Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kosova përparon për 15 vende në lirinë e shtypit, KOHA identifikohet si medium me ndikim

Reporter

Kosova është ngritur për 15 vende në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit. Në raportin e publikuar nga “Reporterët pa Kufij” gjatë së enjtes, KOHA është përmendur si një nga mediat më të njohura dhe më me ndikim në vend. Por për përfaqësuesit e organizatës “Reporterët pa Kufij”, pozita e 84-të për Kosovën në këtë indeks nuk duhet të shihet si pozitive

Kosova ka shënuar përparim në fushën e lirisë së medias, bazuar në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij”, duke u ngritur për 15 vende krahasuar me një vit më parë.
Në Indeksin e sivjetmë, Kosova është renditur e 84-ta në mesin e 180 shteteve të botës, ndërsa më 2025 ka qenë e 99-a.

Siç citohet në raport, liria e medias në Kosovë vazhdon të kërcënohet nga rregullimi i politizuar, nga paditë SLAPP, si dhe nga qasja e pamjaftueshme në informacion publik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Edhe pse tregu mediatik në Kosovë është i larmishëm, zhvillimi i tij kufizohet nga madhësia e vogël dhe ndarjet etnike. Liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), qasja e pamjaftueshme në informacion publik dhe rreziqet për sigurinë e gazetarëve”, thuhet në raportin e “Reporterëve pa kufij”, i cili është publikuar të enjten.

Me gjithë këto kufizime, raporti specifikon se Kosova ka një treg mediatik dinamik dhe të shumëllojshëm. 

E ndër mediumet kryesore përmendet edhe KOHA, si një nga mediat më të njohura dhe më me ndikim në vend.

“Sektori televiziv, megjithëse shumë i përqendruar, dominohet nga kanale private me seli në Prishtinë, ndërsa transmetuesi publik RTK luan një rol të rëndësishëm. Portalet online të lajmeve përfshijnë media të njohura dhe me ndikim si KOHA, BIRN, Kossev dhe Kosovo 2.0, kjo e fundit një nga të paktat që publikon si në shqip ashtu edhe në serbisht”, është specifikuar në raport.

Në këtë raport është theksuar njashtu se gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve politike. “Reporterët pa kufij” e kanë cilësuar rregullatorin e mediave, Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), si joefektiv. Gjithashtu, kanë përmendur edhe ankesat e mediave në gjuhën serbe.
Raporti e ka përmendur si pozitiv faktin që sistemi gjyqësor ka filluar që t’i trajtojë si prioritet rastet që lidhen me gazetarët.

“Edhe pse mediat arrijnë t’i mbajnë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve politike. Rregullatori joefektiv i mediave, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), iu nënshtrua një reforme legjislative që u vlerësua antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Para zgjedhjeve të përgjithshme në fillim të vitit 2025, disa media private u përballën me bojkot nga qeveria, e cila gjithashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacion publik, veçanërisht në gjuhën e tyre, e cila është gjuhë e pakicës kushtetuese”, thuhet në raport.

Në fund, raporti ka theksuar se mediat e pavarura dhe disa gazetarë hulumtues shpesh bëhen objekt i fyerjeve dhe i lajmeve të rreme në rrjetet sociale.

Sipas këtij raporti, gazetarët akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, një retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare.

Pavol Szalai, i cili është drejtor i byrosë në Pragë të “Reporterëve pa Kufij”, renditjen e sivjetme të Kosovës nuk e ka kualifikuar si pozitive, ndërsa përmirësimin e ka vlerësuar si modest.

“Përmirësimi i pikëve mbetet modest, ndërsa në këtë pjesë shumë të ngjeshur të renditjes, edhe ndryshime të vogla në pikë mund të sjellin lëvizje të mëdha në pozicion. Rritja në renditje është gjithashtu pjesërisht pasojë e rënies së vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Bosnjës dhe Serbisë. Kosova mbetet ndër vendet me performancën më të dobët në Evropë, duke u renditur e katërta nga fundi mes 40 vendeve të BE-së dhe Ballkanit —menjëherë pas Shqipërisë dhe përpara Bosnjës e Serbisë, të cilat kanë pësuar rënie”, ka theksuar ai.

Raporti i “Reporterëve pa Kufij” mbulon 180 shtete të botës. Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria sivjet ka pësuar rënie në renditje. Nga vendi i 80-të në vitin e shkuar, sivjet ka rënë në atë të 83-n. Më së miri nga rajoni është renditur Mali i Zi, në vendin e 41-të. Maqedonia e Veriut në të 45-tin. E Serbia ka shënuar sërish rënie, duke u renditur në pozitën e 104-të.