Arbëri

Bizneset paralajmërojnë protesta, Qeveria thotë se po u ofron ndihmë për përballje me daljen në treg të hapur

https://www.koha.net/lajmet-e-mbremjes-ktv/te-enjten-protestojne-bizneset-per-dy-ore-do-te-bllokohen-tri-hyrjet-kryesore-te-prishtines

Një ditë para protestës së paraljamëruar nga bizneset kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se me kërkesë të saj, Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, të mërkurën ka mbajtur takim me odat ekonomike dhe bizneset prodhuese në lidhje me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Në njoftimin për takimin thuhet se Qeveria do të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin intensiv me bizneset, siç theksohet, “për t’i ndihmuar në përballjen me këto sfida”.

Në njoftim citohen kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

“Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të qëndrojë pranë prodhuesve në çdo sfidë që rrjedhë nga ky proces, ndërsa Ministrja Rizvanolli theksoi se Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin intensiv me bizneset, dhe veçanërisht prodhuesit, për t’i ndihmuar në përballjen me këto sfida. Si hap konkret i radhës, u dakordua një takim i përbashkët mes furnizuesve të energjisë elektrike në Kosovë dhe kompanive që pritet të dalin në treg të hapur, ku palët do të këmbejnë informata praktike, në funksion të rritjes së konkurrencës dhe mirë-informimit, në mënyrë që bizneset të bëjnë zgjedhjet më të favorshme”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se drejtori i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka njoftuar se që nga takimi i datës 19 maj 2025, ZRRE-ja ka pasur komunikime me furnizuesit e licencuar. 

“... gjashtë prej tyre kanë raportuar se janë aktivë dhe pesë tashmë kanë dhënë oferta furnizimi për ndërmarrje të ndryshme. ZRRE gjithashtu njoftoi se ka pasur rritje të interesimit të kompanive rajonale për të ofruar energji elektrike në Kosovë, dhe si rezultat, numri i kompanive të licensuara për furnizim me energji elektrike është rritur në 21”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramoz Hashani, ka sqaruar opsionin e furnizuesit të mundësisë së fundit për kompanitë të cilat nuk arrijnë të nënshkruajnë kontrata furnizimi para daljes në treg të hapur. 
“Ai njoftoi pjesëmarrësit se kompanitë të cilat nuk kanë mundur të sigurojnë kontrata të rregullta për furnizim duhet të nënshkruajnë kontratë me KEK-un për të përfituar nga kjo mundësi që ua ofron legjislacioni”, thuhet në njoftim.

Bizneset kanë paralajmëruar se të enjten, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për dalje në treg të hapur, i cili pritet që të hyjë në fuqi duke nisur nga 1 qershori, do t’i bllokojnë tri hyrjet kryesore për në Prishtinë – atë nga Veterniku, nga Fushë-Kosova dhe nga Podujeva. 

Bazuar në vendimin e ZRRE-së bizneset të cilat kanë mbi 50 punëtorë dhe mbi 100 milionë euro qarkullim detyrohen që të zgjedhin se prej ku do të furnizohen me rrymë me çmime të parregulluara nga ZRRE-ja