Anëtari i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe aksionari i Ndërmarrjes Publike Banesore, Egzon Azemi, mbajti konferencë për media për të paraqitur, siç tha, shkeljet drastike që po ndodhin nga njerëzit e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Sipas Azemit, shkeljet lidhen me falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe vulave zyrtare, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe së fundi, sot në orët e para të mëngjesit, edhe një tentativë për vetëgjyqësi karshi Ndërmarrjes Publike Banesore.
“Edhe pse për vetëgjyqësi kemi dëgjuar vetëm nga histori të vjetra, sot po këtë fenomen tentuan ta aktualizojnë anëtarët e PSD-së së Shpend Ahmetit, të cilët duke shkelur çdo ligj dhe me forcë tentuan ta marrin kontrollin e kësaj ndërmarrje. Sot drejtori i Shpend Ahmetit, në Drejtorinë e Pronës, së bashku me asamblistin që ka konflikt interesi në NPB-në, Bashkim Beha, dhe anëtarit tjetër të tyre Hajdar Hoxha, me rreth 8 persona të sigurimit privat, pas orës 05:00 të mëngjesit tentuan ta okupojnë këtë Ndërmarrje, por falë rezistencës se punëtorëve të cilët e njoftuan menjëherë Policinë, kjo Ndërmarrje është ende publike”, tha Azemi.

Ai gjithashtu theksoi edhe faktin se Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shkarkuar aksionarin e PSD-së, pikërisht për shkak të shkeljeve të vërtetuara edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, mirëpo ata kanë hyrë aq thellë sa që tash po falsifikojnë dokumente të cilat po i vulosin me vula të drejtorive të Komunës vetëm e vetëm për ta mashtruar opinionin publik.
“Ndërmarrjet publike, sipas ligjit, janë pronë e Kuvendit Komunal, andaj ky insistim i pakuptimtë që paligjshëm ta okupojnë NPB-në, nuk ka çfarë të jetë tjetër veçse dëshmi e borxheve të PSD-së ndaj shumë biznesmenëve që disi duhen larë”, ka thënë Azemi.
Edhe
VV-ja: Rama gënjeu për NPB-në, s'e bëri asnjë veprim për ta mbrojtur
“Ne, në asnjë mënyrë nuk do lejojmë rikthimin e NPB-së buzë falimentimit dhe në shërbim të interesave private ashtu siç kanë tentuar të bëjnë edhe në disa ndërmarrje tjera. Ndërmarrja Publike Banesore është dhe duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe duhet të vazhdojë projektet e saj që janë në dobi të qytetit tonë. Ne nuk do të lejojmë që këtë ndërmarrje ta kthejnë në shërbim të miqve të Shpend Ahmetit”, deklaroi më tej ai.
“I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve publike që të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre me menaxhmentin valid të NPB-së, në mënyrë që projektet në dobi të qytetarëve, që kanë filluar për herë të parë që nga pas lufta si renovimi i banesave kolektive dhe mirëmbajtja e tyre, të vazhdojnë sepse nga këto projekte përfitojnë direkt të gjithë qytetarët e Prishtinës”, theksoi në fund asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi.