Lifestyle

Ndryshimi që do t'iu ndihmojë të humbisni peshë pa reduktuar kaloritë

Ushqimi i shëndetshëm

Një studim i ri ka treguar se ndryshimi më i vogël në pjatë mund të ndihmojë në humbje peshe, pa pasur nevojë të numërohen kaloritë.

Sipas studimit të publikuar në European Journal of Nutrition, mjafton zëvendësimi i një pjese të mishit të kuq me bishtajore, si fasule, qiqra apo thjerrëza, për të pasur rezultate pozitive në peshë dhe në shëndetin e zemrës, ka raportuar Eating Well.

Në një studim gjashtëjavor të kryer në Finlandë me 102 burra të shëndetshëm, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe:

-Grupi që hante rreth 760 gramë mish të kuq dhe të përpunuar në javë (rreth 25 për qind e proteinave ditore).

-Grupi që konsumonte vetëm 200 gramë mish në javë, ndërsa proteinat e tjera i merrte nga ushqime me bazë bishtajoresh.

Pas gjashtë javësh, grupi që konsumoi më shumë bishtajore humbi më shumë peshë, rreth 1 kilogram, ani pse kishte ngrënë mesatarisht 240 kalori më shumë në ditë sesa grupi që konsumonte mish. Për më tepër, niveli i kolesterolit total dhe LDL (“i keq”) ra ndjeshëm më shumë te ky grup. 

“Rezultatet tregojnë se nuk është e nevojshme të hash më pak për të parë ndryshime. Thjesht ndryshimi i përbërjes së pjatës, më shumë fibra dhe më pak mish të kuq, mund të përmirësojë peshën dhe shëndetin e zemrës”, thuhet në analizën e autorëve të studimit.

Ndërkohë, niveli i vitaminës B12 te grupi i bishtajoreve ra pak, por mbeti në vlera normale. Hekuri madje u rrit në ushqimet bimore, megjithëse absorbohet më ngadalë sesa ai që vjen nga mishi. Jodi mbeti i pandryshuar.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se kërkimi ka disa kufizime, ishte afatshkurtër, përfshiu vetëm burra dhe pjesëmarrësit raportuan vetë ushqimin dhe aktivitetin fizik. Kjo mund të ketë ndikuar në rezultate.

Në praktikë, studiuesit rekomandojnë që njerëzit të shtojnë bishtajoret në menynë e tyre disa herë në javë, pa e hequr plotësisht mishin:

-Për ushqimin meksikan të njohur si “takos”, provoni të zëvendësoni gjysmën e mishit me fasule të erëzuara.

-Për burgerë, përzieni pak mish me qiqra ose bëni qofte vetëm me fasule.

-Për darka të shpejta, piqni qiqra me perime dhe vaj ulliri, dhe shërbejeni me një copë të vogël mishi.

-Në makarona, shtoni pak fasule të bardha në salcë për më shumë proteina e fibra.

-Për ushqim praktik gjatë javës, përgatisni një pjatë me drithëra, perime dhe fasule.

Sipas ekspertëve ky ndryshim është i thjeshtë, ekonomik dhe i dobishëm.

“Në një studim gjashtëjavor, burrat që zëvendësuan një pjesë të mishit me bishtajore humbën më shumë peshë dhe përmirësuan kolesterolin, pa e kufizuar ushqimin”, thuhet në raportin e studimit.