Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur dy data potenciale për takimin në Bruksel me presidentin serb, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë se për këtë do të flas me ekipin dhe do të vendosë gjatë javës.
“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesëpikësh mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme, njëherë u tha data 22 pastaj u tha data 23 pastaj sërish data 23, unë do ta diskutoj me ekipin tim dhe me siguri që do të japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë paraprakisht se është i gatshëm për takime të nivelit të lartë për depërshkallëzim të situatës në veri. Megjithatë pati theksuar se nuk ka vendosur për takimin me Aleksandër Vuçiqin, i ftuar nga BE-ja për javën e ardhshme. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftoj palët “për një takim për menaxhim krize” lidhur me veriun.
Derisa ka bërë nderime për të pagjeturit në parkun memorial në oborrin e Bibliotekës, Kurti është pyetur lidhur me deklaratën e presidentes Vjosa Osmani - e cila deklaroi se është koha të gjendet zgjidhje bashkë me BE-në dhe SHBA-në - por kryeministri nuk ka dhënë përgjigje.
Ai u pyet për shkresën që Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë i ka dërguar presidentit serb duke i kërkuar hapjen e arkivave për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës. Tha se nuk ka marrë përgjigje.
“Së pari nga Serbia nuk kemi asnjë përgjigje për letrën të cilën e ka dërguar z. Andin Hoti për hapjen e arkivave atje në mënyrë që të merret vesh e vërteta dhe të mundësohet drejtësia”.