Arbëri

PDK-ja ia bllokon Lladrovcit nismën për t’i dhënë për 99 vjet pronat komunale

PDK-ja është në mesin e partive që ka bllokuar nismën e ekzekutivit të Ramiz Lladrovcit, për t’i dhënë në shfrytëzim afatgjatë 27 prona komunale. Seanca e Kuvendit Komunal, në të cilën për vendimin votuan 10 asamblistë e 15 kundër, u përcoll edhe me përplasje verbale

Ndër vendimet e para që ekzekutivi i drejtuar nga Ramiz Lladrovci ia ka propozuar për miratim Kuvendit Komunal është ai për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim afatgjatë për 99 vjet. Vendimi nuk kaloi, dhe kundër tij u pozicionuan edhe asamblistët e PDK-së, parti së cilës Lladrovci thotë se i përket.

Seanca që në rend dite pati këtë pikë, nisi me përplasje verbale.

“Sipas arsyetimit, ka shumë investitorë që kanë kërkuar këto prona. Le t’i kemi ne si asamble kërkesat e investitorëve ta dimë ne kush po i kërkon dhe më pas vendosim a m’i dhanë a jo”, ka deklaruar  Egzona Tërdevci, asambliste e LVV-së.

Tërdevcit iu kundërpërgjigj kryetari Ramiz Lladrovci.

“Është edhe kërkesë e Ministrisë së Pushtetit Lokal për me paraqit listën edhe në web-faqe të komunës. Janë disa procedura, siç është procedura me negocim, me thirrje publike”, ka arsyetuar Lladrovci nismën e tij.

E pak para se të nisë diskutimi në pikën 8, që u referohet pronave që synohet t’u jepen personave fizikë e juridikë për 99 vjet, kryetari Lladrovci lëshoi sallën.

“Unë po kërkoj falje, sepse duhet të lëvizi për Tiranë dhe do të raportojë dikush tjetër”.

Me 10 vota për, 15 kundër e asnjë abstenim anëtarët e Kuvendit Komunal rrëzuan propozim-vendimin e sponsorizuar nga ekzekutivi, të cilin e udhëheq Lladrovci.

27 pronat përfshinin Zonën Kadastrale në Çikatovë të Re, Drenas, Komoran, Korroticë të Poshtme, atë të Epërme, Arllat e Polluzhë.

Por paraprakisht pati debate për këtë pikë të rendit të ditës.

“A mundeni më na shpjegu se cila është logjika që me dhënë në shfrytëzim për personat fizikë dhe juridikë për 99 vjet te parku i vetëm që e kanë qytetarët e Drenasit”, ka thënë asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzona Tërdevci.

E Driton Ajazi, këshilltar i PDK-së ngriti dyshimin se propozimi i Lladrovcit për ta shtyrë para këtë nismë ka të bëjë me pazaret në dhe për fushatën zgjedhore.

“Për neve si grup parlamentar i PDK-së, kjo është e papranueshme. Te kjo pikë nevojitet një diskutim më i thellë, nevojitet një analizë më e thellë, sepse nuk jemi ne këtu Kuvendi për me la borxhe të fushatës zgjedhore”, ka thënë Ajazi.

Por përkrahje propozimit i dha Edon Nishori nga subjekti politik që e drejton Lladrovci.

“Kryetari tregoi që është rrugës për Tiranë, pra tregoi haptas që nuk ik siç nuk iu ka ik asnjëherë sfidave”, ka thënë ai.

Përgjigje kritikave të opozitës u dha edhe nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala.

“Mënyra e vetme me hy në negocim do të jenë investimet në shumë 600 mijë euro, nuk po besoj që dikush prej juve kish mujt me refuzu këtë investim”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e fundit lokale, PDK-ja nuk e kandidoi Lladrovcin për kryetar të Drenasit, pas të cilit vendim ai krijoi subjekt më vete, me të cilin e fitoi garën. Në fushatë Lladrovci u përball me publikimin e një incizimi bisede, në të cilin dëgjohet tek komunikon me një asamblist për t’ia dhënë një nga pronat komunale në qendër të qytetit.