LAJMET E MBRËMJES

KQZ-ja shpall rezultatet përfundimtare, pa atë të Listës Serbe

Mbi një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe procesit të numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare. Në këtë institucion u zhvillua votim i ndarë, pas të cilit miratim nuk mori lista e kandidatëve të Listës Serbe. Kjo nxiti edhe reagim

Një muaj e tri ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur rezultatet përfundimtare. Në to nuk ka përfshirë edhe rezultatin e Listës Serbe, subjekt politik që ia konteston shtetësinë Kosovës.

Anëtarë të KQZ-së në mbledhjen e së shtunës i miratuan listat e kandidatëve të subjekteve tjera politike.

Për Listën Serbe, si dhe për Kosova Demokratik Tyrk Partisi, votimi u zhvillua i  veçuar, meqë anëtarë të KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje shprehën kundërshtim.

“Unë deklarohem që votoj kundër Listës Serbe dhe kandidatëve veç e veç. Besoj që e bën edhe kolegu im”, ka thënë anëtari Sami Kurteshi.

E anëtarët e Partisë Demokratike abstenuan në votimin për listën e partisë kryesore të serbëve të Kosovës, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Ne abstenojmë. Unë dhe Ilir Gashi, po flasë edhe në emër të kolegut tim, për rastin e Listës Serbe abstenojmë. Lidhur me subjektet tjera politike dhe rezultatet tjera të dalura, votojmë për”, ka thënë Arianit Tahiri, përpara se të organizohej procesi i votimit.

Pas zhvillimit të tri proceseve të ndara të votimit, miratimi i kandidatëve të Listës Serbe u refuzua, ndërsa lista e KDTP-së, e për të cilën pati ankesë se nuk e ka respektuar kuotën gjinore, mori miratim.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe, e ka cilësuar të jashtëligjshëm refuzimin që KQZ-ja ia bëri shpalljes së rezultateve përfundimtare për këtë subjekt politik.

Këtë refuzim ai e cilësoi si të motivuar politikisht.

Simiq ka paralajmëruar se Lista Serbe do të ankohet në PZAP.

“Sapo jemi njoftuar nga KQZ-ja në Prishtinë se anëtarët e KQZ-së jashtëligjshëm kanë refuzuar të shpallin rezultatet përfundimtare kur bëhet fjalë për votat e fituara nga Lista Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 28 dhjetor të vitit të kaluar. Me këtë, sikur edhe pati nisur ky proces zgjedhor dhe në rastet e mëhershme, regjimi i Albin Kurtit po përpiqet ta bëjë të pamundur që serbët të zgjedhin përfaqësuesit politikë që do të luftojnë për interesat e popullit serb”, ka thënë Simiq, ka raportuar mediumi në gjuhën serbe “Kossev”.

E, mosmiratimi i kandidatëve të Listës Serbe për deputetë nxiti reagimin edhe të hulumtuesit të Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli. Këtë vendim ai e quajti absurd.

“Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”, ka thënë Cakolli.

Ai një ditë më parë pati reaguar edhe kundër shpalljes së rezultateve para konsumimit të afatit 48-orësh për ankesa të partive, e që, sipas tij, ishte e kundërligjshme.

Por gjatë mbledhjes së të shtunës kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se nuk është bërë shkelje ligjore lidhur me shpalljen e rezultateve para përfundimit të afatit 48-orësh dhe se subjekteve politike nuk u mohohet e drejta për të paraqitur ankesa pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa. Sipas tij, dispozita vlen vetëm për numërimin e votave në qendra komunale të numërimit si dhe në Qendrën e Numërimit të Rezultateve ku numërohen një kategori votash, si të diasporës e personave me nevoja të veçanta.

Radoniqi e bëri shpalljen e rezultateve.

“Në vijim kemi subjektet dhe ulëset që kanë fituar dhe kandidatët. Atëherë, Lëvizja Vetëvendosje me 57 ulëse të fituara, PDK ka fituar 22 ulëse, LDK ka fituar 15 ulëse, AAK 6 ulëse”, ka thënë ai.

Shpallja e rezultateve u bë pas rinumërimit, gjatë të cilit u konstatua manipulim me vota të kandidatëve për deputet. Lidhur me tjetërsimin e votës u aktivizuan institucione të sigurisë e drejtësisë. Në Prizren janë paraburgosur 28 persona të dyshuar, ndërsa në Malishevë 15 të tjerë.

Subjektet politike dhe kandidatët për deputetë kanë 48 orë afat për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e më pas edhe në Gjykatën Supreme.