Enton Abilekaj, analist nga Shqipëria, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se besimi është shumë i vogël se do të ketë drejtësi për Klodian Rashën, i cili dy ditë më parë u vra nga Policia.
“Mënyra se si është procedua deri më tani nga policia, me disa njoftime të një pas njëshme dhe kontradiktore. Mënyra se si u procedua pas protestave të djeshme dhe të sotme, pasi u shpërndanë protestuesit, me arrestime të shumta dhe me dhunë ndaj protestuesve mundësia që të kemi një proces të drejtë për kapjen e autorit është shumë e vogël. Besimi që duhet të kemi në një proces të drejtë është shumë i vogël dhe ajo që po pretendon Qeveria sot të bëjë me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe me premtimin për një drejtësi të shpejtë për Klodianin”, ka thënë Abilekaj.
Ai gjithashtu ka shprehur dyshimet e tij se kryeministri Edi Rama është me të vërtetë i interesuar të ketë drejtësi për këtë rast.
“Dhe gjithashtu me atë që Rama, me betimin e tij para qytetarëve mendoj që është vetëm një dëshirë, një karrotë për qytetarët që të qetësohen dhe për protestën që të shuhet. Nëse Rama do të ishte me të vërtetë i interesuar për të vënë drejtësinë atëherë do të kishte minimalisht kërkuar nga Policia për një hetim të shpejtë të brendshëm për të sqaruar ngjarjen, rrethanat se si ndodhi nga vet Policia dhe pastaj të marrë masat e menjëhershme derisa Prokuroria të japë një mendim”, ka thënë Abilekaj.
Sipas tij zemërimi i këtyre protestave shkon edhe përtej vrasjes së Klodianit.
"Me sa duket ne kemi vetëm një dëshirë për të shuar valën e protestave, valën e zemërimit që po shprehet dhunshëm në rrugët e Tiranës dhe që shkon përtej revoltës për vrasjen e Klodianit”, shprehet ai.
Abilekaj: Anëtarët e partive opozitare ishin pjesëmarrës në protestë
Analisti nga Shqipëria, Enton Abilekaj, ka thënë se ka informacion që në protestat në Shqipëri po marrin pjesë edhe anëtarë të forumeve rinore të partive opozitare. Mirëpo, ai thotë se protesta nuk po organizohet nga partitë politike, por se këto janë organizime civile.
Në protestat në Shqipëri, të organizuara pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, janë lënduar dhjetëra persona, ndërsa sot ka dhënë dorëheqje ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Partitë opozitare në këto raste padyshim se kanë dëshirë dhe organizohen të përfshihen, për të marrë më shumë pjesëmarrje në protestë. Informacioni që kam është se këto nuk janë organizime të partive opozitare. Këto janë organizime civile nëpërmjet Facebookut, pa asnjë njoftim dhe pa asnjë dijeni nga partitë opozitare. Partitë opozitare njoftohen ashtu si mediat nëpërmjet rrjeteve sociale për orarin dhe vendin e protestës. Nuk e përjashtoj dhe e kam informacionin që anëtarët e forumeve rinore të partive opozitare kanë qenë prezent në protestë. Kanë qenë aktivë në protesta dhe një pjesë e tyre janë ndaluar nga Policia”, ka thënë Abilekaj në Interaktiv të KTV-së.
Abilekaj ka thënë se shumica e pjesëmarrësve janë civilë, qytetarë që nuk janë të angazhuar në partitë politike.
“Por nuk është organizim i opozitës, është organizim qytetar. Shumica e pjesëmarrësve janë civilë, qytetarë të pa angazhuar në partitë politike. Po dalin pikërisht se nuk janë të angazhuar në partitë politike. Pikërisht pasi në Shqipëri nëse nuk je i angazhuar në parti politike nuk ke të drejtën të shkollohesh, të punësohesh të kesh një të ardhme minimale në këtë vend. Vetëm përfshirja në parti politike, kryesisht në ato që janë në pushtet, pavarësisht se cilat janë, i jep mundësi një të riu në Shqipëri. Ky model disavjeçar e ka dëmtuar situatën sociale në Shqipëri dhe e ka çuar te kjo situatë që kemi sot, ku të rinjtë nuk kanë shpresë dhe duan të largohen nga Shqipëria. Tani që janë mbylluar kufijtë e ndjejnë presionin më të madh dhe e shkarkojnë brenda kufijve”, ka thënë Abilekaj.