Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka bërë thirrje publike ndaj subjekteve politike në Komunën e Prishtinës që të japin nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për ta trajtuar çështjen e, siç e quajti ai, “skandaleve në Ndërmarrjen Publike Banesore”.
“Ndryshimi i rregullore së ndërmarrjes, humbja e pronës në emër të marrjes së disa lokaleve, akt noterial i paligjshëm, marrja e lejeve pa dokumentacion të plotë, pagesa milionëshe për leje nga NPB për pronën dhe objektet që tentonin t’ua transferonin kompanive të përzgjedhura në mënyrë shumë të dyshimtë. Një nga kompanitë e përzgjedhura për këtë projekt 200 milionësh është hapur vetëm një ditë para se të fitonte në këtë aplikim. Kjo ka mjaftuar që të nisin hetime dhe të ndalet. Kjo kompani që është themeluar një ditë më herët se të konkurronte ka fituar dhe ka nënshkruar kontratën me NPB”, ka thënë ai.
Asamblisti Azemi derisa tregoi se si ditë më parë u pamundësua protokollimi i shkarkimit të drejtorit të ndërmarrjes “Hajdar Hoxha” nga dy persona, ndërsa për ta Azemi kërkoi shkarkim.
“Ditë më parë, bordi mori vendim për shkarkimin e ndërmarrjes Hajdar Hoxha, por u pamundësua protokollimi i tij nga dy aksionarë partiakë Genc Sherifi dhe Dren Kukaj. Deri dje këta aksionarët e lëvdonin bordin se është zgjedhur me monitorimin e Ambasadës britanike por kur filloi të marrë përgjegjësitë e veta, dy anëtarët e bordit iu pamundësua hyrja në NPB dhe u shkarkuan. Ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve për të na dhënë nënshkrimet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme që të trajtojmë këto problematika në NPB dhe të kërkojmë shkarkimin e aksionarëve që kanë nisur që nga fillimi këtë proces joligjor dhe të dëmshëm për Komunën e Prishtinës”.
“Ftojmë secilin subjekt të marrin qëndrim për këtë që të dihet fati i kësaj ndërmarrje dhe të mos lejohen pazare siç janë bërë tash e 6 muaj”, ka thënë krejt në fund Azemi.