Arbëri

Cakolli: Nënkryetarët e komuniteteve duhet të votoheshin në pako, LDK-ja e shkeli Kushtetutën

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve është dashur të votohen në pako, duke ndjekur logjikën dhe praktikën e deritanishme të votimit të tre nënkryetarëve tjerë.

Sipas tij, nuk mund të ketë dy kandidatë për pozitën e njëjtë të nënkryetarit nga radhët e komuniteteve – serb dhe të tjerëve.

Ka shtuar se e drejta e propozimit i takon vetëm shumicës së deputetëve të atij komuniteti.

“Megjithatë, edhe nëse pretendohet ndonjë shkelje në këtë proces, kusht për adresimin e saj në Gjykatën Kushtetuese është inicimi nga të paktën 10 deputetë. E sipas përbërjes politike të Kuvendit, në mesin e komunitetit në fjalë, kaq numra mungojnë”, ka thënë ai duke shtuar se procedura është e qartë.

Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës. të njëjtit janë votuar në pako, veçmas nënkryetarëve të partive joshumicë.  Pro votimit të tyre, në pako, ishin 101 deputetë. Nëntë të Listës Serbe abstenuan.

 Ndërkohë Cakolli ka thënë se obligohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve në votim të nënkyetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në votimin e Slavko Simiqit për nënkryetar të Kuvendit.

“Të gjitha pikat e aktgjykimit, përfshirë obligimin për pjesëmarrje në votim, ndjekje të procedurave të parapara në Rregullore, si dhe nevojën për konsultime e kompromis, vlejnë edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Mosrespektimi i tyre përbën shkelje të Aktgjykimit, që është e barasvlefshme për nga pesha juridike, sikur edhe për kryetarin. Afati 30-ditor (deri më 17 shtator) do të jetë në fuqi, deri në zgjedhjen edhe të nënkryetarit të mbetur”, ka shkruar ai.

I pyetur nëse LDK-ja e ka shkelur Kushtetutën me mospjesëmarrje në votim, Cakolli e ka pohuar një gjë të tillë.

“LDK dhe disa deputete tjerë po e shkelin aktgjykimin, rrjedhimisht Kushtetutën. Njëjtë, do të shkelet Kushtetuta nëse propozohet sërish deputeti i njëjtë nga radhët e komunitet serb”, është përgjigjur ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka konstatuar se Lista Serbe nuk ka dashur ta propozojë një emër të dytë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovë dhe ka vendosur që propozimi nga ky subjekt të kalojë me short.

Ky vendim i Bashës u mor pasi Lista Serbe dështoi në tri përpjekje për ta zgjedhur nënkryetar të Kuvendit, Sllavko Simiqin. Basha ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve mund të propozohet emri i njëjtë deri në tri herë dhe jo më shumë.

Lexo përditësimet tjera
Dimal Basha merr pozitën e kryeparlamentarit

Dimal Basha zgjidhet kryeparlamentar, konstituimin e vonon nënkryetari serb