Sot bëhen 24 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – Kapuçi, dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij. Ata ranë në kufirin shqiptaro-shqiptar.
24 vite më parë, gjatë mëngjesit të 14 dhjetorit të vitit 1998, luftëtarët e UÇK-së, derisa sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia e armikut, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit”, në Gorozhup të Pashtrikut.
Gjatë luftimeve të pabarabarta të zhvilluara në borën e dhjetorit, veç dëshmorëve të rënë, u plagosën edhe dhjetëra luftëtarë, ndërsa disa luftëtarë u zunë rob lufte, por pas një aksioni të zhvilluar nga luftëtarët e UÇK-së, 8 ushtarë të ushtrisë serbe ishin kapur nga luftëtarët e UÇK-së dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i ushtarëve të të dyja palëve.
Dëshmorët e UÇK-së të rënë në brezin kufitar shqiptaro-shqiptar u varrosën në Polac të Drenicës me nderime të larta ushtarake, më 21 dhjetor të vitit 1998.
Mujë Krasniqi, bashkë me Daut Haradinajn dhe Rexhep Selimin, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci, kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.
Edhe
27 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij
Me rastin e 24-vjetorit të rënies së Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, sot në orën 09:00, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, organizojnë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë të Skenderajt. Ndërkohë që në orën 10:00 homazhe në këtë kompleks do të bëjë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ndërsa në orën 17:00 Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mban Akademi Përkujtimore. / ksp