Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dimal Basha zgjidhet kryeparlamentar, konstituimin e vonon nënkryetari serb

Pas gati shtatë muajsh prej zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryeparlamentarin e ri. Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 73 vota pro për të marrë postin e kryetarit të Kuvendit. Për këtë post, Basha mori vota edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Vonesa janë shfaqur te propozimi i Listës Serbe për Sllavko Simiqin. Pas tri dështimeve, partia nuk propozoi më emra të tjerë, e kryetari Basha vendosi për hedhje të shortit. E pasi disa emra dështuan edhe në short, Basha vendosi që seanca të vazhdojë të enjten. Pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar. Ndiqni këtu të gjitha zhvillimet

Haxhiu: Shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim opozitar

1 v. më parë / 26 gus 2025 20:33
Albulena Haxhiu

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shpreson që partitë opozitare të legjislaturës së kaluar të reflektojnë dhe Nenad Rashiq të votohet të enjten për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. 

Haxhiu, e cila është zgjedhur nënkryetare, ka thënë se sot ishte mundësia e largimit të përfaqësuesit të Listës Serbe nga Kryesia e Kuvendit. 

“Sot kishte mundësi që dita të përmbyllej me dy lajme të mira. Konstituimi i Kuvendit dhe largimi i përfaqësuesit të Listës Serbe nga Kryesia e Kuvendit. Por fatkeqësisht, opozita nuk pati as vullnetin dhe as guximin e nevojshëm. Për vetëm gjashtë vota më shumë, z. Nenad Rashiq do të ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit. Shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim opozitar. Duke e ditur që kryeterroristi Milan Radoiçiq është kryetar formal i Listës serbe, le të përbashkohemi për Kosovën dhe sidomos për nder të heronjve tanë, si Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. 

Konstituimi i Kuvendit ka stagnuar të martën te zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit joshumicë serb. 

Pasi Sllavko Simiq nuk mori votat e nevojshme në tri tentime, e Lista Serbe s’propozoi opsione tjera, erdhi te zgjedhja me short. Pasi Vesna Çeraniq, Stefan Kovaçeviq nuk u votuan dhe Liljana Stefanoviq refuzoi të propozohej, erdhi radha te Nenad Rashiq. 

Ai mori 55 vota pro, një ishte kundër dhe 17 abstenuan. 
 

Osmani shpreson që sa më parë të konstituohet Kuvendi dhe të votohet qeveria e re

1 v. më parë / 26 gus 2025 18:51
Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur fillimin e konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. 

Të martën është zgjedhur Dimal Basha kryetar i Kuvendit, ndërsa nënkryetar janë zgjedhur Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilia Rexhepi. 

Konstituimi është bllokuar te zgjedhja e nënkryetarit nga radha e komunitetit joshumicë serb. Seanca e radhës do të mbahet të enjten.

Osmani shpreson që sa më parë të konstituohet Kuvendi e të votohet qeveria e re. 

“Presidentja mirëpret që procesi i konstituimit të Kuvendit ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me kushtetutën. Ajo i uron punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit, znj.Albulena Haxhiu, Znj.Vlora Çitaku, z.Kujtim Shala dhe znj.Emilija Redžepi.  Presidentja shpreson që sa më parë, e në përputhje me procedurat kushtetuese, Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, thuhet në njoftimin e Presidencës. 
 

Murati: PDK e LDK ta mbështesin Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit

1 v. më parë / 26 gus 2025 17:49
Hekuran Murati

Foto: KSP

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka ngecur te votimi i nënkryetarit nga radhët e komunitetit joshumicë serb.

Lista Serbe ka insistuar në emrin e Sllavko Simiqit, që nuk i mori votat e nevojshme.

As, deputeti serb Nenad Rashiq nga partia “Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i cili u vetpropozua për nënkryetar nga komuniteti serb nuk mori votat e mjaftueshme, ndonëse u tërhoq emri i tij me short.
Megjithatë, deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati po kërkon nga PDK dhe LDK-ja ta mbështesin Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit, pasi që sipas tij, në këtë mënyrë përjashtohet Lista Serbe nga Kryesia e Kuvendit.

Deputeti Murati thotë se nëse vazhdon qëndrimi i njëjtë i PDK-së dhe LDK-së, rasti mund të humbet në Gjykatën Kushtetuese dhe kështu të dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Sot kishim një Grup Parlamentar, si ai i LDK-së që refuzoi të merrte pjesë në votim, përkundër që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e thekson që deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në votim. Ndërkaq, në anën tjetër kishim edhe deputetët e PDK-së, të cilët abstenuan. Unë shpresoj që përgjatë këtyre 48 orëve në vijim do të ketë një reflektim dhe PDK, LDK, AAK dhe Nisma të cilat nuk ishin fare prezent sot në sallë të kthehen në seancën e pasnesërme dhe të votojnë për kandidatin Nenad Rashiq, në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i Kuvendi. Nëse përsëriten votimet e PDK-së dhe LDK-së, pra qoftë duke mos marrë pjesë si LDK-së apo duke abstenuar, atëherë, përçohet edhe mesazhi që asnjë deputet nga komuniteti serb nuk merr votat për nënkryetar, dhe kësisoj mund të dërgohet rasti edhe humbet në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq, nëse e kemi rastin të sigurohen edhe katër pesë vota tjera nga partitë shqiptare për të votuar për deputetin Nenad Rashiq për nënkryetar, atëherë konstitohet Kuvendi dhe arrihet që Lista Serbe të mos jetë në Kryesinë e Kuvendit”, theksoi ai.

Murati tha se të gjithë kandidatët nga Lista Serbe janë të papranueshëm për subjektin politik Vetëvendosje, pasi që sipas tij, janë të implikuar në sulmin terrorist në Banjskë.

Seanca konstituive është ndërprerë, ndërsa do të vazhdohte të enjten prej orës 11:00. Deputetët, në seancën e sotme përkundër zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve nga tri partitë e mëdha shqiptare, si dhe atë nga komunitetet jo serbe, dështuan ta zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb.

Sot, gjatë ditës, me 73 vota për është zgjedhur për kryetar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha./KSP
 

Abdixhiku: Gabim trashanik vota e dy partive të ish-opozitës për Dimal Bashën

1 v. më parë / 26 gus 2025 17:38
Lumir Abdixhiku

Foto: KSP

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku e konsideron gabim trashanik votën e dy partive, PDK-së e AAK-së për zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar. Ai tha se LDK-ja “nuk mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”.

Pas ndërprerjes së seancës, meqë deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, Abdixhiku u deklarua sa i përket zgjedhjes së kryeparlamentarit.

“Besoj se sot është shumë e qartë dallimi i vlerave që kemi ne me ta, edhe sa i përket respektimit të Kushtetutës, por edhe sa i përket përmbajtjes së njerëzve që ne besojmë se duhet t’i prijnë institucioneve të Kosovës dhe ky dallim kristal i qartë sot u kurorëzua me triumf të injorancës, me triumf të zërit përçarës, ndarës, por shpresoj që votuesit e partisë së parë sot ndihen të përfaqësuar në atë çfarë kanë marrë prej partisë së parë. E ndjej si gabim trashanik po ashtu votën e dy partive tjera të ish-opozitës, PDK-së dhe AAK-së që institucioneve të Kosovës t’i japin një emër të tillë. Gjithsesi ky është vullnet i 73 deputetëve shumicë, LDK-ja e respekton këtë vullnet është parti institucionale, por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”, deklaroi Abdixhiku.

Ai tha se institucionet do të futen në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicës serbe.

“Sa i përket pjesës tjetër tani është çështje konstitucionale, besoj që do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës, në radhë të parë të pakicës serbe, e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të së drejtës për propozim në këtë drejtim. Dhe ajo çka është fatkeqe është që Kosova të mos mbetet me institucione peng të vullnetit të Beogradit. E mendoni nesër një situatë ku Lista Serbe nuk propozon fare emër, dhe më pas i gjithë institucioni i Kosovës mbetet i bllokuar. Pra, këtë praktikë nuk guxojmë ta lejojmë e besoj që këtu ka ndodhur një lëshim i madh politik nga kryetari i ri, por edhe partia e parë”, shtoi ai.

Kreu i LDK-së tha se nuk marrin pjesë në procese, siç tha ai, që nuk i konsiderojnë kushtetuese.

“Ne nuk marrim pjesë në procese që nuk i konsiderojmë si kushtetuese në radhë të parë dhe për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor në këtë drejtim. Pra, ky është qëndrimi ynë dhe le të shohim se si do të votohet tutje nga deputetët shumicë të Kuvendit dhe të kenë qëndrime në vijim”, u shpreh ai.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u pyet nga gazetarët nëse është zhbllokuar Kuvendi, për çka shkurt tha “jo jo, nuk është kryer ende”./KSP

 

Ambasadori britanik bën thirrje që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi

1 v. më parë / 26 gus 2025 17:06
Jonathan Hargreaves - ambasadori britanik ne Kosove

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje partive politike që të ndërmarrin sa më shpejt hapat e radhës dhe ta konstituojnë Kuvendin e të krijohet qeveria e re. 

Hargreaves ka mirëpritur zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Dimal Basha është zgjedhur kryekuvendar të martën, ndërsa konstituimi i plotë i Kuvendit ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga radha e komunitetit joshumicë serb. Seanca është shtyrë për të enjten. 

“Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është përparim i mirëpritur dhe tregon se kompromisi politik në interes të vendit është i mundur nëse ekziston vullneti. U bëj thirrje partive politike në Kosovë që të marrin hapat e radhës sa më shpejt e ta përfundojnë formimin e Kuvendit dhe të qeverisë së re”, ka shkruar Hargreaves në Facebook. 


 

Rohde për moskonstituimin e Kuvendit: S'ka mjaft vullnet politik

1 v. më parë / 26 gus 2025 16:54
Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, duke komentuar moskonstituimin e Kuvendit, për shkak se shumica e deputetëve refuzuan ta votojnë nënkryetarin nga Lista Serbe, ka thënë se protagonistët nuk kanë vullnet politik për të gjetur një zgjidhje dhe se kjo është e keqe për Kosovën.

Ai u ka thënë mediave se kishte shpresë që kriza mund të zgjidhej por në këto momente nuk duket e mundur.

“Më duket se këtë mëngjes kisha një shpresë të shkurtër që kriza mund të zgjidhej, por në këtë moment nuk duket e mundur. Ndoshta nuk ka mjaft vullnet politik ndër protagonistët për të gjetur një zgjidhje. Kjo është e keqe për Kosovën, sepse shumë fonde janë në lojë dhe na duhen institucione funksionale, si parlamenti dhe qeveria”, tha ai./ KP

 

Sërish nuk konstituohet Kuvendi

1 v. më parë / 26 gus 2025 16:06
Kuvendi i Kosovë seanca e natës 26 korrik

Photo: Driton Paçarada

Ani pse u zgjodh kryetari dhe katër nënkryetarët, Kuvendi sërish nuk është konstituuar.

I gjithë procesi ka ngecur në zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Lista Serbe me nëntë deputetë ka propozuar emrin e Sllavko Simiq për nënkryetar.  Megjithatë në foltore ka marrë fjalën edhe deputeti i vetëm serb që nuk i takoj këtij grupi, Nenad Rashiq që e propozoi emrin e vet për nënkryetar.

Sllavko Simiq për tri herë më radhë nuk i mori votat për të marrë pozitën e nënkryetarit, derisa partia e tij refuzoi të propozonte një emër tjetër.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, duke konstatuar se Lista Serbe nuk ka dashur ta propozojë një emër të dytë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovë, ka vendosur që propozimi nga ky subjekt të kalojë me short.

Ky vendim i Bashës u mor pasi Lista Serbe dështoi në tri përpjekje për ta zgjedhur nënkryetar të Kuvendit, Sllavko Simiqin. Basha ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve mund të propozohet emri i njëjtë deri në tri herë dhe jo më shumë.

Nga shorti dolën katër kandidatë për votim (Vera Çeraniq, Stefan Kovaçeviq, dhe Nenad Rashiq, bashkë me Liljana Stefanoviq e cila refuzoi të votohej për nënkryetare), tre prej tyre u votuan, porse asnjëri s’i mori votat për të marrë pozitën e nënkryetarit, çka çoi në shtyrjen e seancës për të enjten.

Para se të votoheshin nënkryetarët e pakicave, deputetët zogjdhën katër nënkryetarë. Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike  u zgodhën me shumicë votash. Deputetët kanë miratuar edhe propozimin e komuniteteve joshumicë, joserbe, për votim të nënkryetarëve me rotacion. Nga ky grup nënkryetarë me rotacion do të jenë Emilja Rexhepi, Fidan Gjilta dhe Artan Asllani.

Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve është dashur të votohen në pako, duke ndjekur logjikën dhe praktikën e deritanishme të votimit të tre nënkryetarëve tjerë.

As Rashiqi s’arrin të bëhet nënkryetar i Kuvendit

1 v. më parë / 26 gus 2025 15:55
Nenad Rashiq

As Nenad Rashiq nuk ka arritur të marrë shumicën për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Ai mori 55 vota pro. Një ishte kundër dhe 17 abstenuan.

Paraprakisht deputetë të Listës Serbe dështuan në votim. Duhen 61 vota pro.

Pas këtij votimi, kryetari Basha vendosi që ta ndërpresë seancën për të enjten.

Liljana Stefanoviq refuzon të propozohet për nënkryetare

1 v. më parë / 26 gus 2025 15:53
Sllavko Simiq

Liljana Stefanoviq ishte emri i radhës që është tërhequr në shortin për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

Deputetja e Listës Serbe megjithatë ka refuzuar që emri i saj të dalë në votim.

Kryetari Dimal Basha vendosi që ajo të eliminohet nga shorti.

Pas saj shorti i ra sërish deputetes Çeraniq që refuzoi po ashtu pjesëmarrjen. 

As Stefan Kovaçeviq s’i merr votat

1 v. më parë / 26 gus 2025 15:50
Lista Serbe

Stefan Kovaçeviq është emri i radhës i Listës Serbe që ka dështuar të bëhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Emri i tij u caktua me short.

Ai s’mori asnjë votë pro, ndërsa kundër ishin 48 e 19 abstenuan.

As Çeraniq e Listës Serbe s’i merr votat, shorti vazhdon

1 v. më parë / 26 gus 2025 15:45
Kuvendi

Verica Çeraniq e Listës Serbe doli emri i parë në shortin për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. 

Megjithatë, as kjo deputete nuk mori votat e mjaftueshme. Madje Çeraniq nuk ka marrë asnjë votë për.

Ajo po votohet për herën e dytë në short.

Lista Serbe refuzon, shorti për nënkryetar nuk ndalet

1 v. më parë / 26 gus 2025 15:39
Dimal Basha

Lista Serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në shortin për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Në këtë komision po marrin pjesë vetëm kryetari Dimal Basha, deputeti serb jo nga radhët e Listës Serbe, Nenad Rashiq, dhe sekretari i Kuvendit.

Pas kësaj do të tërhiqen me short emrat, dhe për cilindo që zgjidhet do të bëhet votimi. Nëse nuk merr shumicën, kalohet në emrin tjetër.

Cakolli: Nënkryetarët e komuniteteve duhet të votoheshin në pako, LDK-ja e shkeli Kushtetutën

1 v. më parë / 26 gus 2025 15:27
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve është dashur të votohen në pako, duke ndjekur logjikën dhe praktikën e deritanishme të votimit të tre nënkryetarëve tjerë.

Sipas tij, nuk mund të ketë dy kandidatë për pozitën e njëjtë të nënkryetarit nga radhët e komuniteteve – serb dhe të tjerëve.

Ka shtuar se e drejta e propozimit i takon vetëm shumicës së deputetëve të atij komuniteti.

“Megjithatë, edhe nëse pretendohet ndonjë shkelje në këtë proces, kusht për adresimin e saj në Gjykatën Kushtetuese është inicimi nga të paktën 10 deputetë. E sipas përbërjes politike të Kuvendit, në mesin e komunitetit në fjalë, kaq numra mungojnë”, ka thënë ai duke shtuar se procedura është e qartë.

Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës. të njëjtit janë votuar në pako, veçmas nënkryetarëve të partive joshumicë.  Pro votimit të tyre, në pako, ishin 101 deputetë. Nëntë të Listës Serbe abstenuan.

 Ndërkohë Cakolli ka thënë se obligohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve në votim të nënkyetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në votimin e Slavko Simiqit për nënkryetar të Kuvendit.

“Të gjitha pikat e aktgjykimit, përfshirë obligimin për pjesëmarrje në votim, ndjekje të procedurave të parapara në Rregullore, si dhe nevojën për konsultime e kompromis, vlejnë edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Mosrespektimi i tyre përbën shkelje të Aktgjykimit, që është e barasvlefshme për nga pesha juridike, sikur edhe për kryetarin. Afati 30-ditor (deri më 17 shtator) do të jetë në fuqi, deri në zgjedhjen edhe të nënkryetarit të mbetur”, ka shkruar ai.

I pyetur nëse LDK-ja e ka shkelur Kushtetutën me mospjesëmarrje në votim, Cakolli e ka pohuar një gjë të tillë.

“LDK dhe disa deputete tjerë po e shkelin aktgjykimin, rrjedhimisht Kushtetutën. Njëjtë, do të shkelet Kushtetuta nëse propozohet sërish deputeti i njëjtë nga radhët e komunitet serb”, është përgjigjur ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka konstatuar se Lista Serbe nuk ka dashur ta propozojë një emër të dytë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovë dhe ka vendosur që propozimi nga ky subjekt të kalojë me short.

Ky vendim i Bashës u mor pasi Lista Serbe dështoi në tri përpjekje për ta zgjedhur nënkryetar të Kuvendit, Sllavko Simiqin. Basha ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve mund të propozohet emri i njëjtë deri në tri herë dhe jo më shumë.

Propozimi i komunitetit serb për nënkryetar bëhet me short

1 v. më parë / 26 gus 2025 15:13
Kuvendi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka konstatuar se Lista Serbe nuk ka dashur ta propozojë një emër të dytë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovë dhe ka vendosur që propozimi nga ky subjekt të kalojë me short.

Ky vendim i Bashës u mor pasi Lista Serbe dështoi në tri përpjekje për ta zgjedhur nënkryetar të Kuvendit, Sllavko Simiqin. Basha ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve mund të propozohet emri i njëjtë deri në tri herë dhe jo më shumë.

Pasi ftoi Listën Serbe në disa raste për të propozuar emrin e dytë dhe kjo nuk ndodhi, ai vendosi që të çojë procedurën nëpërmjet shortit.

Çka thuhet në rregulloren e Kuvendit për propozimet e subjekteve të komunitetit, për nënkryetarë të Kuvendit.

6.1. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, dhe

6.2. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë.

7. Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse. Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.

Lista Serbe synon ta propozojë katër herë Simiqin, Basha s’i lejon

1 v. më parë / 26 gus 2025 15:07
Lista Serbe

Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe, ka propozuar emrin e Sllavko Simiq për herën e katërt rresht për postin e nënkryetarit. Megjithatë, kryetari Dimal Basha ka thënë se në frymën e aktgjykimit theksohet që emërimet duhet të propozohen vetëm tri herë me të njëjtin emër.

“S’mund të ketë standard ndryshe për kryetar, dhe një tjetër për nënkryetar”, ka thënë ai duke kërkuar emër tjetër për propozimin për nënkryetar.

Në të njëjtin skenar Igor Simiq ka dalë disa herë për të propozuar emrin e njëjtë, duke u arsyetuar se aktgjykimi ka qenë për kryetar dhe jo për nënkryetar.

E Basha i ka thënë se nëse nuk propozon emër tjetër, kjo do të bëhet me short.

VIDEO: Momenti kur propozohet për herë të katërt Simiqi

Sllavko Simiq dështon edhe në votimin e tretë

1 v. më parë / 26 gus 2025 15:00
nenkryetaret

Sllavko Simiq ka dështuar të bëhet nënkryetar edhe në votimin e tretë. Ai sërish mori vetëm 10 vota.

Kundër ishin 56 deputetë e 21 abstenuan.

Para propozimit të tretë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk lejoi Igor Simiqin që të zgjasë fjalën teksa e falënderoi që “po e respektoni Kushtetutën e Kosovës, por duhet bërë propozimin”.

Sllavko Simiq dështon edhe në votimin e dytë

1 v. më parë / 26 gus 2025 14:56
Sllavko Simiq

Sllavko Simiq ka dështuar të bëhet nënkryetar edhe në votimin e dytë. Ai sërish mori vetëm 10 vota.

Kundër ishin 56 deputetë. Abstenuan 21. 

Në propozimin e dytë, Igor Simiq si përfaqësues i Listës Serbe ka thënë se ky propozim bëhet me “shumicën e deputetëve të komunitetit serb”. Lista Serbe ka nëntë ulëse nga 10 vendet e rezervuara. Ulësja e dhjetë është e deputetit Nenad Rashiq.

Kuvendi refuzon Sllavko Simiqin për nënkryetar

1 v. më parë / 26 gus 2025 14:52
Sllavko Simiq

Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër Sllavko Simiqit për nënkryetar.

Ai mori vetëm 10 vota pro.  

Kundër votuan 55 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe komunitetet joshumicë dhe 23 abstenuan.

Lista Serbe propozon Simiqin për nënkryetar, Rashiqi veten

1 v. më parë / 26 gus 2025 14:27
Nenad Rashiq

Lista Serbe me nëntë deputetë ka propozuar emrin e Sllavko Simiq për nënkryetar. 

Megjithatë në foltore ka marrë fjalën edhe deputeti i vetëm serb që nuk i takoj këtij grupi, Nenad Rashiq që e propozoi emrin e vet për nënkryetar.

Haxhiu, Çitaku e Shala – nënkryetarë të Kuvendit

1 v. më parë / 26 gus 2025 14:17
nenkryetaret

Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës.

Pro votimit të tyre, në pako, ishin 101 deputetë. Nëntë të Listës Serbe abstenuan.

Deputetët kanë miratuar edhe propozimin e komuniteteve joshumicë, joserbe, për votim të nënkryetarëve me rotacion. Nga ky grup nënkryetarë me rotacion do të jenë Emilja Rexhepi, Fidan Gjilta dhe Artan Asllani.