Arbëri

Njohës të çështjeve të drejtësisë mirëpresin aktgjykimin për rastin “Veteranët”

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, e vlerëson lajm të mirë vendimin e Themelores pas gati një dekade diskutim lidhur me çështjen e veteranëve. Sipas tij, për të përfunduar brenda një viti verifikimi i 19.500 veteranëve, duhet vullnet politik. E avokati Ardian Bajraktaraj ka deklaruar se riverifikimi i listës nënkupton rishikim të aplikacioneve një nga një

Efekt në tkurrjen e listës së fryrë të veteranëve mund të prodhojë aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin “Veteranët” nëse konfirmohet në Apel. 

Themelorja e ka obliguar Qeverinë e Kosovës që brenda një viti të krijojë komisione të reja për të rishqyrtuar listën prej 19.500 personave aplikues për veteranë luftëtarë, aq sa prokuroria pretendon se janë përfitues të jashtëligjshëm.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, e vlerëson lajm të mirë vendimin pas gati një dekade diskutim lidhur me çështjen e veteranëve.

“Kjo detyrë është në bazë të ligjit te Komisioni i verifikimit që themelohet brenda Zyrës së Kryeministrit. Ai komision në bashkëpunim me grupet e tjera punuese në terren edhe me komandantët e të tjerët që janë kompetentë, duhet në njëfarë mënyre ta bëjë një rivlerësim për të vërtetuar të gjithë ata të cilët nuk i plotësojnë kushtet për të qenë veteranë të luftës”, ka thënë Miftaraj. 

Miftaraj ka theksuar se për t’u përfunduar brenda një viti verifikimi i 19.500 veteranëve duhet vullnet politik. 

E avokati Ardian Bajraktaraj ka deklaruar se riverifikimi i listës prej mbi 19 mijë veteranësh, sa pretendohet se janë të paligjshëm, nënkupton rishikim të aplikacioneve një nga një.

“Besoj që Qeveria duhet nëse ka nevojë të angazhojë edhe kapacitete shtesë në mënyrë që ta përmbyllë këtë, sepse në instancë të fundit është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për Qeverinë, edhe për shtetin, që njëherë e përgjithmonë të konstatohet e vërteta sa i takon numrit të veteranëve që me të vërtetë është çështje shumë e diskutueshme për të ardhur te një konstatim real sesa ka qenë numri i të angazhuarve në luftë me theks të veçantë te veteranët luftëtarë”, ka thënë Bajraktaraj. 

Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim secilin ish-kryeministër të vendit, Agim Çekun dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”, ndërsa i ka liruar plotësisht nga akuzat dy të tjerë.

Çeku, ish-ministër i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputet, Shkumbin Demalijaj, pastaj Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u gjetën fajtorë për keqpërdorim të detyrës duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme në vlerë mbi 88 milionë euro.

Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj u shpallën të pafajshëm për akuzat e njëjta pasi, sipas gjykatës, “nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar" kur janë hartuar listat.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shfrytëzuan detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të buxhetit të shtetit.

Për vitin 2025, vlera e përgjithshme e pensioneve të veteranëve që parashihet në Ligjin për buxhet është 88,540,978 euro. 

Në maj të 2025-tës, në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 36,942  ishte numri i personave që përfitojnë prej skemës së pensioneve për veteranët, e prej tyre mbi 19.000, sipas prokurorisë janë të rrejshëm.

Më së shumti veteranë ka në tri komuna të Dukagjinit, në Deçan mbi 4.000, në Pejë mbi 3.700, në Gjakovë mbi 3.300, që përbën gati 30 për qind të personave me status veterani në nivel vendi. 

Kosova në vitin 2000, në bazë të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), i ka pasur 24.577 luftëtarë. 

Ish-presidenti Hashim Thaçi më 2018 pati deklaruar se numri i tyre ishte edhe më i ulët.

“E vërteta është më se e qartë, nuk ka pasur më shumë se 12-15 mijë njerëz me armë dhe uniformë, ndërsa të tjerët janë vetëm mashtrime”, pati thënë Thaçi në një konferencë rajonale kundër korrupsionit më 4 tetor 2018.