nëse je me apo kundër Albin Kurtit, as përplasje mes pozitës e opozitës, por sot kemi vetëm një pyetje: a do të jetë Kosova shtet ku sundon Kushtetuta, apo shtet ku sundon vullneti i një individi. Gjykata ka folur, Kushtetuta ka folur, por deputeti Kurti ka zgjedhur të mos i dëgjojë asnjërën. Kur dikush vendos veten mbi Kushtetutën, ai nuk po e mbron shtetin”.
Kurse deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar mungesën e deputetëve në Kuvend, duke thënë se, bashkë me kryesuesin e seancës, po shkelin Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve.
“Një mesazh duhet të shkojë në veshin e atyre që sot nuk janë në vendin e punës së tyre, sepse rrezikimi i shtetit nuk vjen vetëm nga keqqeverisja por vjen duke shkelur mbi vendimin e sovranit dhe demokracisë, si dhe nga vazhdimi i shkeljeve të Kushtetutës si akti më i lartë i një shteti dhe rregullimit të një shoqërie... Deputetët janë duke e shkelur aktin më të lartë të shtetit, edhe partia më e madhe në pushtet”, deklaroi Tahiri.
Deputetët e kësaj partie bashkë me të Aleancës janë mbledhur çdo 48 orë në Kuvend që nga fillimi i gushtit kur kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi shtyrjen e seancës me arsyetimin për kohë shtesë për marrëveshje me partitë politike për presidentin. Ata kanë kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës.
Deri tash deputetët janë ftuar dy herë për ta konstituuar legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, kryetari i partisë fituese, Albin Kurti, ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.
Edhe
PDK-ja e Aleanca insistojnë që sa më parë të mbahet vazhdimi i seancës konstituive
Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me aleatët e saj nga radhët e komuniteteve, ka mjaftueshëm vota për ta konstituuar Kuvendin e edhe për ta votuar Qeverinë. Por, për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para. Në rast se zgjedhja nuk mund të bëhet brenda 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.
Kurti tashmë ka nisur negociatat me LDK-në për çështjen e presidentit.
Partitë nuk i janë afruar zhbllokimit të ngërçit politik qe gati dy vjet. Kosova është në cikël të vazhdueshëm krizash që prej zgjedhjeve të shkurtit 2025. Fillimisht pati telashe për konstituim e më pas dështimi për të formuar qeverinë çoi në zgjedhje të dhjetorit. Pas tyre pati konstituim, por nuk pati zgjidhje për presidentin e ri. Më 7 qershor pasuan zgjedhjet e reja.