Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndaljen e kryetarit të saj, Ramush Haradinaj në Francë e ka konsideruar kidnapim të pastër politik, transmeton Koha.net.
“Ndaljen e mëtejshme të kryetarit Ramush Haradinaj në Francë, tash e tutje e konsiderojmë kidnapim të pastër politik. Haradinaj është ndaluar në Francë pas ndërhyrjes së Serbisë dhe në bashkëpunim me kundërshtarët e Kosovës”, thotë AAK përmes një komunikate për media.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMë tutje thuhet se, “mbajtja e tij tash e dy muaj, nuk ka asnjë lidhje as me drejtësinë as me të shkuarën e Haradinajt, por me qëndrimet e tij parimore në raport me zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën. Iu bëjmë me dije të gjithëve se Ramush Haradinaj nuk është vetëm dhe zvarritja e lirimit të tij, mund të prodhojë pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin”.
AAK gjithashtu thotë se, “kjo farsë gjyqësore me Haradinajn duhet të marrë fund menjëherë".
"Kërkojmë nga autoritet franceze që të mos vihen në shërbim të Serbisë, e cila është kthyer në mendësinë e vjeter dhe po don që sërish të shkaktojë trazira në Ballkan”, thotë AAK.
Aleanca më tutje ka kërkuar që institucionet të ndërmarrin diçka me këtë rast.
“Autoritetet e Kosovës ndërkaq, duhet që me urgjence të vihen në levizje, sepse ndalja e Haradinajt nuk ka të bëjë me individin por është sulm ordiner mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. AAK dhe shqiptarët, nuk do të qetësohen përderisa ai të mos i kthehet vendit të tij dhe punëve që e presin në Kosovë. Kosova ka nevojë për Ramush Haradinajn dhe prandaj askush nuk ka të drejtë që ta pengojë atë që të punojë për vendin e tij. Nëse institucionet e Kosovës do të rezultojnë të pafuqishme në veprim, atëherë fatet e kësaj çështjeje do t'i marrë në dorë populli. Kosova ka dhënë boll për stabilitetin rajonal dhe nuk mund të japë më”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa për Demarkacionin AAK deklaron si në vijim:
Ky version i demarkacionit është në kundërshtim me interesin nacional të Kosoves.
Ai parasheh që Kosovës t’i merren disa mijëra hektarë tokë, prandaj është i papranueshëm.
Kalkulimet se ky version i demarkacionit është kusht për vizat, është një kushtëzim i pandershëm që është sajuar nga udhëheqja shtetërore e Kosovës.
Nuk mund të pranohet asnjë kushtëzim në dëm të territorit të vendit. Askush nuk ka të drejtë të bëj pazar me territorin, pavarësisht pasojave.
Deputetët dhe udhëheqja shtetërore do të mbajnë përgjegjësi politike, morale e historike nëse nuk do ta kuptojnë se nuk kanë as fuqi, as mandat që ta tjetërsojnë territorin e vendit.
Çmimi i kalimit eventual të këtij versioni mund të jetë shumë më i lartë se sa kundërshtimi i tij.
Kosova nuk ka pse të jetë rast i ndryshëm nga shtetet tjera që kanë pasur konteste me kufijtë e tyre.
Demarkacioni duhet të mos votohet dhe kjo çështje të shkoj në rinegocim me Malin e Zi, duke mos përjashtuar edhe arbitrazhin ndërkombëtar si zgjidhje.
AAK do ta kundërshtoje këtë version me të gjithë mekanizmat që janë në dorën e saj.