Intervistimi i ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, nga Prokuroria Speciale të martën (dje) ka nxitur reagime nga zyrtarë të lartë të Qeverisë në detyrë, duke rikthyer akuzat për përfshirje politike të sistemit të drejtësisë dhe përpjekje për të njollosur figurat qeveritare.
Peci, i cili u intervistua si i dyshuar për gati pesë orë lidhur me një tender për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore, ka marrë mbështetje nga partia e tij GUXO, si dhe nga ministra në detyrë të kabinetit Kurti 2.
Donika Gërvalla, bashkëkryetare e partisë GUXO, e cilësoi intervistimin e Pecit si një “inskenim të gërditshëm” nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Ajo e quajti ministrin Peci “më shembullorin e këtij mandati”, duke theksuar se ky veprim është hakmarrje e shëmtuar ndaj përkushtimit të tij në luftën kundër korrupsionit.
“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje ndaj figurave të ndershme politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë”, shkroi Gërvalla, duke bërë thirrje për reformim të plotë të sistemit të drejtësisë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po ashtu doli në mbështetje të kolegut të saj duke thënë se “ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe nuk ka asgjë për të fshehur”. “Ai është shumë i hapur për të bashkëpunuar me institucionet dhe për të zbardhur këtë plan për ta dëmtuar atë dhe Qeverinë Kurti”, ka thënë Haxhiu pas dështimit të seancës së 22-të për konstituimin e Kuvendit.
Në një deklaratë të mëvonshme, partia GUXO shprehu shqetësim për, siç tha, politizimin e Prokurorisë Speciale. Ata ngritën dyshime për paanshmërinë e hetimeve duke theksuar se prokurori i rastit, Admir Shala, është “ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren”.
GUXO e përshkroi Pecin si “simbol të përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit” dhe si njeriun që ka vepruar pa kompromis ndaj uzurpimit të pronave publike. Kjo parti theksoi se nën drejtimin e Pecit, Ministria e Bujqësisë ka shpërndarë grante në mënyrë të drejtë dhe meritore.
Ky zhvillim është vetëm një nga shumë episodet e tensionuara ndërmjet Qeverisë në detyrë dhe sistemit të drejtësisë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qenë i zëshëm në kritikat ndaj Prokurorisë, të cilën e ka quajtur më parë “kërmij” dhe “lepuj të shpejtë”.
Ai ka refuzuar të përgjigjet ndaj ftesave të Prokurorisë Speciale dhe ka akuzuar kryeprokurorin Isufaj se synon të prodhojë “lajme ndërkombëtare” përmes ftesave ndaj qeveritarëve. Kurti, që është ftuar të intervistohet për çështjen e rezervave shtetërore, ka thënë se prokurorët duhet të shkojnë në zyrën e tij për ta kryer intervistimin. Sipas kryeministrit në detyrë, kjo ka ndodhur në të kaluarën. Por kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, pati mohuar këto akuza.
Kurti pati deklaruar se ministrat e tij kanë dorëzuar mbi 250 kallëzime penale ndaj zyrtarëve të ndryshëm, ndërsa Prokuroria nuk ka ndërmarrë veprime në lidhje me to.
Pothuajse që nga viti 2022 nga Lëvizja Vetëvendosje, Kosova ka vetëm ushtrues detyre të kryeprokurorit të Shtetit. Isufaj ishte votuar kryeprokuror i ri nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, por presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar ta dekretojë për shkak se “është i kontestuar nga gjykatat në Kosovë”. Edhe Kurti pati përsëritur se Isufaj nuk do të bëhet kryeprokuror i Shtetit.
“Nëse ai bëhet kryeprokuror, atëherë s’ka shpresë për drejtësinë”, ka thënë Kurti.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se sulmet e pushtetit ndaj Prokurorisë janë mburojë për qeveritarët dhe promovim i kulturës së pandëshkueshmërisë.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh keqardhje për vazhdimin e mbrojtjes sistematike dhe institucionale nga partia në pushtet për secilin zyrtar të lartë publik që është subjekt i hetimit për vepra penal të korrupsionit. Vazhdimësia e deklaratave të ministreve në detyrë, znj. Gërvalla dhe znj. Haxhiu pas aksionit të ndërmarrë nga Prokuroria Speciale në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke ofruar mbrojtje institucionale ndaj personave subjekt të hetimit për afera korruptive, cenon rëndë vlerat dhe parimet e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe paraqet promovim të kulturës së pandëshkueshmërisë. Deklaratat e akterëve politik që i cilësojnë aksionet e Prokurorisë si ‘inskenim i gërditshëm’ dhe si ‘hakmarrje’ janë të papërgjegjshme dhe përbëjnë tentim për të denigruar punën e prokurorëve të PSRK”, thuhet në një reagim të IKD-së.
IKD-ja ka thënë se deklaratat e tilla përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe të papranueshme në sistemin e drejtësisë, dëmtojnë dhe rrezikojnë pavarësinë institucionale të Prokurorisë si dhe cenojnë besimin e publikut jo vetëm në institucionet e drejtësisë por edhe tërë sistemin publik të Republikës së Kosovës.
“Deklarata të tilla janë në kundërshtim me thirrjet dhe rekomandimet e publikuara në raporte vendore dhe ndërkombëtare ku kërkohet të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe parimi i ndarjes së pushteteve”, thuhet më tej në reagim. “Përdorimi i pozitës politike për të sulmuar personalisht prokurorë që janë në ushtrim të detyrës zyrtare për hetimin e dyshimeve për korrupsion është praktikë e dëmshme që cenon ndarjen e pushteteve dhe krijon precedentin e rrezikshëm të pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë të pushtetit”.
IKD-ja ka thënë se qëndrimet e tilla e bëjnë më të vështirë luftën kundër korrupsionit.