Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Betimi për Drejtësi”: Gjykatësi “pishmanli” për rastin e ministrit Sveçla

Më 3 shkurt 2022 gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Eroll Gashi, kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Xhelal Sveçlës, tani Ministër i Punëve të Brendshme, i cili kishte munguar në seancë.

Ajo që ka ndodhur në seancë, është raportuar në kohë reale nga “Betimi për Drejtësi”. Artikulli ishte titulluar “Urdhërohet të sjellet me forcë ministri Sveçla në rastin ku së bashku me 12 të tjerë po akuzohet për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës”.

Pas këtij raportimi, gjykatësi Eroll Gashi, kishte bërë një deklarim në një media online, duke tentuar të demantojë raportimin e “Betimi për Drejtësi”.

Deklarimet e gjykatësit Eroll Gashi janë mbështetur edhe Gjykata Themelore në Prishtinë. Zyra për media e kësaj gjykate, ka lëshuar komunikatë për media, duke pretenduar të sqarojë lajmin e publikuar për ministrin Xhelal Sveçla.

Pas këtij prononcimi të gjykatësit Eroll Gashi, ka reaguar redaksia e “Betimit për Drejtësi”, duke e quajtur të pavërtetë deklaratën e tij.

Edhe “Betimi për Drejtësi” e quan të pavërtetë deklaratën e gjykatësit Eroll Gashi Arbëri “Betimi për Drejtësi” e quan të pavërtetë deklaratën e gjykatësit Eroll Gashi

Pse gjykatësi Gashi nuk e pranoi se ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Sveçlës, ashtu siç e ka cekur edhe në procesverbal, dhe çfarë thonë hisedarët më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë lidhur me këtë rast, ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.

Mehmeti: Raportimi jonë ka qenë i saktë, i drejtë dhe profesional

Hyrije Mehmeti, redaktore përgjegjëse në redaksinë “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se raportimi i tyre lidhur me seancën e fundit për rastin ku akuzohet Xhelal Sveçla, tani Ministër i Punëve të Brendshme dhe 12 persona të tjerë, ka qenë i saktë, i drejtë dhe profesional.

Në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV, Mehmeti fillimisht tha se gjykatësi Eroll Gashi ka shpërfillur një rrugë ligjore të cilën është dashur ta ndjekë, në rast se ka pasur vërejtje në raportimin e tyre lidhur me seancën e fundit për rastin ku i akuzuar është Xhelal Sveçla, tani Ministër i Punëve të Brendshme dhe 12 persona të tjerë.

“Në këtë rast, jemi befasuar se pse gjykatësi Eroll Gashi, nëse ka pas ndonjë ankesë në raportim, saktësi apo çka do qoftë, nuk është drejtuar në redaksinë tonë për ta adresuar. Nëse na kemi qenë burim i informimit nga kjo seancë, pse ky gjykatës ka zgjedh media të tjera online, që të tentojë të thotë diçka kundër një raportimi, të cilin na e kemi bë? Pra, është shumë jokorrekte dhe joprofesionale nga ana e gjykatësit. Përtej kësaj, gjykatësi Eroll Gashi ka shpërfillur një rrugë ligjore, që është dashtë ta ndjekë në këtë rast, nëse ka pasur vërejtje në raportimin tonë, pra, që të drejtohet tek ne, nëse kemi qenë problemi”, tha Mehmeti.

Ajo tha se janë me qindra raportime të kësaj natyre që “Betimi për Drejtësi” ka publikuar, por se asnjëherë nuk ka pasur reagime nga dikush.

“E dyta, janë me qindra raportime të kësaj natyre, të cilat i kemi publiku dhe asnjëherë nuk ka reaguar askush, sepse është raportimi i saktë dhe profesional, i bazuar në veprimet procedurale, sipas Kodit të Procedurës Penale. Cilindo jurist që e pyet se nëse në një seancë, gjykatësi konstaton se palët kanë pranuar ftesat në mënyrë të rregullt dhe nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre, automatikisht nxirret aktvendim për atë person që në seancën e radhës ta sjellin me detyrim. Kjo ka ndodh në rastin e tani ministrit Xhelal Sveçla, e cila evidentohet në procesverbal dhe dëshmohet me audioincizim. Pra, gjykatësi në këtë rast, ka konstatuar se ministri Sveçla e ka pranuar ftesën me rregull dhe nuk e ka arsyetuar mungesën dhe sipas ligjit ka vendosë që për seancën e radhës ta sjellë me detyrim”, tha tutje redaktorja përgjegjëse e “Betimi për Drejtësi”.

Mehmeti tha se reagimi i gjykatësit Gashi është i çuditshëm dhe indikativ, e se është e vështirë të shpjegohet se pse ka ndodhur.

“Kjo është çka kemi raportuar ne, ndërsa në bazë të reagimit të gjykatësit, ai nuk ka lëshuar urdhëresë. Ky reagim është shumë i çuditshëm dhe shumë indikativ që ne e kemi të vështirë me shpjegu se pse ka ndodhur… Në këtë rast, shtrohen shumë pyetje legjitime nga ne si gazetarë dhe vetë qytetarët. Gjykatësi Eroll Gashi, a është frikësuar nga dikush? A e ka telefonuar dikush apo pse ka deklaruar që nuk ka lëshuar urdhëresë, kur sipas ligjit, ai në momentin që ka vendosë në seancë, urdhëresa për sjellje me detyrim hyn në fuqi? Pra, këtu s’ka dilema, përpos nëse ka arsye të tjera, të cilat ne nuk i dimë”, ka deklaruar Mehmeti.

Miftaraj thotë se sjellja e gjykatësit nuk është etike dhe profesionale për një gjykatës që ndan drejtësi

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se nuk është etike dhe profesionale për një gjykatës që ndan drejtësi, të demantojë “Betimin për Drejtësi” tek mediat tjera.

Miftaraj ka thënë se është çështje elementare e interpretimit të dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

“Instituti i Kosovë për Drejtësi ka një ushtri juristësh, të cilët tashmë kanë një ekspertizë dhe përvojë shkollore për monitorim dhe raportim nga sistemi i drejtësisë. Për besë, kur ma kanë dërguar kolegët me lexu lajmin, me titull ‘Gjyqtari demanton mediat, mohon se ka urdhëruar arrestimin e Xhelal Sveçlës’, thash me vete, mos rastësisht ka ndodhë ndonjë lëshim, sepse jemi 'njerëz, dhe gabimet njerëzore mund të na ndodhin secilit’. E lexova reagimin dhe redaksia më ftuan që ta verifikojmë raportimin tonë. Ekipi siguruan procesverbalin dhe audioincizimin e seancës dhe filluam të analizojmë. Doli që raportimi jonë ishte i saktë, i drejtë dhe profesional. Pra, kësaj i dhamë përgjigje, që ne kemi të drejtë, por nuk arritëm me shpjegu reagimin e gjykatësit Eroll Gashi. Vërtetë është shumë e nevojshme me kuptu se çka e ka shty këtë gjykatës me reagu, sidomos kur në një farë forme, na ia dhamë edhe mbështetjen që ka vendosur sipas ligjit dhe drejtë, pavarësisht se a bëhet fjalë për ministra apo njerëz të fuqishëm, por nuk zgjati shumë kjo dhe na zhgënjeu. Qysh ka mundësi që një gjykatës mos me i njoftë rregullat bazë, për me e bë një ankesë ndaj një raportimi, apo ndaj një shkelje që eventualisht mund ta bëjë një gazetar apo media? Qysh ka mundësi që raporton ‘Betimi për Drejtësi’, ndërsa gjykatësi flet për mediat tjera duke tentuar ta demantojë ‘Betimin për Drejtësi’? Pra, aspak etike dhe profesionale për një gjykatës që ndan drejtësi. Sidoqoftë, për një jurist, lëre më për një gjykatës, është çështje elementare e interpretimit të dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale. Neni 307 i këtij Kodi, në rastet kur i pandehuri e ka pranuar ftesën me rregull, nuk prezanton në seancë dhe mungesën nuk e ka arsyetuar, nuk i lë hapësirë gjykatësit që të vendosë ndryshe, përpos të vendosë të urdhërojë sjelljen e tij me detyrim përmes urdhërarrestit ndaj të pandehurit, sikurse ka vendosur ndaj ministrit Xhelal Sveçla.”, ka thënë drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj.

Gjykatësi Eroll Gashi: Gjykata më 3 shkurt 2022 për askënd nuk ka lëshuar kurrfarë urdhërese për sjellje me detyrim

Gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Eroll Gashi, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” lidhur me urdhërarrestin e lëshuar ndaj Xhelal Sveçlës, tani Ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se më 3 shkurt 2022 për askënd nuk ka lëshuar kurrfarë urdhërese për sjellje me detyrim.

Përmes një përgjigje me shkrim, Gashi ka rikonfirmuar pohimet e tij të bëra në media.

Edhe Sveçla paraqitet në Gjykatë për rastin e gazit lotsjellës Arbëri Sveçla paraqitet në Gjykatë për rastin e gazit lotsjellës

“Sqarim: Fillimisht ju njoftoj se në raport me komunikimin tim me media tjera, ka ndodh për shkak se unë jam kontaktuar direkt në telefon nga gazetaret, për atë që “Betimi për Drejtësi” ka publikuar lajmin me titull ‘’Urdhërohet të sjellët me forcë ministri Sfeçla në rastin ku së bashku me 12 të tjerë po akuzohet për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës’’, andaj ajo që unë kamë deklaruar dhe kamë demantuar këtë lajmë, është e saktë, pasi që gjykata më dt.03.02.2022, për askënd nuk ka lëshuar kurrfarë urdhërese për sjellje me detyrim. Procesverbali i dt.03.02.2022, sqaron shumë qartë veprimet e gjykatës, ashtu që për shkak të mos plotësimit të kushteve për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, kjo seancë është shtyrë në kohë të pa caktuar, e që në rastin në fjalë gjykata vetëm ka sqaruar se si do të veproj pasi ta caktoj seancën e radhës, por që fillimisht do të bëjë konstatimin, për dy nga të pandehurit për të cilët kanë munguar fletë dërgesat, se a janë ftuar në mënyrë të rregullt apo jo, e pastaj pasi do ta caktoj seancën gjykata do të ndërmarrë veprime procedurale, ashtu që për palët që kanë prezantuar në seancë do të ju dërgojë ftesa të rregullta, ndërsa për palët që janë ftuar në mënyrë të rregullt dhe nuk janë prezantuar në seancë, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, (kuptohet nëse deri në momentin kur të caktohet seanca e radhës nuk arsyetojnë mungesën e tyre), çka do të thotë se nuk është lëshuar urdhëresë siç është raportuar në portalin e juaj. Pastaj një konstatim i tillë i cili edhe ka demantuar publikimin e ‘Betimit për Drejtësi’, është edhe reagimi i Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Albina Shabani Rama, më dt.03.02.2022, përmes faqes zyrtare të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e pastaj ka pasur edhe nga të pranishmit në seancë, që në debate televizive kanë demantuar publikimin e juaj me titull të lartcekur.”, thuhet në përgjigjen e gjykatësit Gashi.

Fejzullah Hasani: Urdhëresa për sjellje me detyrim ndaj ministrit Sveçla, veprim i pashmangshëm pasi që janë plotësuar kushtet ligjore

Fejzullah Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Supreme, ka thënë se urdhëresa për sjellje me detyrim ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka qenë veprim i pashmangshëm. Kjo pasi sipas tij, janë plotësuar kushtet ligjore.

“Nëse eventualisht i pandehuri nuk vjen në këtë fazë të procedurës dhe gjykata me rastin e shtyrjes së seancës për shqyrtimi fillestar të aktakuzës nëse konstaton në procesverbal se i pandehuri i cili është ftuar në mënyrë të rregullt dhe nuk ju ka paraqitë ftesës ndërsa mosardhjen nuk e ka arsyetuar dhe në seancën e ardhshme ai do të thirret me dhunë, do të thotë e ka krijuar bazën legale, ligjore që në seancën vijuese të shqyrtimit të aktakuzës ai të shkruajë ose të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim, për sjellje më dhunë të të pandehurit në seancë kryesore”, ka thënë Hasani.

Tutje, Hasani ka thënë se ekziston edhe mundësia e revokimit të urdhëresës për sjellje me detyrim.

“Deri sa e ka bazën legale, ligjore që e ka konstatuar në procesverbal, mbi shqyrtimin fillestar kur është shtyrë shqyrtimi fillestar në mungesë të pandehurit, e ka edhe një mundësi tjetër që nëse eventualisht ndërkohë i pandehuri paraqitet në gjykatore dhe sjell arsyetim me të cilin ai e argumenton mosardhjen e tij se ka qenë e justifikueshme, gjykata ka mundësi që ta revokojë urdhrin për sjellje më dhunë, mirëpo duhet të nxjerrë aktvendim me shkrim me të cilin e revokon atë urdhër dhe ai thirret në mënyrë të rregullt me ftesë”, ka shpjeguar Hasani.

Ndër të tjera, ish-kryetari i Supremes ka thënë se ekziston një konstatim në procesverbal se për të akuzuarin është lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim dhe se raportimi i mediave është i drejtë dhe autentik, edhe pse ndërkohë mund të ndryshojnë rrethanat në lidhje me atë vendim.

Agim Maliqi: Urdhërarresti ndaj ministrit Sveçla konsiderohet i lëshuar në momentin që vendoset në seancë dhe konstatohet në procesverbal

Agim Maliqi, gjykatës në Gjykatën Supreme të Kosovës, në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV, ka thënë se urdhërarresti ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konsiderohet i lëshuar në momentin që vendoset në seancë dhe konstatohet në procesverbal.

Sipas tij, edhe pse gjykatësi nuk e kishte caktuar datën për seancën e radhës, urdhërarresti konsiderohet i lëshuar.

“Në fakt konstatimi, procesverbali është dokument zyrtar dhe me konstatimin se në procesverbal duhet të konstatohet në mënyrë të qartë se ndaj kujt po lëshohet ky urdhërarrest se për çfarë arsye po lëshohet dhe gjithsesi duhet të përcaktohet edhe data, ora se kur duhet të sillet ky person në seancën e ardhshme dhe kjo realisht është një dokument zyrtar në bazë të cilit pastaj përpilohet një parashtresë ose një urdhër i cili po ashtu në formë të shkruar, për çka nëse bëhet një pyetje tjetër logjike që pse duhet të bëhet një urdhër arrest në formë të shkruar është nga fakti se këtë urdhëarrest duhet ta zbatoj për shembull policia e një rajoni të caktuar apo një shteti të caktuar dhe ata duhet të kenë urdhëresën me shkrim me qëllim që ta realizojnë atë urdhëresë.”, ka thënë Maliqi.

Sipas gjykatësit të Supremes, urdhërarresti lëshohet me rastin e konstatimit në procesverbal dhe akti tjetër që i dërgohet policisë është vetëm i karakterit administrativ. 

Avokati Qerkini: Urdhëresa është në fuqi prej momentit kur merr aktvendim në seancë, si e tillë ajo vetëm mund të revokohet nëse plotësohen kushtet ligjore

Avokati Artan Qerkini, duke folur rreth urdhëresës për sjellje me detyrim ndaj tani ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, urdhëresë kjo e lëshuar nga gjyqtari Eroll Gashi, tha se e njëjta është në fuqi nga momenti i marrjes së aktvendimit në seancë. Si e tillë, sipas tij, ajo vetëm mund të revokohet nëse plotësohen kushtet ligjore.

“Natyrisht konsiderohet se e ka lëshu këtë urdhëresë, sepse vendimet e karakterit procedural në shqyrtim gjyqësor shprehen apo fiksohen në procesverbal. Natyrisht se gjyqtari në një rast të tillë duhet të lëshojë urdhërarrest specifik, mirëpo procesverbali i seancës do t’i shërbejë atij si bazë për nxjerrjen e urdhërarrestit. Natyrisht si bazë duhet të ekzistojë patjetër edhe KPPK, në rastin konkret baza për lëshimin e urdhërarrestit është neni 175 I KPPK-së.”, tha ai në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.

Edhe Shala përmend vendimin seksist të Gjykatës së Gjilanit e rastin e gjykatësit Eroll Gashi TEMPUS Shala përmend vendimin seksist të Gjykatës së Gjilanit e rastin e gjykatësit Eroll Gashi

I njëjti tha se nuk sheh mundësi tjetër të veprimit.

“Unë nuk e shoh të mundshme që të veprojë ndryshe, sepse një urdhër, një aktvendim nëse lëshohet ai është në fuqi derisa i njëjti të revokohet. E thashë edhe me herët se urdhërarresti mund të revokohet, mirëpo pasi të lëshohet sepse nuk mund të kemi revokim pa lëshim të urdhërarrestit.”, tha avokati Qerkini.