Arbëri

Ambasada britanike kërkon që qeveria e re të sigurojë mjedis të lirë për gazetarët

Mediat

Foto: Alban Bujari

Ambasada britanike në Kosovë kërkon nga qeveria e re që të sigurojë mbrojtjen e lirinë së medias. Një ditë pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij ku Kosova renditet e 99-a për lirinë e shtypit, ambasada ka shprehur shqetësim për rënien në këtë indeks.

Në një reagim të shtunën, ambasada ka theksuar se media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për demokraci të shëndetshme.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga rënia e Kosovës në indeksin e Reporterëve pa Kufij gjatë dy vjetëve të fundit pas rezultateve të mëhershme mbresëlënëse. Qeveria e re e Kosovës duhet të mbrojë dhe mbajë institucionet e saj demokratike, përfshirë sigurimin e një mjedisi të lirë dhe të respektueshëm që gazetarët të kryejnë punën e tyre, dhe që të punojë me mediat dhe organizatat e shoqërisë civile në draftimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Medias”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Është viti i dytë radhazi që në indeksin e lirisë së shtypit, Kosova shënon rënie, ku në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në vendin e 75-të.

Në indeks, Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-a, Mali i Zi i 37-i, Maqedonia e Veriut 42-ta, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-a.