Redaksia e “Betimit për Drejtësi” reagon ndaj deklaratës së pavërtetë të gjykatësit Eroll Gashi, i cili është cituar në media, duke demantuar lajmin e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, me titull “Urdhërohet të sjellet me forcë ministri Sveçla në rastin ku së bashku me 12 të tjerë po akuzohet për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës”.
Në vazhdim, po e ofrojmë në detaje raportimin e publikuar në formë të demantit, i cili nga provat e redaksisë së “Betimit për Drejtësi” rezulton se deklarimi i gjykatësit Eroll Gashi është i pavërtetë.
Sipas deklaratës së gjykatësit Gashi të publikuar për mediat online, “Nuk është lëshu urdhëresë, gabim është ajo”. Tutje, sipas këtij raportimi, “Gjykatësi Gashi ka sqaruar se në seancën e sotme ai ka konstatuar në procesverbal që personat mungojnë dhe nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre. Sipas gjykatësit pasi është konstatuar kjo gjykata ka kërkuar që të verifikohen adresat e tyre dhe të ridërgohen ftesat edhe një herë. Gjykatësi ka sqaruar se ka thënë në seancë që në rast se në seancën e radhës të pandehurit nuk paraqiten në sallën e gjyqit atëherë ai do obligohet të lëshoj urdhërin për sjelljen e tyre me forcë”, thuhet në raportin i cili tenton të demantojë raportimin e “Betimi për Drejtësi”. Krejt në fund, sipas këtij raportimi, thuhet se gjykatësi Gashi ka thënë se “Nëse bijnë arysetime që nuk kanë mundur me u parqit, janë me COVID-19 ose diçka edhe ajo e arsyeton faktin mos me lëshu urdhëresë, përndryshe deri në momentin kur do të caktojë seancën, nëse nuk paraqiten arsyetimet për mos prezencë në seancë, do të lëshojë urdhëresën për sjellje me detyrim”.
Ky parafrazim dhe kjo deklaratë e cituar e gjykatësit Eroll Gashi në raportin e publikuar, është tërësisht e pavërtetë dhe kjo dëshmohet përmes provave të cilat i posedon redaksia e “Betimit për Drejtësi”, përkatësisht përmes procesverbalit të seancës dhe audioincizimit.
Sipas procesverbalit të kësaj seance, ku ishte i akuzuar Xhelal Sveçla dhe të tjerët, i cili është përpiluar nga vetë gjykatësi Eroll Gashi, thuhet se “Nuk prezanton i pandehuri Xhelal Sfeçla, edhe pse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e arsyeton”. Tutje në këtë procesverbal, potencohet edhe për të pandehurit, të cilët nuk janë ftuar në mënyrë të rregullt. Po në këtë procerverbal, gjykatësi Gashi ka konstatuar se: “Palët të cilat janë ftuar në mënyrë të rregullt dhe nuk janë prezantuar në seancë, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim”. Ndërsa, vetëm për palët, për të cilat është konstatuar se nuk janë ftuar në mënyrë të rregullt, gjykata ka vendosur të bëjë konstatimin e tyre.
Edhe
“Betimi për Drejtësi”: Gjykatësi “pishmanli” për rastin e ministrit Sveçla
Sipas provave të redaksisë së “Betimit për Drejtësi”, rezulton se ajo çfarë ka thënë gjykatësi Eroll Gashi se në lidhje me të akuzuarit do të bëhen konstatime, është vendosur për të akuzuarit e tjerë dhe jo edhe për të akuzuarin Xhelal Sveçla, për të cilin gjykata ka vendosur se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim. Ndërsa, në seancë gjyqësore, në asnjë rast nuk është thënë se urdhëresa për sjellje me detyrim do të lëshohet vetëm nëse të pandehurit nuk paraqiten në seancën e radhës, por kjo është thënë vetëm në deklarimet e gjykatësit Gashi, të publikuar në media online.
Për më tepër, secila fjalë e raportit të publikuar në “Betimi për Drejtësi”, korrespondon në përpikmëri me të gjitha detajet e zhvillimeve në këtë seancë gjyqësore, duke cituar në mënyrë korrekte dhe profesionale deklarimet e gjykatësit Eroll Gashi. Të gjitha deklarimet e tij përputhen plotësisht me audioincizimin e kësaj seance si dhe me vetë procesverbalin e përpiluar nga ky gjykatës, i cili iu është shpërndarë palëve në procedurë.
Për me tepër, në fund të ditës, sot Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes zyrës për media, ka publikuar një njoftim për media, duke mbështetur këto pretendime të pavërteta të gjykatësit Eroll Gashi. Në këtë njoftim, thuhet se “I pandehuri XH.S.(i.e Xhelal Sveçla) nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim, i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe gjithashtu nuk është lëshuar asnjë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij për seancën e radhës”, thuhet në komunikatën për media.
Redaksia “Betimi për Drejtësi” nuk e ka të qartë se si komunikata për media e kësaj gjykate, bie në kundërshtim me vetë dokumentet zyrtare të kësaj gjykate, në këtë rast të procesverbalit të Gjykatës Themelore në Prishtinë përkitazi me këtë seancë.
Edhe
Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim të Sveçlës, Zybës dhe Pacollit
Përfundimisht, redaksia “Betimi për Drejtësi” e ka të paqartë reagimin e gjykatësit Eroll Gashi dhe të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me një të vërtetë të pohuar nga goja e këtij gjykatësi në prezencë të publikut në gjykatore dhe të konstatuar në letër, përkatësisht në procesverbal si dhe të dëshmuar përmes provës audio, ku dëgjohet në tërësi deklarimi i gjykatësit Gashi, i cili thotë pikërisht atë që është raportuar nga “Betimi për Drejtësi” që dëshmon të kundërtën e asaj për të cilën ka reaguar.