LAJMET E MBRËMJES

Bizneset kërkojnë nga Qeveria uljen e kostove të energjisë për bizneset

Përfaqësuesit e odave ekonomike i kanë drejtuar një letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kërkesën për marrjen e masave për të ulur koston e energjisë elektrike për bizneset. Kërkohet po ashtu edhe anulimi i njoftimit të ZRRE-së për daljen në treg të hapur. Edhe Oda Amerikane e Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën se si po zbatohet liberalizimi i tregut të energjisë nga ZRRE-ja

Përfaqësuesit e bizneseve i kanë kërkuar të mërkurën Qeverisë që të subvencionojë sektorin privat në çështjen e energjisë elektrike dhe t’i kërkojë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të anulojë njoftimin për dalje në treg të hapur.

Në letrën e dërguar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), bashkë me përfaqësues të tjerë të biznesit, thuhet se shtrenjtimi i energjisë si pasojë e daljes në treg të lirë do të ketë goditje për ekonominë.

“Qeveria e Kosovës të marrë si model strategjinë e re industriale të Mbretërisë së Bashkuar si një pikë kthese, duke i dhënë përparësi uljes së kostove të energjisë elektrike për bizneset, veçanërisht në sektorët kryesorë si prodhimi. Si rezultat i problemeve ekonomike, globale, fokusi i kësaj strategjie është pikërisht sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe me kosto efektive të energjisë, sepse një gjë e tillë është thelbësore për të nxitur investimet, për të krijuar vende pune dhe për të rritur kapacitetet konkurruese të ekonomisë sonë”, thuhet në këtë letër.

E në të njëjtën ditë, edhe Oda Amerikane e Kosovës (OEK) ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën se si po zbatohet liberalizimi i tregut të energjisë nga ZRRE-ja. 

Reagimi i Odës bëhet pas aktvendimeve të fundit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila në të paktën dy raste të ndara ka pezulluar ekzekutimin e vendimeve të ZRRE-së që kanë të bëjnë me daljen në treg të hapur.

“Edhe pse aktualisht pezullimet zbatohen vetëm për një numër të kufizuar kompanish, implikimet janë më të gjera, pasi kompanitë e tjera janë në pritje të aktvendimeve ose të nisjes së procedurave gjyqësore. Oda Amerikane beson fuqishëm se reformat, përfshirë ato në sektorin e energjisë, duhet të drejtohen nga drejtësia, parashikueshmëria dhe trajtimi i barabartë para ligjit”, thuhet në reagim.

Në këtë kontekst, Oda i ka bërë thirrje ZRRE-së që të pezullojë menjëherë zbatimin e masave të kontestuara, deri në momentin kur gjyqësori të japë qartësi përmes vendimeve përfundimtare mbi të gjitha ankesat.

E Gjykata Komerciale ka bërë të ditur se ka në shqyrtim 10 padi të ushtruara kundër ZRRE-së për çështjen e tregut të hapur energjetik.

Ajo ka njoftuar se deri më tani ka marrë vendim për 4 raste, porse nuk ka treguar për mënyrën e vendosjes për secilën prej tyre, deri në pranim të dëshmisë nga pala në procedurë.

Në ZRRE të martën thanë se fjala është për raste individuale që ka të bëjë me kriteret për furnizim me energji elektrike në kuadër të shërbimit universal dhe se aktvendimi nuk nënkupton pezullimin e të gjithë procesit të liberalizimit të tregut.

Nga 1 qershori, bizneset me qarkullim prej mbi 10 milionë eurosh ose me mbi 50 punëtorë janë detyruar të zgjedhin vetë furnizuesit për energji. 

Bizneset që nuk e kanë zgjedhur furnizuesin mund të lidhin kontrata me KEK-un për një periudhë deri në 6 muaj.