Arbëri

Bexheti: Kurti e Konjufca i kanë dëmtuar shumë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

Historiani Nuri Bexheti

Historiani Nuri Bexheti

Historiani Nuri Bexheti, ka thënë se krerët institucionalë kosovarë, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca i kanë shkaktuar dëm të madh shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Bexheti ka thënë se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti është që interesin e partisë së tij ta lidhë me interesin e koalicionit VLEN, jo të të gjithë shqiptarëve. 

“Duhet të dallojmë interesat partiake dhe ato shtetërore. Drejtuesit institucionalë të Kosovës, përjashtuar presidenten, si z.Konjufca, si z.Kurti u kanë bërë një dëm shumë të madh shqiptarëve të Maqedonisë. Fotografia e famshme e VLEN-it në zyrën e Kurtit, sikur ta kishin pasur në krah edhe z.Ahmeti pse jo edhe pakicat tjera në krah me Frontin, do të kishte qenë mesazhi më i mirë pro-evropian dhe pro-perëndimor i një elite në ardhje në Maqedoninë e Veriut. Këtë nuk e ka bërë z.Kurti, ai e ka pasur dhe e ka një objektiv, interesin e partisë, të organizatës që e drejton ta lidhë me interesin e VLEN-it, jo të gjithë shqiptarëve”, ka thënë ai. 

Bexheti ka shtuar se ky koalicion është i ngjashëm me drejtuesit institucionalë aktualë të Kosovës. 

“Drejtuesit aktualë të institucioneve të Kosovës, përfshirë presidenten, kryeministrin dhe kryetarin e Parlamentit kur ishin në opozitë, në takime me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë apo jashtë Kosovës thonin se të gjitha problemet të grumbulluara në Kosovë do t’i zgjidhim ne. Dita erdhi, tashmë po bëhet viti i fundit i mandatit dhe pyesim se a u zgjodh problemi fundamental që Kosova për 10 vjet e ka me Serbinë, jo”, ka thënë ai.