Arbëri

Abdixhiku: Paratë e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, do të kthehen cent më cent

Lumir

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas intervistimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, nga organet e hetuesisë, dhe mbrojtjes së këtij të fundit nga bashkëpartiakja e tij, Donika Gërvalla. Gërvalla ka thënë se intervistimi i Pecit është inskenim nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. 

Abdixhiku ka thënë se paratë e vjedhura “nga ata që e shohin veten mbi shtet” do të kthehen cent më cent.                                     

“Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni. Edhe atë të pushtetarëve. Sidomos atë të pushtetarëve. Atë ditë do të mburremi të gjithë - me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre - atë që u bërtet me fakte mu para syve - atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë”, ka shkruar ai në Facebook. 

Peci u intervistua nga organet e hetuesisë lidhur me tenderin për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore, pas aksionit të Policisë së mbajtur të martën. Po ashtu, u intervistua edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, çka është konfirmuar nga avokati i tij, Artan Çerkini.