Arbëri

Lladrovci për publikimin e audio-incizimit: Memli Krasniqin e ka kapur frika e humbjes në Drenas

Ramiz Lladrovci

Pas disa publikimeve të një bisede që kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka zhvilluar me një ndërtues, në lidhje me ndërtimin e një objekti në një parcelë të Komunës, vet Lladrovci e ka mbajtur një konferencë për media.

Lladrovci publikimin e asaj bisede e quajti tendencë për shantazh politik, sepse sipas tij, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, e ka kapur frika e humbjes në Komunën e Drenasit duke i parë sondazhet për fituesin e zgjedhjeve atje.

“Sigurisht, e ka kapë frika Memli Krasniqin dhe kryesinë e tij, ata që votuan kundër nominimin tim, është e drejtë me votu por jo me i shti në telashe 26 anëtarë të kryesisë që i shantazhon dhe i urdhëron me ardhë në Drenas me punu e me i fitu zgjedhjet por nuk i fiton zgjedhjet”, ka deklaruar Lladrovci.

Lladrovci ka publikuar edhe një bisedë përmes aplikacionit Viber, me nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitakun, më datën 18 shtator të vitit të kaluar, të cilën Lladrovci e ka pyetur se a është vepër penale incizimi i paautorizuar i një bisede.

Kjo e fundit shihet ta ketë konfirmuar duke thënë se kjo e dëmton shumë partinë, por sipas Lladrovcit, prej Çitakut ka qarkulluar video e pastaj edhe të kryetari i partisë dhe akterë të tjerë të cilët kanë këmbëngulur t’iu jepet mediave për t’u publikuar një vit pas.

“Unë nuk e kam publikuar incizimin e z.Hajdari, ai ka qarkulluar nga zonja Çitaku te kryetari i partisë e te Petrit Hajdari dhe akterë të tjerë të cilët kanë këmbëngulur t’iu jepet mediave ku është publikuar një pjesë”, tha Lladrovci në konferencë.

Lladrovci gjithashtu kërkoi që të publikohet i plotë audio-incizimi në mënyrë që sipas tij të dihet në mënyrë të drejtë se çka është diskutuar.

Kjo konferencë dhe këto reagime erdhën pas publikimit të një audio-incizimi nga media Vox Kosova, ku dëgjohet Ramiz Lladrovci teksa bisedon me biznesmenin Labinot Halilaj, që është edhe kandidat për asamble nga lista "Për Drenasin Kampion" të Ramiz Lladrovcit dhe diskutojnë për vlerën se sa mund të fitohet në rast se ndërtohet në atë parcelë të komunës, e poashtu përmendet edhe mundësia e mbindërtimit.