Arbëri

Kosova aplikon zyrtarisht për anëtarësim në BE, më 2023 synon edhe NATO-n

Kosova ka dorëzuar zyrtarisht të enjten aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas ceremonisë së dorëzimit në Pragë të Çekisë, shtet ky që e mban Presidencën aktuale të BE-së, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar që synim i Kosovës për vitin e ardhshëm është edhe aplikimi për pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të Aleancës Veriatlantike të NATO-s

Kosova ka konkretizuar të enjten synimin për t’u bërë një vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Aplikimin për anëtarësim, kryeministri Albin Kurti ia dorëzoi zyrtarisht përfaqësuesit të Republikës Çeke, vend ky që e mban kryesimin e BE-së.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar në Pragë, Kurti është pritur fillimisht nga ministri çek për Punë të Jashtme, Jan Lipavsky, e më pas aplikimi i është dorëzuar përfaqësuesit çek të Këshillit të BE-së, Mikulas Bek. E në konferencën për shtyp pas aktit zyrtar, kryeministri e kualifikoi 15 dhjetorin si një ditë historike për popullin e Kosovës e të jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë.

“Letra që kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë që kanë punuar me shumë zell për të arritur këtë ditë. Flet për aspiratat tona për t’iu bashkuar BE-së me të cilën ndajmë vlerat dhe idealet e përbashkëta si një proces historik nga projekti politik i paqes dhe prosperitetit. I përgjigjet vizionit të Evropës që është e përgjithshme e plotë dhe në paqe dhe një Evropë që ka të ardhme të ndritur, bashkëpunuese”, ka thënë Kurti.

Ai ndërkaq është shprehur i vetëdijshëm se Kosovën në rrugën drejt BE-së e pret një proces i gjatë, porse ka thënë që nuk pret pengesa nga pesë shtetet anëtare të bllokut që nuk e kanë njohur shtetësinë e saj.

“Ka më shumë se 6 vjet që ne e kemi nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asociimit të cilën e kemi zbatuar rreth 50 për qind, andaj me përkushtimin tonë dhe me punën tonë edhe ndonjë zë skeptik në Bashkimin Evropian, lidhur me Kosovën besojmë se do ta zbusim e do ta ndryshojmë”, ka thënë kryeministri.

E ministri çek për Çështje Evropiane, Mikulas Bek, ka vlerësuar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim përbën një tjetër prioritet të përmbushur të Presidencës Çeke të BE-së.

“E vlerësojmë dhe çmojmë arritjet e bëra të Republikës së Kosovës deri më tani. Më vjen mirë që duke bërë këtë ne jemi duke plotësuar një nga prioritetet e Presidencës sonë të Këshillit, sepse gjashtë muajt e fundit ne kemi dhënë një vëmendje të jashtëzakonshme çështjeve që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor”, është shprehur ai.

Krahas konferencës me ministrin Bek, Kurti për aplikimin ka mbajtur edhe një adresim tjetër për mediat. Nga Ambasada e Kosovës në Çeki, i shoqëruar nga ambasadorja Albesjana Iberhysaj-Kapitaj, ai e shpalosi edhe një tjetër synim të Kosovës.

“Pas aplikimit për Këshill të Evropës, pas aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shpresojmë që do ta bëjmë hapin e radhës edhe sa i përket NATO-s, ku mbase e kemi një lehtësi sado të vogël që në NATO i kemi 4 shtete mosnjohëse, për dallim nga BE-ja, ku janë pesë sosh”, ka thënë Kurti.

Aplikimin e Kosovës për anëtarësim e pret një rrugë e gjatë deri në finalizim, e për të cilin nuk ka afat të caktuar kohor.

Pas sigurimit të statusit të vendit kandidat, procedura parasheh që të bëhet hapja e negociatave që pasohet nga nënshkrimi i traktatit për pranim midis BE-së e vendit kandidat. E më pas nevojitet të bëhet ratifikimi i tij nga të gjitha vendet anëtare të bllokut evropian.