Arbëri

Çeku dhe 9 të tjerët dënohen me nga 1 vit burgim në rastin “Veteranët”, Lushtaku e Elezaj lirohen

Rasti veteranët

Foto: Arkiv

Aktgjykim dënues ka nxjerrë Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykimin e rastit të njohur si “Veteranët”.

10 nga të akuzuarit, ish-kryeministrin Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u dënuan me nga një vit burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare. 

“Të akuzuarit Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demalia, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari janë fajtorë për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të kodit penal të Republikës së Kosovës dhe gjykata në bazë të dispozitave të kodit të procedurës penale të kodit penal të Republikës së Kosovës të akuzuarit i gjykon me dënim me burgim secilin veç e veç me kohëzgjatje prej 1 viti. Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që të formojë komisione përkatëse që në procedurë administrative të bëj rishqyrtimin e listës prej 19,500 personave aplikues veteran luftëtarë si në shtojcën e aktakuzës së prokurorisë speciale në afat prej 1 viti pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë”, ka thënë Gazmend Bahtiri, kryetar i trupit gjykues.

 

Trupi gjykues, i kryesuar nga Gazmend Bahtiri, i liroi dy nga të akuzuarit, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, pasi konstatoi se ata nuk ishin zyrtarë në kohën e kryerjes së veprës penale. 

“Të akuzuarit Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, me shënime personale si në shkresa të lëndës, në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 pika 1.3 lirohen nga akuza për shkak se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për arsye se të njëjtit nuk e kanë pasur asnjëherë cilësinë e personit zyrtar”, ka shtuar Bahtiri.

Prokuroria Speciale e ka mirëpritur aktgjykimin dënues për 10 të akuzuarit.

Nga ky institucion kanë thënë se pas pranimit të aktgjykimit, do të vendosin për paraqitjen e ankesës në Gjykatën e Apelit sa i përket lartësisë së dënimit.

 

Prokuroria në një komunikatë ka shkruar se do ta shqyrtojë se si do të veprojë lidhur me ankesën edhe në raport me dy të pandehurit të cilët janë liruar.

Sipas aktakuzës 12, të pandehurit e kanë dëmtuar buxhetin publik për 88 milionë euro, pasi si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit ua kanë mundësuar fitimin e statusit të veteranit në mënyrë të kundërligjshme personave të cilëve u kanë krijuar qëllimisht përfitim pasuror.

Aktakuzën për këtë rast e ngriti prokurori Elez Blakaj në dhjetor të 2018-ës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.