Arbëri

Buja e quan të pabazë, qesharak e politik vendimin e Gjykatës për dënimin e tij me burgim

Shukri Buja

Shukri Buja e ka cilësuar këtë vendim si betejë të vogël, qesharake dhe të motivuar politikisht, që sipas tij, do të përfundojë në “shportën e mbeturinave historike”

Kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Lipjan dhe kandidati për kryetar komune, Shukri Buja, e ka quajtur të pabazë, qesharak dhe politik vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar atë dhe nëntë të pandehurit e tjerë me nga një vit burgim në rigjykimin e rastit “Veteranët”.

Sipas Bujës, ky është tentim për ta ndalur në rrugëtimin e tij politik. 

Ai e ka cilësuar këtë vendim si betejë të vogël, qesharake dhe të motivuar politikisht, që sipas tij, do të përfundojë në “shportën e mbeturinave historike”.

“Unë kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, një shtet për të cilin kam sakrifikuar rininë time në burgjet serbe, kam luftuar për çlirim së bashku me bashkëluftëtarët, kam ndihmuar në ndërtimin e institucioneve, si dhe kam shërbyer me përkushtim e përgjegjësi në komunën tonë. Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e të motivuara politikisht unë nuk i mohoj, por i sfidoj me dinjitet dhe në rrugë ligjore. Dua t’ju njoftoj se rrugëtimin tim politik për të udhëhequr Komunën e Lipjanit do ta vazhdoj me vendosmëri, sepse ligji nuk e ndalon kandidimin tim”, ka shkruar ai në Facebook.