LAJMET E MBRËMJES

Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim të Sveçlës, Zybës dhe Pacollit

Ka dështuar të mbahet seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018, në mungesë të të akuzuarve, Xhelal Sveçla, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli – Dalipit. Sipas gjyqtarit Sabit Sadikaj do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim. U njoftua se seancën e radhës do të mbahet më 31 tetor.

Në mungesë të të akuzuarve, Xhelal Sveçla, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli–Dalipi, të martën, ka dështuar të mbahet seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të vitit 2018.

Pos tre të akuzuarve, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend akuzohet edhe ish-deputetja Drita Millaku.

E për të akuzuarit që nuk ishin prezent, gjyqtari Sabit Sadikaj ka thënë se Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.

“Ndaj të pandehurve që nuk janë prezent do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, kurse për palët prezentë, ky procesverbal do të prezantohet si ftesë e rregullt. Gjithashtu Gjykata për të pandehurit që nuk janë prezent i njoftoi avokatët se nëse të ata nuk e arsyetojnë mungesën, pas urdhëresës, e shikon mundësinë për vazhdimin e seancës që kur të pandehurit mungojnë, seanca të vazhdojë pa ta”, ka thënë gjyqtari Sadikaj.

Gjyqtari Sadikaj ka thënë se të akuzuarit janë ftuar sipas procesverbalit të seancës së kaluar dhe nuk ka pasur ndonjë kërkesë për shtyrje të seancës.

Për mosprezencën e tyre në seancë, KOHA ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga tre të akuzuarit, por nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2024, ka konfirmuar aktakuzën ndaj Xhelal Sveçlës, Drita Millakut, Salih Zybës dhe Fitore Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. 

Atë e ka vërtetuar më pas Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi më 21 mars 2018, nga ora 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Deri më tash, kanë dështuar të mbahen tetë seanca, qoftë për shkak të mungesës së ndonjë prej të akuzuarve, qoftë për mungesë të prokurorit të rastit.
Seanca e radhës do të mbahet më 31 tetor.