Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arigon Sinani, e ka akuzuar për shpifje kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, njëherësh kandidat për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet e 12 tetorit me listën e tij "Për Drenasin Kampion".
Sinani e ka mohuar se ai e ka incizuar një bisede që kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka zhvilluar me ndërtuesin Labinot Halilaj, që është edhe kandidat për asamble nga lista e Lladrovcit, në lidhje me ndërtimin e një objekti në një parcelë të Komunës.
“Z. Lladrovci më akuzon mua për këtë incizim. Por me përgjegjësi morale dhe penale deklaroj se unë nuk e kam bërë këtë incizim. Dyshoj fort se këtë incizim e kanë bërë bashkëpunëtorët e tij, që tani garojnë në një listë me të. Prandaj, në rast se dëshmohet se ky audio-incizim është bërë nga unë dhe se kjo bisedë është bërë në komunë e jo në Hotel Emerald deklaroj publikisht se do të jap dorëheqje nga kandidatura për asamble dhe nga jeta politike”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Lladrovci e ka akuzuar Sinanin se ai e ka bërë incizimin dhe se ai është publikuar i cunguar. Sipas Lladrovcit, biseda është zhvilluar në zyrën e tij në Komunë. Ai e ka akuzuar Sinanin se është uzurparor i një prone të cilin ai ka thënë se Komuna ka kërkuar që të lirohet për realizim të një projekti të Komunës.
"Autori i video incizimit është uzurpator i asaj prone dhe nëse do të publikohet incizimi i plotë do të shihen të gjitha diskutimet dhe të gjitha kërkesat e asamblistëve të pranishëm duke e parë qartësisht kush e mbronte pronën e kush synonte ta vazhdonte uzurpimin”, ka shkruar Ladrovci në një postim në Facebook.
Por kjo është mohuar nga Sinani, i cili ka paralajmëruar padi për shpifje dhe fyerje ndaj Lladrovcit.
“Me përgjegjësi të lartë deklaroj se restoranti ‘Peshkopia’, i cili është pronë e prindit tim, Selman Sinani, as nuk ka qenë e as nuk është uzurpuar. Këtë hapësirë publike ‘tarracë’ e shfrytëzojmë si të gjitha restorantet në Drenas, duke kryer të gjitha obligimet ndaj komunës, siç janë të përcaktuara me rregulloren përkatëse. Për shkak se ka bërë hakmarrje ndaj meje dhe familjes time, po e sulmon biznesin e prindit tim, për çka jemi në procedurë gjyqësore, dhe çfarëdo që vendos gjykata ne do ta respektojmë. Por të mos harrojmë se lirimin e tarracës e ka kërkuar vetëm për restorantin tonë, ndërsa të tjerëve u ka zgjeruar shfrytëzimin e hapësirave publike”, ka shkruar Sinani.
Tutje Sinani ka shkruar se ka pasur marrëdhënie të mira më Lladrovcin deri “ai dhe një grup i asambleistëve të PDK-së nuk ia kemi votuar në Kuvend dhënien e pronave për shfrytëzim afatgjatë oligarkëve të tij, për të ndërtuar banesa në prona publike, siç është parcela te komuna e vjetër”.
“Z. Lladrovci, gjatë kësaj kohe, është munduar të na korruptojë në forma të ndryshme, pastaj mua personalisht më ka shantazhuar përmes njerëzve dhe sms-ve, se nëse nuk do jem i dëgjuari i tij, do të ma rrëzojë tarracën e restorantit, të cilin e shfrytëzojmë që nga paslufta, ku edhe paguajmë taksën vjetore siç paguan çdo biznes në Drenas”, ka shkruar Sinaini.
Në audio-incizimin e publikuar nga media Vox Kosova, Lladrovci dëgjohet teksa bisedon me biznesmenin Labinot Halilaj. Ata diskutojnë për vlerën se sa mund të fitohet në rast se ndërtohet në atë parcelë të komunës, e poashtu përmendet edhe mundësia e mbindërtimit.