Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maqedonci: UÇK-ja themel i Ushtrisë së tashme të Kosovës

Ejup Maqedonci

Prishtina e ka shënuar Ditën e dëshmorëve. Homazhe bënë shumë qytetarë, familjarë të dëshmorëve e zyrtarë shtetërorë. Ministri i Mbrojtjes tha se ushtria e Kosovës po ndërtohet duke pasur gjithmonë për bazë themelin e saj, UÇK-në. Gjatë luftës së fundit në përballje të armatosur me forcat serbe, kanë rënë 68 dëshmorë nga Komuna e Prishtinës

Me homazhe te varrezat dhe përmendoret e dëshmorëve e me aksion për dhurim gjaku është shënuar Dita e dëshmorëve të Prishtinës.

Pas nderimeve që bëri te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, dhe te varrezat e dëshmorëve, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se me rezistencën e armatosur dëshmorët nuk dhanë vetëm kontribut ushtarak në çlirimin e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ishte edhe kontribut moral për faktin se ata ngrenë lart shpresën që vendi ynë mund të ketë liri, mund të çlirohet dhe mund të jetë i pavarur. Madje ata shërbyen edhe si frymëzim që shumë të rinj e të reja t’u bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Homazhe ka bërë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili gjatë luftës ka pasur rol drejtues në UÇK, në territorin që përfshin Komunën e Prishtinës. Ai shprehu rëndësinë e vazhdimit të ndërtimit të ushtrisë mbi vlerat e trashëguara nga lufta.

“Ushtria jonë po ndërtohet duke pasur gjithmonë për bazë, themelet e saj, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjakun e derdhur për liri, sakrificën e brezave të tërë për lirinë e vendit tonë. Fuqizimi i ushtrisë, armatosja e ushtrisë, zhvillimi i ushtrisë po bëhet gjithmonë duke iu referuar një të kaluare që është shumë e lavdishme, që është e kaluara e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur Maqedonci.  

Homazhe ka bërë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me anëtarë të kabinetit të tij.

“Mundohemi që ta lartësojmë çdo vit e më shumë edhe këtë betejën e madhe, luftën e madhe që e kanë bërë edhe sakrificën e madhe që e kanë dhënë heronjtë tanë, dëshmorët tanë, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha vendet e Kosovës e më gjerë”, ka theksuar Rama.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Naser Pacolli, theksoi rëndësinë e përkujtimit të vazhdueshëm të të gjithë atyre që ranë për liri.

“Sot është një ditë e veçantë, por është edhe krenare, sepse dëshmorët ndoshta kanë jetuar pak, por kanë lënë vepra shumë”, ka thënë Pacolli.

Gjatë luftës së fundit në përballje të armatosur me forcat serbe, kanë rënë 68 dëshmorë nga Komuna e Prishtinës.