Pasditja e 13-vjetorit të Pavarësisë e ka gjetur sheshin e Prishtinës plot me qytetarë.
Një pjesë e tyre kanë ardhur nga diaspora për të votuar, por e kanë vazhduar qëndrimin e tyre edhe për festën e Pavarësisë.
Thonë se festimi i kësaj date në vendlindje për ta është emocion i veçantë.
Qytetarët kanë shprehur mendime të ndryshme rreth konsolidimit të shtetësisë së Kosovës për këta 13 vjet.
Por janë shprehur se krijimi i vendeve të punës e forcimi i institucioneve duhet të jenë prioritet.
Si zakonisht, për këtë festë nuk munguan as vallet me tupan.
Kremtim më ndryshe ka qenë nga një grup çiklistësh që janë nisur nga monumenti NEWBORN rreth e rreth qytetit.
Ndërkohë aktivitetet kulturore të paralajmëruara në kryeqytet kanë qenë të pakta shkaku i pandemisë.
Vetëm një koncert në përputhje me masat anti-COVID është paralajmëruar nga Kino- Armata.
Në shumë vende, në sheshin e kryeqytetit, ka qenë e pamundur të mbahej distanca fizike, e ka pasur edhe qytetarë që nuk kanë mbajtur maska.