Nga një pylltar banorët e Harilaçit dhe kryetari i komunës së Fushë Kosovës janë njoftuar ditë më parë se në këtë lokacion kanë nisur punimet për ndërtimin e një deponie për mbledhjen e materialeve të rrezikshme.
Vendimin e kishte marrë Qeveria e Kosovës qysh në muajin maj, ndërkaq për këtë nuk ka qenë në dijeni fare askush nga kjo komunë, raporton KTV.
Për shkak se nisja e punimeve ishte bërë pa procedurë ligjore dhe mund t’u dëmtohet shëndeti, banorët po e kundërshtojnë këtë projekt.
Asamblisti i pavarur në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Mixhen Kolshi, njëherësh edhe banor i fshatit, thotë se me këtë vendim, ekzekutivi ka shkelur planin për ruajtjen e pyjeve 2014-2023.
Ai thotë se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që të ndërtohet kjo deponi e rrezikshme për ta dhe të dëmtohen 15 hektarë me pyje.
Kundër është edhe kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, i cili tashmë ka dërguar inspektorët në lokacionin e paraparë të ndërtohet kjo deponi, për t’i ndërprerë punimet.
Edhe
Vetëvendosja kundërshton planin e deponimit të mbeturinave të rrezikshme në Harilaq
Derisa edhe përmes një shkrese, i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Zyrës së Kryeministrit për ta anuluar vendimin.
Nëse pas një takimi, që do ta mbajë të hënën Berisha me ministrin e Mjedisit, nuk arrihet ndonjë pajtim mes dy palëve, Kuvendi pritet të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për ta ndaluar ndërtimin e kësaj deponie.
Kohavisioni ka kontaktuar edhe ministrin e Mjedisit, Fatmir Matoshi, por ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje se si do ta zgjidhin këtë çështje.