Zgjedhjet lokale

Supremja ia anulon gjobën prej 5500 eurosh të PDK-së që ia vendosi PZAP-ja

Supremja

Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar si të themeltë ankesën e ushtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) lidhur me gjobën prej 5500 eurosh që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ia kishte shqiptuar më 23 shtator. 

PZAP-ja e pati gjobitur PDK-në pas ankesës së ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me deklaratat që i pati bërë kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku. 

“Qeveri më të poshtër, më mashtruese dhe më antikombëtare nuk besoj se do ta ketë Kosova”, pati thënë Lushtaku ndër të tjera në një fjalim më 19 shtator. 

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të themeltë ankesën e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka ndryshuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.49/2025, të datës 23.09.2025, duke vendosur që të: Refuzohet e pathemeltë ankesa e subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV),  ZAnr.49/2025 e datës 20.09.2025. PZAP kishte pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ZAnr.49/2025 të datës 20.09.2025 dhe kishte shqiptuar dënim më gjobë në lartësi prej 5.500.00 euro, Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kundër këtij vendimi subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme. Gjykata pasi ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, ka gjetur se ankesa është e bazuar”, thuhet në njoftimin e Supremes. 

Supremja ka vlerësuar se PZAP-ja nuk ka arritur të konstatojë drejtë dhe saktë gjendjen faktike. 

“Nga të cekurat më lart Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se PZAP, nuk ka arritur të konstatojë drejtë dhe saktë gjendjen faktike dhe nuk e ka zbatuar drejtë të drejtën materiale, për faktin se nga provat që gjenden në shkresat e lëndës nuk rezulton se kemi të bëjmë me shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e Tyre dhe Kandidatët, prandaj ankesa e subjektit politik është aprovuar si e bazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është ndryshuar. Nga theksimet si më lartë dhe në bazë të nenit 118 paragrafi 4, dhe 34 paragrafi 1 pika 1.11, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Supremes. 
 

Aktgjykimi

Vendimi i PZAP