Arbëri

Gazetarët në Kosovë kërkojnë mbrojtje më të fortë

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, gazetarët kanë shprehur ankesat për klimën në të cilën e ushtrojnë profesionin. Ata shprehën shqetësimin për nivelin e lirisë së medieve dhe rritjen e numrit të sulmeve

Marigona Brahimi prej tetë vjetësh ushtron profesionin e gazetares.

Tek flet për vështirësitë gjatë punës që ajo dhe gazetarë të mediave tjera ndajnë me njëri-tjetrin, në krye liston balancën mes të vërtetës që duhet thënë dhe frikës nga ajo që mund të pasojë.

“Presioni që mund t’iu vijë gazetarëve nga jashtë nga politika, por ndonjëherë edhe censura nga vetë redaksitë, është një problem shumë i madh për të ushtruar një gazetari të mirëfilltë dhe objektive edhe kur mundohesh të mbash një ekuilibër mes raportimit të saktë dhe frikës nga pasojat që mund të të vijnë nga shprehja e mendimit të lirë. Besoj që kjo është sfidë shumë e madhe për gazetarët”, thotë gazetarja Brahimi.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, një numër ankesash kanë adresuar gazetarët edhe në një konferencë të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Kryetari i këtij Asociacioni, Xhemajl Rexha, tha se ka përkeqësim të lirisë së shtypit.

“Klima e të bërit gazetari në Kosovë, fatkeqësisht është vështirësuar sidomos në dy vitet e fundit, këtë e vërteton më së miri edhe raportet vendore dhe ndërkombëtare, dhe së fundmi e ka vulosur raporti i ‘Reporterëve pa Kufij’ që e vendos vendin tonë në vendin e 99-të”, ka thënë ai.

E avokati Yll Zekaj, shprehu shqetësimin për sigurinë e gazetarëve. Ai kritikoi autoritetet e drejtësisë për trajtim të ngadaltë të padive që adresohen nga punonjësit medialë.

“Duhet të trajtohen këto çështje me prioritet, pasi sulmi ndaj gazetarëve nuk është sulm ndaj tyre si qytetarë, por si ushtrues të detyrës së tyre. Kur flasim për sigurinë e gazetarëve, nuk flasim vetëm për sigurinë fizike, por edhe atë juridike”, ka thënë Zekaj

Por, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë e thanë të kundërtën.

“Asnjë rast nuk mbetet pa trajtuar. Përgjegjësit kërkohen”, ka thënë prokurori Agron Bajrami.

“Rastet e gazetarëve janë prioritet në sistemin gjyqësor”, ka theksuar gjyqtari Leotrim Gashi.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit është kërkuar të përmirësohet ambienti për mediet dhe gazetarët.

Ambasada britanike në Kosovë, përmes një reagimi, ka kërkuar që qeveria e re kur të krijohet, të sigurojë mbrojtjen e lirisë së medias.

“Qeveria e re e Kosovës duhet të mbrojë dhe mbajë institucionet e saj demokratike, përfshirë sigurimin e një mjedisi të lirë dhe të respektueshëm që gazetarët të kryejnë punën e tyre, dhe që të punojë me mediet dhe organizatat e shoqërisë civile në draftimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Medias.”

Ligji i ri për KPM-në, të cilit i është referuar Ambasada, është shpallur jokushtetues dhe është përmendur në raportin e “Reporterëve pa Kufij”, si arsye për regresin që Kosova ka shënuar në Indeksin e Lirisë së Medias. Bazuar në raportin e publikuar një ditë më parë, Kosova është shteti i 99-të, duke rënë për 24 pozita.