Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se partitë politike në Kosovë po ia servojnë fitoret Listës Serbe. Në një shkrim në Facbook, Cakolli ka komentuar ngërçin e ri politik, për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës.
Cakolli ka thënë se partitë po ua japin mundësinë sabotuesve që të paraqiten si të sabotuar.
Ai e ka cilësuar interpretim të shtrembëruar të frymës kushtetuese dhe parimeve të parlamentarizmit pretendimin se nëse nuk konstituohet Kuvendi edhe pa zgjedhjen e pesë nënkryetarëve, atëherë komuniteteve do t’u jepej “ e drejta e vetos” në konstituim.
“Por nëse kjo do të merrej si standard, atëherë parimisht, jo vetëm komunitetet, por secili grup parlamentar me të drejtë propozimi për nënkryetar do të kishte fuqi bllokuese. Ky është një interpretim i shtrembëruar i frymës kushtetuese dhe parimeve të parlamentarizmit. Pozitat e “rezervuara” nuk janë privilegje absolute, por pjesë e një arkitekture të ndërtuar për gjithëpërfshirje – pa cenuar funksionalitetin institucional. E drejta për përfaqësim nuk është e pakufizuar, por as nuk mund të degradohet përmes mosveprimit apo refuzimit politik nga shumica”, ka shkruar Cakolli.
Cakolli ka thënë se nuk është rasti tash kur komunitetet po bojkotojnë apo abuzojnë, por se shumica që po refuzon kandidatët.
“Po të ndodhte që ndonjë komunitet të keqpërdorte si bllokim mekanizmin e përfaqësimit, atëherë shumica (shqiptare) do të kishte plotësisht të drejtë të reagonte – institucionalisht, politikisht, madje edhe me mirëkuptim ndërkombëtar. Por jo sot, kur kjo rrëshqitje na kushton. Në vend që kjo çështje të zgjidhej politikisht – siç është zgjidhur gjithmonë – ajo është shtyrë në mënyrë të panevojshme drejt Gjykatës Kushtetuese. E aty, rreziku i një konstatimi për shkelje të të drejtave të përfaqësimit të komuniteteve në Kryesi është evident. Veçse tashmë me dëm të shkaktuar në raport me moralizimin e Listën Serbe si palë e “dëmtuar” – përkundër destruktivitetit të saj”, ka shtuar Cakolli.
Cakolli ka thënë se Kosova është në terren të pafavorshëm me ngjarjet e fundit.
“Në fund, mos të harrojmë se akuza më e shpeshtë në situata të tilla – dhe edhe ndaj postimeve si ky i imi – është se përkrahim Listën Serbe apo shtyjmë përpara interesat e tyre. Por realiteti është ndryshe. Herë me penalltitë e herë me autogolat tona, po ia servojmë vetë Listës Serbe fitoret – juridike, përmes procedurave gjyqësore, e politike, duke ia mundësuar kartën e viktimizimit në mesin e serbëve të Kosovës dhe në diskursin ndërkombëtar”, ka përfunduar ai.
Të shtunën kryekuvendari Dimal Basha e shpalli Kuvendin e konstituuar, ndonëse nuk u arrit të zgjidhej nënkryetari nga radhët e komunitetit joshumicë serb. Fillimisht deputetët miratuan propozimet e tri partive shqiptare për nënkryetarë. E ndaras u propozua që të votoheshin dy emrat e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve. Ai i pari i komuniteteve joshumicë joserbe mori mbështetjen, por jo edhe propozimi i Listës Serbe për Sllavko Simiqin. Ai dështoi tre herë në votim. Kryetari Basha u shpreh se vendimi i Kushtetueses thotë që as për nënkryetarët një emër nuk mund të votohet mbi tre herë. Kështu ai i kërkoi emra të tjerë Listës Serbe, por që ajo nuk ofroi. E si pasojë, Basha çoi Kuvendin në votimin përmes shortit për nënkryetarin serb. Nga 10 deputetët, përfshirë Nenad Rashiqin që s’është i kësaj partie, askush s’i mori 61 votat e kërkuara. Pa nënkryetar serb, më 30 gusht, Basha e shpalli të konstituuar Kuvendin.
E Gjykata Kushtetuese tashmë është duke proceduar një kërkesë të Listës Serbe, e cila u ankua se me ndarjen e procedurës së votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet, u shkel Kushtetuta dhe të drejtat e serbëve.