Arbëri

Urdhërohet sjellja me detyrim në gjykatë e ministrit Sveçla

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, të akuzuar për hedhje të gjësendeve në drejtim të Policisë, në protestat e qershorit të vitit 2013.

Gjykata të enjten të njëjtin vendim e mori edhe për të akuzuarin tjetër Agron Kabashi.

Bashkë me Sveçlën e Kabashin, për të njëjtën vepër po akuzohen edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.

Vendimin për sjellje me detyrim në seancë, gjykatësi e arsyetoi duke thënë se ka prova që të njëjtit janë ftuar por s’e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Po ashtu, në këtë seancë munguan edhe Pajtim Demaj, Sami Avidu, Nol Nushi, Frashër Krasniqi dhe Bekim Shkodra. Lidhur me mungesën e të akuzuarve Demaj dhe Avdiu, gjykatësi deklaroi se gjykata ende nuk ka pranuar fletëdërgesën për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt. Ndërsa, për të akuzuarin Nushi dhe Shkodra, sipas gjykatësit, gjykata më 22 dhjetor 2021 ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim por deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, gjykata nuk ka pranuar ndonjë njoftim zyrtar lidhur me zbatimin e kësaj urdhërese nga e Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Kurse, për të mungesën e të akuzuarit Krasniqi, gjykatësi deklaroi se edhe për të gjykata më 24 janar 2022 kishte lëshuar urdhëresë për sjelle me detyrim mirëpo, sipas njoftimit të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë thuhet se i njëjti nuk është gjetur në adresën e dhënë sipas urdhëresës. Tutje, gjykatësi Gashi tha se në këtë njoftim thuhet se policia ka komunikuar me prindin e të akuzuarit Krasniqi i cili kishte deklaruar se për djalin e tij nuk ka ndonjë informacion se ku jeton.

Pas konstatimit të palëve, i akuzuari Azemi deklaroi se ka afërisht 2 vjet që i njëjti kërkon nga prokuroria që të pajiset me shkresat e lëndës, mirëpo sipas tij kjo e fundit nuk e përmbushur obligimin e saj. Lidhur me këtë, prokurori deklaroi se në administratën e prokurorisë do të verifikojë nëse ka ndonjë kërkesë të tillë, dhe të gjithë palët që nuk janë të pasitur me shkresat e lëndës mund t’i drejtohen kësaj prokurorie.

Të pranishëm ishin prokurori Besart Mustafa, Dardan Molliqaj, Egzon Azemi, Afrim Maqastena, Pajtim Havolli, Afrim Hoxha dhe Besnik Qelaj.

Me qenë se nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, seanca e radhës u shty në kohë të pacaktuar.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në mars të vitit 2014. Ata akuzohen se me mjetet e hedhura u kishin shkaktuar lëndime trupore disa policëve. Sipas prokurorisë, gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme materiale ku janë dëmtuar uniformat dhe pajisjet zyrtare të zyrtarëve policorë gjatë ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike e po ashtu i kanë dëmtuar dy vetura, pronë e Qeverisë së Kosovës dhe dy vetura pronë të Policisë së Kosovës, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se secili veç e veç ka kryer veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo për të cilën dënimi parashihet me dënimi me gjobë prej dyqind (200) deri dhjetë mijë (10.000) Euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në pesë (5) vjet burgim për huliganizëm me pasoja të rënda.

Ndërsa dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, Bekim Shkodrën e ngarkon edhe për veprën penale të “sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi 2 të KPRK-së, vepër kjo për të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./BetimipërDrejtësi