Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Paneli që nuk ua dha lirinë Mustafës e Shalës caktohet edhe për Thaçin e të tjerët

kr

Gjykata Speciale ka caktuar tre gjyqtarët që do të vendosin në apel, për ankesat ndaj verdiktit dënues ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Paneli përbëhet nga gjyqtarë të njëjtë të cilët nuk i prishën në tërësi aktgjykimet e shkallës së parë ndaj Salih Mustafës e Pjetër Shalës, por vetëm ua ulën shkallën e dënimit

Paneli prej tre gjyqtarësh i Gjykatës Speciale që deri tash nuk ka rrëzuar tërësisht asnjë rast dënimi të shkallës së parë, është caktuar të vendosë edhe për ankesat në verdiktin dënues ndaj udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Ky panel do të përbëhet nga kryesuesja Michele Picard dhe anëtarët Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.
Në njoftimin e Dhomave të Specializuara të publikuar të martën thuhet se trupi gjykues është caktuar një javë më parë.

“Pas kërkesës konfidenciale nga ekipet e Mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për zgjatjen e afatit për njoftimet për apel, më 22 shtator 2026, kryetarja e Dhomave të Specializuara caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit, të përbërë nga gjykatësit Mishele Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, për të vendosur mbi këtë kërkesë dhe mbi të gjitha parashtrimet e tjera në kuadër të njoftimit për apel në lidhje me Aktgjykimin në këtë çështje”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Në shkallën e parë të Speciales, të katër udhëheqësit e UÇK-së u shpallën fajtorë për krime lufte. Thaçi e Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet burgim e Selimi me 13 vjet burgim. Sipas gjykatës, ata kanë vepruar si ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Mbrojtja e të katërve ka paralajmëruar se do të ankohet në apel dhe e ka kundërshtuar në tërësi aktgjykimin.

Por, i njëjti panel i shkallës së dytë, në dy rastet e mëhershme të gjykimeve, nuk ka rrëzuar tërësisht asnjë verdikt dënues.

Salih Mustafës ia pati ulur dënimin nga 26 në 22 vjet burgim, por më pas u ul përsëri në 15 vjet, pasi Supremja e ktheu në rivendosje vendimin e apelit. Ndërsa te rasti i Pjetër Shalës, Apeli e uli dënimin nga 18 në 13 vjet burgim.

Edhe Ende s’është funksionalizuar Grupi për strategjinë e përballjes me Apelin në Speciale Arbëri Ende s’është funksionalizuar Grupi për strategjinë e përballjes me Apelin në Speciale

Kryesuesja e panelit, Michele Picard, është gjykatëse franceze, e angazhuar në Gjykatën e Apelit në Paris që prej qershorit 2013. Nga 2008-a deri më 2013, ajo ishte gjykatëse në Tribunalin për ish-Jugosllavinë. Një vit para këtij angazhimi u emërua anëtare e Panelit Këshillues për të drejtat e njeriut në Kosovë.

Gjyqtari Kai Ambos është nga Gjermania. Ai ka punuar edhe në Gjykatën e Apelit të Braunschweig Ka qenë edhe i angazhuar si avokat i mbrojtjes dhe konsulent në Tribunalin për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Ndërkaq, gjyqtarja Nina Jorgensen është nga Norvegjia. Ajo ka punuar në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen, edhe si juriste e lartë për apelet, si dhe në gjykatat për Kamboxhia, dhe në tribunalet për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën.