Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka kujtuar Belgjikës, që do ta marrë Presidencën e Bashkimit Evropian nga janari, se Kosova është në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE që nga 15 dhjetori i vitit të kaluar.
Ky diskutim është zhvilluar në takimin që kryeministri Albin Kurti ka pasur të premten me ministren e Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib.
Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka falënderuar Belgjikën për mbështetjen që ia ka dhenë Kosovës, ndërsa ka thënë se hapja e Ambasadës së Belgjikës në Kosovë është manifestim i “marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe, potencialit dhe vullnetit të dyanshëm për thellim të raporteve”.
“Meqë jemi në prag të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Evropian, u diskutua edhe për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përkatësisht të rrugëtimit të Republikës së Kosovës në atë drejtim. Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat”, thuhet në komunikatë.
Në takim është folur edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe raportet Kosovë-Serbi, dy muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Edhe
Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën
“Kryeministri Kurti e njoftoi ministren belge Lahbib për angazhimin dhe qasjen konstruktive që Kosova ka pasur përgjatë procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për qëndrimin e Kosovës në takimin e fundit në Bruksel në të njëjtën ditë kur po zhvillohej edhe Samiti i Këshillit Evropian”, thuhet në komunikatë.
Kurti ka thënë po ashtu se Kosova është e përkushtuar për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe se nënshkrimi i tyre është “garanti i respektimit dhe zbatimit të tyre drejt një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.