Zgjedhjet 2025

Cakolli kritikon KQZ-në për mosnjohjen e rezultatit të Listës Serbe: Arbitraritet institucional

cakolli

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim e ka cilësuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos njohur rezultatin e Listës Serbe si arbitraritet institucional dhe praktikë tërësisht të kundërligjshme.

Në mbledhjen e së shtunës, KQZ-ja aprovoi rezultatet përfundimtare për të gjitha partitë, përveç Listës Serbe.

Sipas Cakollit, KQZ-ja ka shkelur fillimisht ligjin duke shpallur rezultate pa u konsumuar afati ligjor për ankesa, ndërsa sot ka shkuar edhe më tej duke formalizuar shpalljen e rezultateve të pjesshme, pra jo për të gjitha subjektet politike.

“Rezultatet zgjedhore janë akt i vetëm dhe prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht. Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve”, ka theksuar ai.

Cakolli ka shtuar se kundërshtimi i rezultateve nuk mund të mbetet në nivelin e një opinioni politik të papërcaktuar, pa pretendime konkrete për shkelje ligjore. Sipas tij, situata e krijuar është absurde, pasi anëtarët e KQZ-së që kanë votuar kundër ose kanë abstenuar, nëse kishin dyshime reale, ishin ata që duhej të parashtronin ankesë formale.

“Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit”, ka deklaruar Cakolli, duke shtuar se disa anëtarë, të vetëdijshëm për epilogun ligjor në PZAP apo Gjykatën Supreme, kanë zgjedhur ta shtyjnë procesin përmes vendimeve politike.

Ai ka kritikuar edhe kryesuesin e KQZ-së, për të cilin thotë se mban përgjegjësi për lejimin e ndarjes artificiale të rezultateve pa asnjë bazë ligjore.

Sipas Cakollit, shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me vendimin e sotëm, por me precedentin që po krijohet.

“Nëse sot rezultatet shpallen në mënyrë selektive, nesër mund të vonohen ose të certifikohen në mënyrë selektive. Kështu procesi zgjedhor pushon së qeni proces ligjor dhe shndërrohet në menaxhim politik të rezultateve”, ka përfunduar ai.